2014-06-01 18:13:07

Thirrje e Papës për Ukrainën dhe Afrikën Qendrore


Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa bëri thirrje për Ukrainën dhe Afrikën Qendrore:
“Me shpirt të trishtuar, lutem për viktimat e tensioneve, që vijojnë akoma në disa zona të Ukrainës dhe në Republikën e Afrikës Qendrore. Ua përsëris thirrjen time të gjitha palëve në konflikt, që të kapërcehen moskuptimet e të kërkohet me durim dialogu e paqëtimi. Maria, Mbretëresha e Paqes, na ndihmoftë! Na ndihmoftë të gjithë, me ndërmjetësimin e saj amtar”.
Më pas Ati i Shenjtë kujtoi se sot kremtohej Dita Botërore e Komunikimeve Shoqërore, kushtuar, sivjet, komunikimit në shërbim të kulturës së takimit. E theksoi:
“Mjetet e komunikimit shoqëror mund të favorizojnë ndjesinë e unitetit të familjes njerëzore, solidaritetin dhe impenjimin e të gjithëve për një jetë dinjitoze. Të lutemi që komunikimi, në çdo lloj forme, t’i shërbejë me të vërtetë takimit ndërmjet njerëzve, bashkësive, kombeve; takim i bazuar mbi respektin e dëgjimin reciprok”.
Kujtoi, më pas, se në Kolevalenca u shpall e Lume Nëna Speranca, e lindur në Spanjë, pagëzuar me emrin Maria Jozefa Alhama Valera. E vendosur, më pas, në Itali, themeloi Shërbëtoret dhe Bijtë e Dashurisë së Mëshirshme. Dëshmia e saj, u lut Françesku, e ndihmoftë Kishën ta kumtojë kudo, me gjeste konkrete të përditshme, mëshirën e pafundme të Atit Qiellor për çdo njeri. Ta përshëndesim të gjithë me një duartrokitje Nënë Sperancen, të Lumen Nënë Speranca, i ftoi Papa mijëra besimtarët, që mbushnin përplot Sheshin, si çdo të diel. E ata iu përgjigjen menjëherë, me një stuhi duartrokitjesh, që reshtën vetëm kur Ati i Shenjtë përshëndeti të rinjtë që sapo kanë marrë ose përgatiten të marrin Krezmimin, duke i inkurajuar të jenë dëshmitarë gazmorë të Jezusit.
E pastaj, një përshëndetje e veçantë për Kamperistët italianë, domethënë, shtegtarët, që përshkojnë udhët e botës me kamper, impenjuar në vepra solidariteti si dhe çiklistët, që po vënë në jetë nismën “Një kilometër për Sirinë”.
Papa e përfundoi lutjen, me urimin:
“Të gjithëve, ju uroj të diel të gëzuar. Drekën e mirë e mirupafshim! E, lutuni për mua!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.