2014-06-02 16:31:38

Papa i nxit karizmatikët për unitet: jeni “rrymë hiri”


“Misionaritet i ri, i përforcuar nga uniteti”. Është kjo porosia kryesore e Papës, në Stadiumin Olimpik të Romës, ku mbrëmë u takua me mijëra përfaqësues të Lëvizjes Përtëritja Karizmatike Katolike. Françesku e quajti Lëvizjen e Përtëritjes në Shpirtin Shenjt, “rrymë hiri’ në Kishë e për Kishën”. Në këtë takim të madh, organizuar me rastin e Asamblesë së 37-të të Lëvizjes, Papa foli edhe për familjen e sulmuar nga të katër anët e për rolin tejet të rëndësishëm të të moshuarve. Meshtarët i porositi të jenë gjithnjë pranë Jezusit e pranë njerëzve.

Një stuhi duartrokitjesh, tingujsh, zërash shpërthyen, sapo Papa vuri këmbë në Stadium, për të kënduar, më pas, me krahët lart, bashkë me korin vigan: “Vive Jesus el Senor’ në gjuhën spanjolle. E Olimpiku u bë, kështu, arenë feje e shprese, në të cilën fryma e Shpirtit Shenjt, ftuar nga asambleja në lutje, si në një Çenakull nën qiellin e hapur, shndriti mendjet e ngrohu zemrat e 52 mijë të pranishmëve, ardhur nga 55 vende të ndryshme të botës. Të forta, thirrjet: për unitetin e Përtëritjes, për të mos e përqendruar në tepri vëmendjen në organizimin e veprimtarive, por për ta lënë vetë Hyjin të veprojë; për të mos qenë kontrollorë të hirit, dogana të Shpirtit Shenjt:
“Kjo është udha juaj: Ungjillëzimi, Ekumenizmi shpirtëror, kujdesi për të varfërit e nevojtarët, mikpritja e të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë. Dhe e gjithë kjo, mbi bazën e a-dhu-ri-mit! Themeli i përtëritjes është adhurimi i Hyjit!”.
Kërkoni unitetin, theksoi Papa, sepse uniteti vjen nga Shpirti Shenjt e lind nga uniteti i Trinisë Shenjte:
“Përçarja, nga kush vjen? Nga djalli! Përçarja vjen nga djalli. Larg luftërave të brendshme, ju lutem! Të mos ndjehen kurrë mes jush”.
Dilni rrugëve për të ungjillëzuar, duke kumtuar Ungjillin; mos harroni se Kisha lindi ‘në dalje” në agimin e Rrëshajëve, vijoi të porosiste Papa Françesku:
“Afrojuni pranë të varfërve e prekni, në korpin e tyre, korpin e plagosur të Jezusit! Lërëni Shpirtin Shenjt t’ju prijë, me liri e, ju lutem shumë, mos e mbyllni në kafaz Shpirtin Shenjt! Me liri”.
Papa kujtoi, jo pa autoironi, si i quante karizmatikët para se të bëhej asistenti i tyre shpirtëror në Argjentinë: “shkolla e samba-s”. Pastaj theksoi se Përtëritja Karizmatike është forcë e madhe në shërbim të kumtimit të Ungjillit, në gëzim të Shpirtit Shenjt (Evangelii Gaudium).
Ju morët Shpirtin Shenjt, shtoi, e në vijim u kujtoi se duhet ta kenë gjithnjë me vete Shkrimin Shenjt.
Para fjalimit, Papa dialogoi me përfaqësuesit e meshtarëve, të të rinjve, familjeve, të sëmurëve.
I vlerësoi lart pleqtë:
“Të moshuarit! Janë urtia jonë, urtia e Kishës; të moshuarit, që ne shpesh i përjashtojmë”.
Pastaj familjet:
“Familjet janë Kishë shtëpijake. Bashkëshortët janë mëkatarë, si të gjithë, po duan të ecin përpara me fe, në dëshirën për të krijuar jetë të re, në fëmijtë e tyre e në fenë e fëmijëve. Zoti e bekoftë familjen, e bëftë të fortë në këtë krizë, me të cilën djalli synon ta shkatërrojë”.
Meshtarëve u la mandatin:
Duajini njerëzit tuaj; rrini pranë njerëzve. Këtë kërkoj nga ju, këtë afërsi të dyfishtë: afërsi me Jezusin e afërsi me njerëzit”.
Duke folur, pastaj me një të ri, tregoi udhën për ta jetuar rininë, duke synuar gjëra të mëdha, larg jetës së mbyllur në kasafortë:
Kështu kjo rini bëhet plakë, në kuptimin më të keq të kësaj fjale. Bëhet leckë! Nuk i duhet gjë kujt! Rinia është bërë për të rrezikuar, por për të rrezikuar mirë, me shpresë. E për të kërkuar gjëra të mëdha. Rinia është për t’u dhuruar, që edhe të tjerët ta njohin Zotin. Mos e kurseni, mos e mbani vetëm për vete rininë tuaj, shkoni përpara!”.
Pas dëshmisë së një të verbëri, Papa theksoi se vuajtja duhet të jetë dëshmi e afërsisë me Jezusin:
“Vëllezërit e motrat, që vuajnë, që sëmuren, që kanë aftësi të kufizuara fizike, janë vëllezër e motra të vajuara nga vuajtja e Jezu Krishtit, i ngjajnë Krishtit në çastin e vështirë të kryqit të Tij, të jetës së Tij. Këtë vajim me vuajtje e çojnë përpara, për mbarë Kishën”.
Prekës, çasti i lutjes, kur Papa foli për “dehjen shenjte”, atë që të bën të flasësh gjuhët e dashurisë së krishterë e ta harrosh gjuhën e egoizmit e të etjes për pushtet, gjuhë shumë të përdorura e të përhapura në kohët tona. Pastaj, ftesa e fuqishme për unitet, pasuar nga duartrokitjet e pareshtura për festën e 2017-tës:
“Kërkoni unitetin e Përtëritjes, unitet, që vjen nga Trinia Shenjte! E ju pres të gjithë ju, karizmatikët e botës, për të kremtuar, së bashku me Papën, Jubileun tuaj të madh të Rrëshajëve 2017, në Sheshin e Shën Pjetrit! Faleminderit!”.
Takimi me Papën përfundoi mbrëmë, ndësa veprimtaritë vazhduan edhe sot.








All the contents on this site are copyrighted ©.