2014-06-01 14:23:39

Papa në Tokën Shenjte: çaste historike e çaste argëtuese


Ndalesa para Murit të Betlehemit dhe përqafimi i Papës Françesku me dy miqtë e tij, njëri rabin hebre dhe tjetri hoxhë mysliman, do të mbeten në mendje si fotografitë kyçe të shtegtimit në Tokën Shenjte, pasi simbole të vëmendjes së Papës ndaj temave të rëndësishme si ajo e dialogut izraelito-palestinez dhe e dialogut ndërfetar. Udhëtimi i Françeskut përfundoi të hënën e kaluar, më 26 maj, por flitet ende për kremtimin ekumenik të së dielës me Patriarkun ortodoks Bartolomeu, për takimin me botën myslimane, me presidentin izraelit, për meshën në Çenakull me të krishterët e Lindjes së Mesme e për takimin me klerin në Gjetsemani.
Sot, për të kujtuar këtë udhëtim të Papës Françesku, ftuam para mikrofonit drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, por para se t’ia japim fjalën atij, disa grimca nga udhëtimi, argëtuese e të paparashikueshme, që nuk patëm kohë as vend për t’i paraqitur ato ditë të shtegtimit intensiv të Atit të Shenjtë.
E para, emisioni i drejtpërdrejtë radiofonik për argjentinasit. Kronisti e njihte Papën dhe iu afrua. “Jemi drejtpërdrejt” i thotë Bergolios, i cili nuk tërhiqet e në spanjisht, u përgjigjet pyetjeve dhe u kërkon të gjithëve të luten për paqen.
Çasti tjetër ishte një rast i sikletshëm për delegacionin vatikanas. Kur Papa shkoi në kampin e refugjatëve në Dheisheh, fëmijët palestinezë e pritën në heshtje proteste, duke ngritur parrulla edhe në italisht, në të cilat flitej për “pushtim” e për “shtypje”, natyrisht, nga ana e izraelitëve. Papa nuk e injoroi mesazhin, por u tha fëmijëve: “Shikoni përpara, mos e lejoni të kaluarën t’ju ndërpresë jetën”.
Pastaj shenja e paqes e presidentit Mahmud Abas, mysliman, që mori pjesë në meshën e kremtuar nga Ati i Shenjtë në Betlehem. Në çastin e shkëmbimit të paqes, mori hov e shkoi shpejt në elter për të përqafuar Papën Françesku.
E më tej, përqafimi me presidentin izraelit, sikur të ishin dy miq të vjetër. Origjinale edhe ideja për të pikturuar shpellën e Betlehemit si sfond për elterin e meshës së kremtuar në Sheshin e Grazhdit. Në një skenë tipike për Krishtlindjen, mbretërit dijetarë ishin zëvendësuar me tre papët, që kanë shkuar për shtegtim në Tokën Shenjte: Pali VI, Gjon Pali II dhe Benedikti XVI. Leximet qenë ato të Natës së Krishtlindjes e besimtarët në shesh, në mesin e verës së Lindjes së Mesme, kënduan këngët, që zakonisht dëgjohen në meshën e 25 dhjetorit.
Episodi i fundit, ai i mantelit që fluturonte nga era. Në aeroportin e Tel Avivit, manteli i Papës nuk e linte rehat Atin e Shenjtë. Njerëzve të sigurisë dhe fratit-përkthyes që e shoqëronte, iu desh ta mbanin me dorë gjatë gjithë rrugës, që të mos i mbulonte Papës kokën.
E pas këtyre grimcave të këndshme, t’ia japim fjalën atë Lombardit, i cili flet në atmosferën e takimit të ardhshëm të lutjes ndërmjet Papës, presidentit izraelit Shimon Peresh dhe atij palestinez Mahmud Abas, që u caktua për 8 qershor, Ditën e Rrëshajve, pikërisht javën e kaluar, menjëherë pas shtegtimit të Françeskut në Tokën Shenjte:
