2014-06-04 15:09:43

“Jezusi buzëqesh”: u paraqit në Romë, libri i atë Sorge-s për Papën


“Jezusi buzëqesh. Me Papën Françesku përtej fesë së frikës”. Kështu titullohet libri i jezuitit, atë Bartolomeo Sorge, publikuar nga Edicionet Piemme, paraqitur dje në Romë. Sipas autorit, popullariteti dhe konsensusi, që zgjon Papa argjentinas, rrezikojnë ta zbehin disi rëndësinë e mesazhit të tij. Prandaj, atë Sorge gërmon deri në rrënjët e arsyetimeve të Atit të Shenjtë, të cilat gjendjen thellë në jetën ungjillore, në fenë në Jezu Krishtin, shpallur e dëshmuar me jetë, në përqafimin me të varfërit e me të vegjlit e kësaj bote. Vetë atë Sorge na flet për librin, duke filluar nga titulli:RealAudioMP3
Fjalët i ka thënë vetë Papa. Ai pohon: “Ne e përfytyrojmë Jezusin kur flet, kur bën mrekulli, kur vdes në Kryq, por kurrë nuk e mendojmë duke buzëqeshur. Jezusi buzëqesh, në kuptimin që përhap një koncept feje, një koncept besimi jo si diçka që duhet ndjekur me forcë, me frikë, por si gjë e bukur dhe e gëzueshme. Atëherë, këtë mesazh të Papës desha ta vë në dukje mirë, që nga themelet, sepse ka rrezik që Ati i Shenjtë të kthehet në një lloj ylli televiziv: do të ishte fundi i mesazhit! Nëse e banalizojmë, ka rrezik të mos e kuptojmë forcën e tij të brendshme, që i vjen nga Ungjilli, nga feja…
Që prej shekujsh, krishterimi thotë se feja është gëzim. Ç’të re sjell Papa sot në këtë mesazh?
Sjell përvojën. Unë kam përshtypjen se doktrina njihej, por kur sheh një Papë, që me fakte, me jetë, me thjeshtësinë e gjuhës, me afërsinë me njerëzit e me trupin e sëmurë të Krishtit, të bën ta ndjesh se ajo është e vërtetë, … eh, kjo është mrekullia vetë.
Pastaj, Papa Françesku përdor fjalë-kyçe: për shembull, mëshira hyjnore. Ndoshta, edhe laikët e kuptojmë më mirë këtë sot, apo jo?
Në fakt, analiza që bëj në libër është pikërisht kjo, sepse kultura jonë bashkohore është kthyer në një kulturë pa figurën atërore, që do të thotë se me humbjen e marrëdhënieve ndërpersonale, të raportit të drejtë ndërmjet atit e birit, kemi humbur edhe aftësinë për ta njohur tjetrin si vëlla, si bir i Atit të përbashkët Qiellor. Prandaj, kur flasim për mëshirën hyjnore, japim fytyrën e vërtetë të Atit, të cilin na e zbuloi Jezusi, me një dritë, që akoma nuk e kishte në Besëlidhjen e Vjetër. Paradoksalisht, shoqëria jetime e sotme ka nevojë ta rizbulojë Atin e, ne kemi këtë Papë, që duke e jetuar Ungjillin e duke folur për mëshirën e Atit Qiellor, i bën asaj jehonë të re, më të thellë, që prek mungesat e kulturës mbizotëruese.
Një fjalë-kyç tjetër e librit është dialogu. Si e interpreton Papa? A ka ndryshim me kulturën e sotme?
Këtu, problemi i vërtetë është se përdorim të njëjtat terma – kultura e krishterë dhe kultura ‘e botës’ – duke u dhënë horizonte të ndryshme. Papa nuk i fsheh ndryshimet, thotë: ndryshimet i bëjnë mirë dialogut, por nuk mjafton vetëm të diskutojmë. Nuk do të arrijmë kurrë një sintenzë, nuk do të kuptohemi vetëm duke arsyetuar, por duke dëshmuar. Ndoshta, kufizimi i jetës së krishterë, i Kishës, në të kaluarën, është se kemi arsyetuar tepër e kemi dëshmuar pak, megjithëse shenjtorët nuk kanë munguar kurrë. Papa e vë theksin në jetën ungjillore: mënyra e parë për të dialoguar është dëshmia, sepse ajo nuk ka nevojë për fjalor që të kuptohet apo përkthehet. Kur Papa zbret nga xhipi për të përqafuar një të sëmurë, nuk ka nevojë të flasim pastaj ç’është bamirësia e dashuria e krishterë. Ja pra, kjo është forca e dëshmisë ungjillore: të dëshmosh me jetë, më shumë se me fjalë. Ky është dialogu, ashtu siç e kupton Papa Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.