2014-06-01 14:24:20

Të Ngjiturit e Zotit në Qiell


Leximi i parë (Vep 1,1-11)

Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka që Jezusi bëri dhe mësoi që prejfillimit e deri në ditën kur u ngrit në qiell, pasi u dha porositë apostujve, të cilët i pati zgjedhur nëpërmjet Shpirtit Shenjt.
Ai, pas mundimit të vet, me shumë prova ua vërtetoi apostujve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke u folur për Mbretërinë e Hyjit. Dhe, njëherë, ndërsa po hante bukë bashkë me ta, u urdhëroi të mos e lënë Jerusalemin, por ta presin Premtimin e Atit: “Atë që dëgjuat prej meje: Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt.”
Tani, ata që ndodhën bashkë me të, e pyetën: “Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?” Ai iu përgjigj: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe deri në skajin e botës.”
Dhe, kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre, u ngjit në qiell dhe një re menjëherë ua zuri para syve të tyre. Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin se si ai ngritej në qiell, ia behën dy njerëz të veshur me petka të bardha, zunë vend para tyre dhe u thanë: “O burra galileas, pse rrini kështu duke shikuar kah qielli? Ky Jezus, që prej jush u ngrit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell!”

Nga Psalmi 46

Ngritet Zoti me këngë të hareshme

Duartrokitni, o popuj të gjithë,
brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm,
Mbreti i madh mbi tokën mbarë.

Ngjitet Hyji me brohori,
Zoti me zë trumbete.
Këndoni Hyjit, këndoni,
këndoni mbretit tonë, këndoni!

Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës:
këndoni këngë me mjeshtëri!
Hyji mbretëron mbi mbarë popujt,
Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë.

Leximi i dytë (Ef 1,17-23)

Vëllezër, Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; 18 t’ju japë syve të zemrës (tuaj) dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër, dhe madhërinë e pamasë të fuqisë së tij kundrejt nesh që besojmë, të matur sipas veprimtarisë së pushtetit dhe forcës së Tij, të cilën e tregoi me vepër në Krishtin duke e ngjallur nga të vdekurit dhe duke e vendosur në të djathtën e vet në qiell, mbi çdo Principatë, Pushtet, Fuqi, Zotërim dhe mbi çdo emër që mund të përmendet jo vetëm në këtë, por edhe në botën e ardhshme.
Dhe çdo gjë vuri nën këmbët e tij e Atë e vendosi mbi çdo gjë ‑ për Krye të Kishës, e cila është Trupi i tij, plotësimi i Atij që plotëson gjithçka në të gjithë.

Ungjilli (Mt 28,16-20)

Në atë kohë të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal, ku u kishte urdhëruar Jezusi. Kur e panë, e adhuruan, por disa dyshuan.
Jezusi u afrua e u tha: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!”


Thirrja përfundimtare e njeriut

Shën Luka na ka lënë dy tregime të Ngjitjes së Krishtit në qiell, të cilët paraqesin të njëjtën ngjarje në një dritë të ndryshme: tregimi ungjillor është si një himn lavdërimi: përfundimi i lavdishëm i jetës publike të Jezusit; në Veprat e Apostujve Ngjitja e Krishtit në qiell paraqitet si pikënisja e përhapjes misionare të Kishës (kjo është edhe perspektiva e dy Ungjijve të tjerë sinoptikë: Mt 28 dhe Mk 16).