Mendoj se akti i vogël origjinal i këtij udhëtimi, çasti i përqafimit të Papës me rabinin dhe me një personalitet mysliman, përqafimi i tre miqve, të tri feve të ndryshme para “Murit të Lotëve” ishte vërtet një shenjë e vogël, por e madhe, sepse pavarësisht nga fjalët për dialogun ndërfetar, për vështirësitë e mirëkuptimit etj. etj., kultura e takimit për të cilën flet Papa, takimi ndërmjet njerëzve, konkretisht, – njerëz që bëhen të aftë për ta kuptuar njëri-tjetrin dhe për t’u impenjuar së bashku për paqen – është rruga themelore, ajo më vendimtarja. Një takim tjetër personal, që më duket se e karakterizoi udhëtimin, ishte ai ndërmjet presidentit Peresh dhe Papës: pata përshtypjen e dy të urtëve të mëdhenj, ndërtues të paqes. Natyrisht, Papa, me autoritetin e tij si lider fetar, që fton të lutemi për paqen, është edhe njeri shumë i urtë, që e ka kaluar një pjesë të gjatë të jetës nëpër shumë situata, e shihet se vërtet dëshiron një botë më të mirë, duke vënë përvojën e tij jetësore në shërbim të së mirës së përbashkët të popujve, për të kapërcyer tensionet e ndërtuar paqen. Mënyra si foli Papa për pritjen e presidentit Peresh, në “shtëpinë” e të cilit tha se ndjehej i lumtur, më duket një kompliment i madh e një premisë e bukur edhe për takimin e ardhshëm të lutjes për paqen.
Në disa çaste Papa dukej i mallëngjyer, por edhe i lodhur. Kur tha “jo dhunës në emër të Zotit”, por edhe “kurrë më tmerri i Holokaustit”, gati mbartëte turpin e njeriut për gjithçka bën, kur jeton në errësirë të plotë…
Është e vërtetë. Papa përdori një shprehje, që më duket mjaft karakteristike, krejt e tija, kur foli për turpin. Është fjalë biblike, përdorur edhe nga profetët e lashtë, të cilët, kur flisnin për mëkatin e për peshën e tij mbi njerëzimin e mbi popullin e Izraelit, thoshin: “Turpi mbi ne, që nuk jemi të aftë të ndërtojmë paqen”. Ja pra, kjo fjalë, “turp”, në fjalimin e Papës në Yad Vashem m’u duk se nxorri në dritë këtë ndjenjë profetike shumë të fuqishme, që në disa çaste, i jep një ton veçanërisht largpamës, që na prek e na shkund.
Së fundi, Gjetsemani e pastaj Çenakulli, dy takimet e fundit të shtegtimit në Tokën Shenjtë. Papa vuri në dukje idenë e tij për një “Kishë në dalje”, Kishë që shërben, të krishterë që dëshmojnë…
Sigurisht, sepse në Çenakull u kremtua Mesha e Rrëshajve. Është pikërisht ngjarja, në të cilën Kisha, pasi merr Shpirtin e Shenjtë, bëhet misionare. Provuam gëzimin e këtij kremtimi pikërisht në vendin e zanafillës së misionit të Kishës, për virtyt të Shpirtit të Shenjtë, i cili gjallëron, shoqëron, bën të pranishëm Jezu Krishtin e ngjallur. Shpirti i Shenjtë ushqen një shpresë më të madhe se çdo formë çkurajimi për vështirësitë, që na rrethojnë. Zgjon shpresa edhe në këtë tokë, pavarësisht nga vështirësitë, që mund të kenë bashkësitë kishtare e popujt. E kumtimi se Shpirti i Shenjtë zbret për të na bërë misionarë e për të na përtërirë, për të gjallëruar Krijimin, është kumtim shprese për të gjithë!







All the contents on this site are copyrighted ©.