2014-06-01 17:13:19

Shuhet studiuesi Mentor Quku


TIRANE - Është shuar dje në orët e para të mëngjesit në qytetin e Shkodrës, studiuesi i njohur Mentor Quku. Profesori u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare në shtëpinë e tij, pasi vuajti për një kohë të gjatë nga një sëmundje e rëndë. Ai njihet si mjedolog, për shkak se ia ka kushtuar gjithë jetën e tij studimit të veprës së poetit Ndre Mjeda. Pasi punoi për më shumë se 30 vjet në këtë lami, ai pat botuar një kolanë studimore shumëvëllimëshe. Për të dokumentuar jetën e veprën e Mjedës, ai ka shfrytëzuar arkivat e të gjitha vendeve ku Mjeda ka studiuar e punuar, ose që kanë ruajtur dokumentacion për Mjedën, si psh. Arkivi i Propaganda Fides, Arkivi i Jezuitëve Romë, fondi Peters Mahringer-Fonds (Austri), arkivat, bibliotekat dhe muzeumet e Vjenës, si edhe arkiva e biblioteka të shumta në Gjermani, Francë, Poloni, Danimarkë, Spanjë, apo kuvendet françeskane e jezuite të Bosnjës e të Kroacisë. Ka nxjerrë në dritë vepra, studime, si edhe letra të priftit, shkruar në kohë e vende të ndryshme, letra që kanë hedhur dritë mbi jetën dhe punën e tij. Quku ka qenë autor i shumë artikujve dhe studimeve në fusha të ndryshme të dijes, si metodikë e mësimdhënies, pedagogji familjare, pedagogji shkollore, pedagogji sportive, tekstologji, psikologji e arteve figurative, psikologji sportive, psikologji moshore, histori, histori arti, letërsi biografike, letërsi për fëmijë, letërsi politike, histori e letërsisë për fëmijë, mitologji, folklor, frazeologji, toponomastikë. Ai ka marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare, ku kontributi i tij ka qenë gjithmonë i mirëpritur.
Kolana
Botimin e plotë të kolanës studimore “Mjeda”, autori Mentor Quku e përfundoi më 2013, me rastin e kremtimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Kjo kolanë, e botuar nga Shtëpia Botuese “Ilar” në vitet 2004-2013, paraqitet me nëntë vëllime. Mjedisi intelektual i qytetit të Shkodrës, si edhe mbarë komuniteti i studiuesve të letërsisë shqipe, e kanë vlerësuar dhe e çmojnë në mënyrë të veçantë kontributin e Mentor Qukut, puna e të cilit tashmë shërben si referencë e pazëvendësueshme për studimet shqiptare, e në veçanti për studimet mbi Ndre Mjedën dhe mbi veprën e tij. Këtë e dëshmon, së fundi, edhe botimi i numrit të parë të revistës studimore “Mjedologji”, e cila përmban njëzet punime mbi Ndre Mjedën nga studiues të konfirmuar të të gjitha trojeve shqiptare dhe i kushtohet mjedologut Mentor Quku. Për kontributin e tij, Z. Mentor Quku është vlerësuar me medaljen “Mësues i Merituar” (1991) dhe “Mirënjohje e qytetit të Shkodrës” (2011). I lindur në Bilisht të Korçës më 20 janar 1939, ai qe arsimuar në Shkollën Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër (1951-1954), kurse studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë (1955-1957) dhe pastaj në Universitetin e Tiranës (1960-1963). Si drejtor i Muzeut Historik Shkodër (1992-2000), ai ka organizuar, drejtuar dhe botuar, gjashtë seminare ndërkombëtare me titull “Shkodran në shekuj”, si dhe ka drejtuar revistën “Kumtari”.

Marrë nga Balkanweb









All the contents on this site are copyrighted ©.