2014-06-05 15:25:21

Mjanmar. Referendum popullor për ligjin kundër ndërrimit të fesë


Qeveria e Birmanisë vendosi t’ia nënshtrojë referendumit popullor projektligjin e shumëdiskutuar mbi fetë, teksti i të cilit është shpërndarë zyrtarisht, me qëllim për të kërkuar mbështetjen e popullsisë (e cila mund të shprehet me votë brenda 20 qershorit), para diskutimit në parlament.
Siç njofton agjencia katolike Fides, projektligji është përgatitur dhe paraqitur nga një kolicion murgjish budistë radikalë, që quhet “Organizata për mbrojtjen e racës, fesë dhe besimit”. Për të miratuar një ligj të kësaj natyre, në qershor 2013 lëvizja nisi një peticion dhe mblodhi 1,3 milionë firma. Peticioni u shndërrua në projektligj dhe do të paraqitet në parlament. Para këtij hapi, presidenti i Birmanisë Thein Sein e ftoi popullsinë të paraqesë porositë për përmirësimet e tekstit, për të kuptuar sa është i pranueshëm gjerësisht ky ligj.
Teksti i tanishëm parashikon ndalime të rrepta për sa i përket mundësisë së ndërrimit të fesë nga budizmi në një tjetër. Për të ndërruar fenë, nënshtetasi duhet të ketë mbushur 18 vjeç dhe duhet të marrë lejen nga autoritetet vendore, pasi të japë informacione të hollësishme rreth arsyeve personale për këtë vendim. Një zyrë e caktuar për këtë punë do të ketë tre muaj kohë për të shqyrtuar sinqeritetin e kërkesës dhe për të vërtetuar nëse ndërrimi i fesë bëhet me vullnet të lirë. Ata që nuk e respektojnë itinerarin e parashikuar, mund të dënohen me dy vjet burg.
Sipas vëzhguesve, ligji synon edhe ngadalësimin e rritjes demografike dhe fetare të myslimanëve në Mjanmar. Për këtë arsye, në pjesën e dytë të tekstit, përfshihen masat që duhen marrë për kufizimin e martesave ndërfetare, për kontrollin e lindjeve brenda popullsisë myslimane, për detyrueshmërinë e monogamisë.
Organizatat e shumta të shoqërisë qytetare birmaneze, si edhe ato jashtë shtetit, e kanë kundërshtuar tekstin, duke e denoncuar si ligj diskriminues, që dhunon të drejtat e njeriut, lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë. Në një shënim dërguar agjenciës Fides, Kryeipeshkvi i Yangonit, Imzot Charles Maung Bo, shpreh kundërshtimet e veta dhe i kërkon shtetit “të mos përzihet me të drejtën individuale për të zgjedhur fenë”. Legji, pohon kryeipeshkvi, “e kufizon lirinë fetare në Mjanmar, në një çast kur qytetarët po e fitojnë lirinë në sektorë të tjerë. Kthimi është çështje e ndërgjegjes, të cilën askush nuk mund ta detyrojë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.