Njerëzimi i ri i përuruar nga Krishti Zot

Leximet e kësaj liturgjie na ftojnë të shkojmë përtej ngjarjes së Ngjitjes në Qiell sipas kuptimit hapsinor-kohor: “lartimi” në qiell i Zotit të ringjallur, “dyzet ditët” pas Pashkëve, janë vetëm një mënyrë për të treguar përfundimin e një faze të historisë së shpëtimit dhe fillimin e një faze tjetër.
Ai Jezus me të cilin nxënësit kanë ngrënë dhe kanë pirë e vijon praninë e tij të padukshme në Kishë. Kisha është e thirrur të vijojë misionin dhe predikimin e Krishtit dhe ngarkohet me detyrën për të kumtuar mbretërinë dhe për t’i dhënë dëshmi Zotit. Për këtë arsye engjëjt, pas Ngjitjes së të Ringjallurit në Qiell, i ftojnë apostujt të mos vonohen, duke shikuar kah qielli: ngjarja në të cilën kanë marrë pjesë nuk përfshin vetëm ata; përkundrazi, prej saj zë fill një dinamizëm universal, “shpëtimprurës” dhe “misionar”, të cilin do ta frymëzojë Shpirti i Shenjtë (leximi i parë).
Në sajë të forcës së këtij Shpirti, Krishti i shfaqur në lavdi dhe i caktuar Zot i gjithësisë (leximi i dytë), kreu i Trupit, që është Kisha, dhe i mbarë njerëzimit, tërheq tek vetja të gjitha gjymtyrët, që të marrin pjesë, me të dhe nëpërmjet tij, në jetën që buron prej Atit.
Ai vetë i frymëzon këta njerëz për të kërkuar lirinë, dinjitetin, drejtësinë dhe përgjegjësinë; ai vetë frymëzon dëshirën “për të qenë më shumë”, vullnetin e njerëzve për të ndërtuar një botë më të drejtë dhe më të bashkuar. Kështu, bashkësia e besimtarëve, e vetëdijshme se ka marrë një pushtet hyjnor, plot hov misionar dhe plot me gëzimin e pashkëve, bëhet në botë dëshmitare e realitetit të ri të jetës së realizuar në Krishtin Zot.

Realitetet tokësore dhe angazhimet e besimtarëve

Përsiatja konciliare mbi marrëdhëniet e Kishës me Botën gjendet në Kushtetutën Gaudium et Spes, ku mund të lexojmë disa tekste themelore, që u përgjigjen pretendimeve se feja e tjetërson njeriun: “Ndër format e ateizmit modern nuk duhet lënë pas dore ajo e cila pret që njeriu të lirohet mbi të gjitha me anë të çlirimit ekonomik dhe shoqëror. Ekziston mëtimi se feja e pengon këtë çlirim, për vetë natyrën e saj, sepse, meqë e ngre shpresën e njeriut drejt një jete të ardhshme dhe të gabueshme, e heq nga ndërtimi i qytetit tokësor” (GS 20).
Gaudium et spes thotë se duhet gjetur një baraspeshë e re: “Sigurisht, jemi njoftuar se asgjë nuk i vlen njeriut nëse fiton tërë botën, por humb vetveten. Megjithatë, pritja e një toke të re nuk duhet ta dobësojë, por, përkundrazi, duhet ta nxisë përkushtimin në punën lidhur me këtë tokë, ku rritet ai trup i njerëzimit të ri, që qysh tani arrin të paraqesë një farë përfytyrimi që i ngjan botës së re. Prandaj, edhe pse duhet dalluar me kujdes përparimi tokësor nga zhvillimi i Mbretërisë së Hyjit, megjithatë, në atë masë në të cilën mund të ndihmojë për ta rregulluar më mirë shoqërinë njerëzore, ky përparim ka shumë rëndësi për Mbretërinë e Hyjit” (GS 39; shih edhe GS 43 e 57).

Asambleja liturgjike, dëshmi e gjallë e pranisë së Krishtit Zot

Jezusi është i pranishëm mes të vetëve kryesisht në formën mendore dhe kishtare; nga kjo prani e Zotit buron përgjegjësia dhe misioni i ungjillëzimit.
Kjo realizohet dhe “ritualizohet” në kremtimin eukaristik. Asambleja, që mblidhet për aktin liturgjik është ajo vetë dëshmi dhe kumtim i Zotit Jezus; ai është i pranishëm me anë të Fjalës dhe të Eukaristisë, duke realizuar premtimin që u kishte bërë të vetëve: “Ja, unë jam me ju çdo ditë, deri në të sosur të botës”.
Në liturgjinë e fjalës përmbushet urdhri i Jezusit: “Shkoni në të gjithë botën dhe predikoni Ungjillin çdo krijese”. Fjala e shpallur ngjall përgjigjen e fesë në misterin e Krishtit, që përmblidhet në “Besojmën”. Ai që e kryeson kremtimin shpall në emër të asamblesë shpresën e përbashkët se një ditë do të bashkohemi në lavdi, përgjithmonë, me Zotin Jezus, fitimtar mbi mëkatin dhe mbi vdekjen .
Pranie e tij në ne është pengu se një ditë do të marrim pjesë me të në jetën me Atin; madje realiteti sakramental na bën ta parashijojmë që sot. Një asamble liturgjike, që i kremton me pjesëmarrje të sinqertë këto aspekte të misterit, bëhet dëshmi e gjallë e veprimit të Krishtit në Kishën e tij dhe e njerëzimit të ri, që ai përuron me “ngjitjen” tek Ati.
(Marrë nga: www.maranatha.it)

