2014-06-01 14:21:15

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Të vërtetat themelore të devocionit të Marisë” par. 64


Besimtarët e vdekur e të gjallë bashkojnë duart rreth Marisë. E lutjet e tyre drejtuar Nënës, gazmojnë Birin. Maria na bën me shenjë të shikojmë vetëm Krishtin e sytë tanë lartohet qiejsh, vegojnë gurrën prej nga gufon rrezja e dritës së jetës. E kur vegimi zhduket, lë pas cirka ëmbëlsie në vetëdijen e lutësit, që duke hyrë në zemrën e Marisë, e kënaq pa masë Zemrën e Krishtit. Na e kujton këtë sot, ditën e fundit të majit të Zojës, Shën Luigji Maria Grignion de Monfort përmes veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, kapitulli “Maria ‘Në këto kohët e fundit”, paragrafi 64.

64. Pas kësaj, Mësuesi im i ëmbël, a nuk është gjë e çuditshme edhe e dhimbshme të shikosh padijen dhe terrinën e gjithë njerëzve të kësaj bote për Nënën tënde shenjte? Nuk flas aq për idhujtarët e paganët që, duke mos të njohur Ty, nuk kujdesen ta njohin as atë; e as për heretikët nuk flas, as për skizmatikët, që nuk çajnë kokën fare për devocionin ndaj Nënës sate, duke qenë të ndarë nga Ti e nga Kisha Shenjte; por flas për të krishterët katolikë, e për vetë doktorët ndër katolikë, që duke iu kushtuar mësimit të të vërtetave të tjera, nuk të njohin as Ty e as Nënën tënde të Shenjtë, veçse në mënyrë shkollareske, të thatë, të shterptë, të akullt. Këta zotërinj flasin rrallë e kurrë për Nënën tënde të shenjtë dhe devocionin ndaj saj, sepse tremben, thonë, se të shpërdorojnë Ty, se të bëjnë padrejtësi, duke e nderuar tepër Nënën tënde të shenjtnueshme. Po të shohin a të dëgjojnë ndonjë të devoçëm të Virgjërës gjithëshenjte duke folur shpesh, fort, me ngulm për devocionin ndaj kësaj Nëne të mirë, parë si mjet i sigurt e pa rrena i një udhe të shkurtër, të sigurt, një udhe të panjollë, pa mospërkryerje e i një sekreti të mrekullueshëm për të të gjetur e për të të dashur përsosurisht, bërtasin sa mundin kundër tij, numërojnë njëmijë arsye të rreme për të provuar se nuk duhet folur aq shumë për Virgjërën, se ka tepër shpërdorime në këtë devocion të shenjtë e se duhen bërë përpjekje për t’u dhënë fund e për të folur për ty, në vend që t’i çojmë popujt drejt devocionit ndaj Nënës sate të shenjtë, jo për ta përcaktuar e për ta përhapur, por për t’i shkatërruar shpërdorimet, ndërsa këta zotërinj janë pa përshpirtëri e pa devocion të dhembshur për ty, sepse nuk kanë pikë devocioni për Marinë. I shikojnë Rruzaren e Skapolarin si punë grash fanatike, tipike për injorantët, krejt të panevojshme për shëlbim; e po të bjerë në dorë të tyre ndonjë i devoçëm i Virgjërës shenjte, që thotë Rruzaren ose kryen devocion tjetër ndaj saj, bëjnë çmos t’ia ndërrojnë mendje e zemër; në vend të Rruzares, i këshillojnë të thotë shtatë Psalme; në vend të devocionit ndaj Virgjërës së shenjtë, i këshillojnë devocionin ndaj Jezu Krishtit.
O Jezusi im i ëmbël, thua e kanë këta njerëz shpirtin tënd? Thua të kënaqin, duke vepruar në këtë mënyrë? Është kënaqësi për ty, kur nuk bëhen të gjitha përpjekjet për t’i pëlqyer nënës sate, nga frika se mund të të brengosin ty? Thua devocioni ndaj nënës sate e pengon tëndin? E përvetëson ajo, nderimin, që i bëhet? I përket thjesht asaj? Është e huaj, pa asnjë lidhje me ty? Thua ndahet e largohet njeriu nga dashuria jote, po t’i dhurohet asaj e ta dojë me gjithë zemër?

T’i meditojmë këto pyetje, në pritje të tetorit, Muajit të Rruzares shenjte, kur do të takohemi përsëri, për të vijuar shfletimin e këtij libri, që po e mbyllim pa e çuar deri në fund, sot, ditën e mbrame të majit, por jo të devocionit ndaj Marisë, që vijon...











All the contents on this site are copyrighted ©.