2014-06-02 17:01:49

Këtë javë Papa Françsku pret Katholikosin e Armenëve


Agjenda ekumenike e Papës Françesku shënon një tjetër takim me vlerë. Katholikosi i Kishës Armene Apostolike të Cilicisë, Arami I, me banim në Liban, do të jetë këtë javë Romë, për t’u takuar me Papën Françesku. Më 5 qershor Papa dhe Patriarku do të luten së bashku, por Katholikosi i Armenëve do të zhvillojë edhe disa takime me dikasteret e Kurjes Romake, veçanërisht në Këshillin Papnor për Bashkimin e të Krishterëve.
Arami I u zgjodh Katholikos i Kishës së Madhe të Cilicisë më 28 qershor 1995 dhe është takuar edhe me dy paraardhësit e Papës Françesku.
Kisha Armene Apostolike ka rreth 6 milionë besimtarë dhe dy patriarkate. Ndërmjet Kishës Katolike dhe asaj Armene Apostolike janë zhvilluar marrëdhënie të reja pas Koncilit II të Vatikanit.
Gjatë kësaj vizite, Katholikosi, njëkohësisht kryetar i komitetit qendror të Këshillit Ekumenik të Kishave, do të ndalet në lutje mbi varrin e kreut të apostujve, në Bazilikën e Vatikanit, dhe para shtatores së Shën Gregorit Përndritës, ati i Armenisë së krishterë, që gjendet në njërën ndër kamaret e tremes veriore të Bazilikës.








All the contents on this site are copyrighted ©.