2014-06-03 15:36:02

51-vjetori i vdekjes së shën Gjonit XXIII


Bie sot 51-vjetori i vdekjes së shën Gjonit XXIII, Papës së mirë, i cili u shpall shenjt vetëm pak kohë më parë, më 27 prill të këtij viti, nga Papa Françesku. Anxhelo Ronkali lindi në Sotto il Monte, në provincën e Bergamos, më 25 nëntor 1881. U zgjodh Papa i 261-të në Vatikan, më 28 tetor 1958, si pasardhës i Piut XII. Që në fillim, Gjoni XXIII pati një stil, që pasqyronte personalitetin e tij njerëzor e meshtarak, pjekur përmes një sërë përvojash: pasi siguroi funksionimin e rregullt të organizmave të Kuries Romake, i dha shërbimit të tij pjetrin një vulë baritore, duke nënvizuar natyrën ipeshkvnore si Ipeshkëv i Romës. Kontributi i tij më i madh është pa dyshim Koncili Ii i Vatikanit, të cilin e shpalli në bazilikën e Shën Palit më 25 prill 1959. Ishte vendim personal, marrë nga Papa pas konsultimeve private me disa bashkëpunëtorë më të afërt e me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tardini. Qëllimet e Koncilit, paraqitur përfundimisht në fjalën e hapjes, më 11 tetor 1962, ishin origjinale: nuk duheshin përcaktuar të vërteta të reja, por duhej paraqitur doktrina tradicionale në mënyrë më të përshtatshme për sensibilitetin modern. Në perspektivën e azhornimit të gjithë jetës së Kishës, Gjoni XXIII ftonte të privilegjohej mëshira hyjnore dhe dialogu me botën, në vend të dënimit e të kundërshtimit të saj, me vetëdijen se misioni kishtar kishte të bënte me të gjithë njerëzit. Gjatë fazës së parë, u pa qartë se Gjoni XXIII donte një Koncil vërtet vendimmarrës. Ai vetë i respektoi vendimet, pasi u dha mundësinë të shpreheshin vërtet të gjitha zërave të Kishës. Në pranverën e vitit 1963 iu dha çmimi “Balzan” për paqen, në dëshmi të impenjimit të tij në favor të paqes, pas publikimit të Enciklikave “Mater et Magistra” (1961) dhe “Pacem in Terris” (1963), si edhe pas ndërhyrjes së tij vendimtare në rastin e krizës së rëndë të Kubës, në vjeshtën e vitit 1962. Vdiq në mbrëmjen e 3 qershorit 1963. U shpall i Lum nga Papa Gjon Pali II më 3 shtator 2000. Në vendlindje, në orën 20.30, kremtohet një meshë për të falenderuar Zotin për kanonizimin e Papës Gjoni XXIII e për të kujtuar 51-vjetorin e kalimit në amshim.








All the contents on this site are copyrighted ©.