Katekeza e Papës Françesku për nenin e “Besojmës”, që thotë: “U ngjit në qiell, rri në të djathtën e Atit” (17 prill 2013)

Në Besojmë, gjejmë pohimin se Jezusi “u ngjit në qiell, rri në të djathtën e Atit”. Jeta tokësore e Jezusit e arrin kulmin me Ngjitjen në qiell, domethënë kur kalon nga kjo botë tek Ati dhe lartësohet në të djathtën e tij. Cila është domethënia e kësaj ngjarjeje? Cilat janë rrjedhojat e saj në jetën tonë? Çfarë do të thotë të kundrosh Jezusin, të ulur në të djathtën e Atit? Në lidhje me këtë, le të na udhëheqë Luka ungjilltar.
Të nisemi nga çasti kur Jezusi vendos të bëjë shtegtimin e fundit në Jeruzalem. Shën Luka bën këtë shënim: “Kur po plotësoheshin ditët në të cilat do të lartësohej, ai mori vendimin e prerë për të shkuar në Jeruzalem” (Lk 9,51). Ndërsa ngjitet në qytetin e shenjtë, ku do të ndodhë “dalja” e tij nga kjo jetë, Jezusi e sheh tashmë pikësynimin, qiellin, por e di mirë se rruga, që e kthen në lavdinë e Atit, kalon përmes kryqit, përmes bindjes ndaj shestimit hyjnor të dashurisë për njerëzimin. Katekizmi i Kishës Katolike pohon se “lartimi mbi kryq shpreh dhe kumton lartimin e ngjitjes në qiell” (n. 661). Edhe ne duhet ta kemi të qartë, në jetën tonë të krishterë, se hyrja në lavdinë e Hyjit kërkon besnikërinë e përditshme ndaj vullnetit të tij, edhe lyp flijim, kërkon nganjëherë t’i ndryshojmë programet tona. Ngjitja e Jezusit ndodhi konkretisht në Malin e Ullinjve, afër vendit ku ishte tërhequr në lutje para mundimeve, për të qëndruar i bashkuar thellë me Atin: edhe një herë shohim se lutja na jep hirin për ta jetuar me besnikëri projektin e Hyjit.
Në fund të Ungjillit të tij, Shën Luka e tregon ngjarjen e Ngjitjes në qiell në mënyrë shumë sintetike. Jezusi i çoi nxënësit “përjashta në drejtim të Betanisë, çoi duart dhe i bekoi. Ndërsa i bekonte, u shkëput prej tyre dhe u mor lart, në qiell. Dhe ata ranë përmbys para ti; pastaj u kthyen në Jeruzalem me gëzim të madh dhe rrinin gjithmonë në tempull, duke lavdëruar Hyjin” (24,50-53); kështu thotë Shën Luka.
Dëshiroj të tërheq vëmendjen tek dy elemente të tregimit. Para së gjithash, gjatë ngjitjes në qiell Jezusi kryen gjestin meshtarak të bekimit dhe sigurisht nxënësit e shprehin fenë duke rënë përmbys, gjunjëzohen duke përkulur kokën. Kjo është pika e parë e rëndësishme: Jezusi është meshtari i vetëm dhe i amshuar, që me mundimet e veta e ka përshkuar vdekjen e varrin dhe është ringjallur e ngjitur në qiell; gjendet pranë Hyjit Atë, ku ndërmjetëson përgjithmonë për të mirën tonë (shih Heb 9,24). Siç pohon Shën Gjoni në Letrën e Parë, Ai është avokati ynë: sa bukur është ta dëgjojmë këtë! Kur dikush është thirrur tek gjykatësi, ose shkon në gjyq, gjëja e parë që bën është të kërkojë një avokat, për ta mbrojtur. Ne e kemi një, që na mbron gjithmonë, na mbron nga sulmet e djallit, na mbron nga vetja jonë, nga mëkatet tona!
