2014-06-04 15:55:37

Në Minsk, Forumi evropian katoliko-ortodoks


Me një lutje për paqen në Evropë e në Ukrainë, kremtuar në kriptën e Kishës monumentale të të Gjithë Shenjtorëve dhe Viktimave të pafajshme të Atmes, në Minsk, u hapën punimet e Forumit IV evropian katoliko-ortodoks.
Në kryeqytetin bjellorus, më se 35 përfaqësues të Kishave ortodokse, të pranishme në Evropë dhe të Konferencave ipeshkvnore të kontinentit (Ccee) i pritën me entuziazëm mesazhet drejtuar, në fillim të punimeve, nga patriku ekumenik Bartolomeu dhe nga Papa Françesku.
Duke kujtuar shtegtimin e tyre të sapopërfunduar apostolik në Tokën Shenjte dhe përqafimin e 25 majit, në Jeruzalem, dy krerët e Kishave e vlerësuan lart nismën e Forumit IV, mbledhur për të thelluar rolin e kishave të krishtera në promovimin e vlerave njerëzore e të krishtera në shoqëritë e sotme evropiane. Delegatët e Kishave në Evropë u pritën nga autoritetet civile e kishtare të vendit, posaçërisht nga presidenti i Republikës së Bjellorusisë, nga Hekzarku patriarkal i gjithë Bjellorusisë, që e mikpret takimin; nga metropoliti Pavel i Minskut e Sluzkut dhe nga Hekzarku patriarkal i nderit, metropoliti Filaret. Merr pjesë në takim edhe Metropoliti Hilarion i Volokalamskut, kryetar i departamentit të Patriarkatit të Moskës për marrëdhëniet kishtare të jashtme.
Takimin me temë “Feja dhe larmitë kulturore: sfida për kishat e krishtera në Evropë” e hapën dy bashkëkryetarët e Forumit, metropoliti Genadios i Sasimës i Patriarkatit ekumenik dhe kardinali Peter Erdë, kryetar i Ccee. Punimet do të përfundojnë nesër, më 5 qershor, me paraqitjen publike të mesazhit përfundimtar.
Kujtojmë se Forumi I evropian katoliko–ortodoks u mbajt në vitin 2008 (11-14 dhjetor) në Trento të Italisë, me temë: “Familja: vlerë për njerëzimin”.
I fundmi, në Lisbonë të Portugalisë, në vitin 2013 (5-8 qershor) me temë: “Kriza ekonomike dhe varfëria. Sfida për Evropën e sotme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.