2014-06-03 12:20:56

Kardinali Erdë: të respektohet identiteti i popujve evropianë


Filluan, në Minsk të Bjellorusisë, punimet e Forumit IV Evropian Katoliko-Ortodoks me temë: “Feja dhe larmitë kulturore: sfida për kishat e krishtera në Evropë”.RealAudioMP3 Marrin pjesë 12 përfaqësues të Kishave ortodokse e 12 delegatë të Kishës katolike. I pranishëm edhe kardinali Péter Erdë, kryetar i Këshillit të Konferencave ipeshkvnore të Evropës. Në mikrofonin e Radios sonë, kujton qëllimin e Forumit:

Përgjigje: - Përpiqemi të kuptojmë si duhet respektuar krishterisht kjo pasuri, që gjen shprehjen e vet edhe në larmitë e popujve, të kulturave, të kombeve, sepse Evropa është kontinent i veçantë, ku ka shumë vende e kombe, që kanë gjuhën e tyre, historinë e tyre, kulturën e tyre, por që të gjithë, qysh prej një mijë vjetësh, rriten e zhvillohen mbi bazë të frymëzimit të kristianizmit, prej këndej, mund të themi se feja jonë nuk ia heq veçantitë kulturave, përkundrazi, i frymëzon, që të gjithë të mund të zhvillojnë gjeninë e tyre, të krijojnë e të zhvillojnë kulturën e tyre. Bashkëjetesa, prandaj, jo vetëm në frymën e pajtimit, por edhe të bashkëpunimit, është detyrë shumë veçantë në mbarë Evropën. Përpiqemi ta vëmë në jetë thirrjen tonë.

Pyetje: - Diçka për sfidat e Kishës së krishterë në Evropë, në këtë çast?

Përgjigje: - Natyrisht, është kryesisht shekullarizimi, që ka forma nga më të ndryshmet në Lindje e në vendet ish-komuniste, ku pas shembjes së marksizëm-leninizmit, mbeti një zbraztësi e ndjeshme kulturore, e cila e kërcënoi shumë herë mbarë shoqërinë. Për ta shmangur këtë edhe në nivel praktik, është shumë e rëndësishme, madje e nevojshme, të rizgjohet feja e krishterë, për të dhënë orientimin e duhur lidhur me bashkëjetesën njerëzore e shoqërore, e edhe për të përforcuar vetëdijen e vlerës së jetës e të respektit të tjetrit.

Pyetje: - Pas shtegtimit, kohët e fundit, të Papës Françesku në Tokën Shenjte dhe takimit të tij me Patriarkun Bartolomeu I, ç’ vlera të veçanta ka ky Forum evropian katoliko-ortodoks?

Përgjigje: - Sigurisht Patriarkati Ekumenik është njëri nga ato, që përgatit, mbështet e organizon këtë seri takimesh. I shpreh personalisht mirënjohjen Patriarkut Bartolomeu e, natyrisht, edhe metropolitit Gennadios së Sassismës, kryetar i Seksionit për marrëdhëniet e jashtme të Patriarkatit Ekumenik dhe bashkëkryetar i Asamblesë. Marrëdhëniet, pra, janë të mira, e bashkëpunimi, i ngushtë.

Pyetje: - Do të merreni, gjatë këtij takimi, edhe me shqetësimet e të krishterëve në Ukrainë e në zonat fqinje…
Përgjigje: - Takimi, natyrisht, nuk është politik. Por ne, si të krishterë, lutemi për paqen e lutemi edhe që dinjiteti i të gjithëve të respektohet. Edhe situata në Ukrainë vë në dukje rëndësinë që ka bashkëjetesa, pavarësisht nga larmitë ndërmjet popujve. Ka shumë kultura, shumë identitete në kontinentin tonë, që duhen respektuar, por edhe duhen pajtuar. E ne nuk mund të mos lutemi për këtë!







All the contents on this site are copyrighted ©.