Shumë të dashur vëllezër e motra, e kemi këtë avokat; nuk kemi frikë të shkojmë tek Ai, për t’i kërkuar të na falë, për t’i kërkuar bekimin, për t’i lypur mëshirë. Ai na fal gjithmonë, është avokati ynë: na mbron gjithmonë. Të mos e harrojmë këtë gjë! Ngjitja e Jezusit në qiell na lejon ta njohim këtë realitet aq ngushëllues për ecjen tonë: në Krishtin, Hyj i vërtetë dhe njeri i vërtetë, njerëzia jonë është afruar tek Hyji; ai na e ka hapur kalimin; ai është si kreu i një grupi që lidhet me litar, kur ngjitet një mal, i cili ka mbërritur në majë dhe na tërheq kah vetja, duke na çuar tek Hyji.
Nëse ia besojmë atij jetën tonë, nëse e lejojmë të na udhëheqë, jemi të sigurt se jemi në duar të sigurta, në duart e shpëtimtarit tonë, të avokatit tonë.
Elementi i dytë: Shën Luka tregon se Apostujt, pasi e panë Jezusin duke u ngjitur në qiell, u kthyen në Jeruzalem “me shumë gëzim”. Kjo na duket pak e çuditshme. Në përgjithësi, kur ndahemi nga familjarët tanë, nga miqtë, kur largohen përgjithmonë e mbi të gjitha për shkak të vdekjes, na kap një trishtim i natyrshëm, sepse nuk do ta shohim më fytyrën e tyre, nuk do ta dëgjojmë më zërin e tyre, nuk do të shijojmë më dashurinë e tyre, praninë e tyre. Përkundrazi, ungjilltari nënvizon gëzimin e thellë të apostujve. Po si ka mundësi? Pikërisht spese, me sytë e fesë, e kuptojnë se, edhe pse nuk e shohin më, Jezusi mbetet përgjithmonë me ta, nuk i braktis dhe, në lavdinë e Atit, i mbështet, i udhëheq dhe ndërmjetëson për ta.
Shën Luka e tregon ngjarjan e Ngjitjes në qiell edhe në fillim të Veprave të Apostujve, për të nënvizuar se kjo ngjarje është si një hallkë, që e kap dhe e lidh jetën tokësore të Jezusit me jetën e Kishës. Këtu shën Luka përmend edhe renë, në të cilën Jezusi largohet nga sytë e nxënësve, të cilët mbesin duke e kundruar Krishtin, ndërsa ngjitet drejt Hyjit (khs Vep 1,9-10). Atëherë paraqiten dy njerëz të veshur me të bardha dhe i ftojnë të mos rrinë në vend, duke parë qiellin, por ta ushqejnë jetën dhe dëshminë e tyre me sigurinë se Jezusi do të kthehet në të njëjtën mënyrë në të cilën e panë duke u ngjitur në qiell (khs Vep 1,10-11). Është ftesa për t’u nisur nga kundrimi i Krishtit Zot, në mënyrë që të marrin prej tij forcën për ta bartur dhe për ta dëshmuar Ungjillin në jetën e çdo dite: kundrimi dhe veprimi, ora et labora, na mëson Shën Benedikti, janë të dyja të nevojshme në jetën e të krishterëve.
Të dashur vëllezër e motra, ngjitja në qiell nuk tregon mungesën e Jezusit, por na thotë se ai është i gjallë mes nesh në një mënyrë të re; nuk është më në një vend të mirëcaktuar në botë, siç ishte para se të ngjitej në qiell; tani është me Zotin Hyj, i pranishëm në çdo hapësirë dhe kohë, pranë secilit prej nesh. Në jetën tonë nuk jemi kurrë vetëm: kemi këtë avokat, që na pret, që na mbron. Nuk jemi kurrë vetëm: Zoti i kryqëzuar dhe i ringjallur na udhëheq; me ne gjenden shumë vëllezër e motra, që në heshtje dhe në fshehtësi, në jetën familjare dhe në punë, në problemet dhe vështirësitë e tyre, në gëzimet dhe shpresat e tyre, e jetojnë fenë ditë për ditë dhe sjellin në botë, bashkë me ne, zotërimin e dashurisë së Hyjit, në Krishtin Jezus të ringjallur, të ngjitur në qiell, mbrojtësi ynë.

Askush nuk ësht ngjitur në qiell, përveç Birit të njeriut, që zbriti nga qielli
(Nga “Fjalimet” e Shën Agostinit, ipeshkëv)

Sot Zoti ynë Jezu Krishti u ngjit në qiell. Me të le të ngjitet edhe zemra jonë. Ta dëgjojmë apostullin Pal, që kumton: “Nëse jeni ringjallur me Krishtin, kërkoni gjërat që janë atje lart, ku gjendet Krishti, i ulur në të djathtën e Hyjit. Mendoni gjërat që janë atje lart, jo ato të tokës” (Kol 3,1-4). Sikurse ai është ngjitur dhe nuk është larguar prej nesh, ashtu edhe ne jemi atje lart me të, edhe pse në trupin tonë nuk është vërtetuar ende çfarë na është premtuar.
Krishti, është tashmë i lartësuar përmbi qiej, por vuan këtu në tokë të gjitha mundimet që durojmë ne, gjymtyrët e tij. Për këtë gjë na siguroi, kur na bëri të dëgjojmë britmën e tij: “Saul, Saul, përse më përndjek?” (Mt 25,35).
Pse nuk mundohemi edhe ne, atëherë, këtu mbi tokë, në mënyrë që të pushojmë qysh tani, me Krishtin në qiell? Ne, që jemi të bashkuar me Shpëtimtarin tonë me anë të fesë, shpresës dhe dashurisë? Krishti, edhe pse gjendet atje lart, mbetet ende me ne. E ne, si ai, edhe pse banojmë këtu poshtë, jemi që tani me të. E Krishti mund të veprojë kështu në sajë të hyjnisë dhe gjithëfuqisë së vet. Për ne kjo gjë është e mundur jo se kemi fuqinë hyjnore, por nga dashuria që kemi për të. Ai nuk e braktisi qiellin, duke zbritur deri tek ne; as nuk u largua prej nesh, kur u kthye përsëri në qiell. Në fakt ai vetë dëshmoi se gjendet atje lart, kur ishte këtu në tokë: askush nuk është ngjitur kurrë në qiell, përveç atij që ka zbritur nga qielli, Biri i njeriut, që është në qiell (khs. Gjn 3,13).
Ky pohim u bë për të nënvizuar bashkimin ndërmjet atij, kreut tonë, dhe neve, trupit të tij. Pra, askush nuk mund të kryejë një akt të tillë, përveç Krishtit, sepse edhe ne jemi ai, në saj të faktit se ai është Biri i njeriut për ne dhe ne jemi biri i Hyjit për të.
Ja si shprehet apostulli kur flet për këtë realitet: “Sikurse trupi, edhe pse është një i vetëm, ka shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët, edhe pse janë shumë, janë një trup i vetëm, njësoj edhe Krishti” (1Kor 12,12). Apostulli nuk thotë: “Njësoj Krishti”, por “njësoj edhe Krishti”. Krishti, pra, ka shumë gjymtyrë, por vetëm një trup.
Prandaj ai zbriti nga qielli për mëshirë dhe nuk është ngjitur askush tjetër përveç tij, ndërsa ne vetëm me anë të hirit jemi ngjitur me të. E kështu nuk ka zbritur askush përveç Krishtit dhe nuk është ngjitur askush përveç Krishtit. Kjo jo se ngatërrohet dinjiteti i kreut me trupin, por sepse trupi nuk duhet të ndahet nga kreu, me të cilin është bashkuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.