2014-06-01 14:24:35

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Të ngjallurit e korpit.


Përfundon sot rubrika kushtuar Katekizmit të Kishës Katolike, në 20 vjetorin e botimit. Në këtë reflektim të 42-të e të fundit, atë Dariush Kovalçik ndalet tek fjala ‘Amen’ në Bibël e në Besojmë.

Besojma përfundon me fjalën Amen. Në Bibël kjo fjalë përdoret si brohoritje miratimi ose si përgjigje, që i jepet një doksologjie a një bekimi. Katekizmi vëren se rrënja hebraike e Amen “shpreh qëndrueshmërinë, besimin, besnikërinë”(KKK, 1062).

Ameni nuk është përfundim i thjeshtë i lutjes; një përgjigje që i japim Zotit. Me Amen shpallim besnikërinë e Zotit për ne e shprehim besimin tonë në Të. Talmudi, një nga tekstet e shenjta të hebraizmit, pyetjes ‘ç’kuptim ka fjala Amen’, i përgjigjet: “Hyji, mbreti besnik”.

Amen, brohoritja përfundimtare e Besojmës, përkon me fjalët me të cilat e nisim shpalljen e fesë sonë, domethënë: “Unë besoj”. Të besosh, pra, “domethënë t’u përgjigjesh me ‘Amen’, fjalëve, premtimeve, urdhërimeve të Hyjit (KKK, 1064).

Krishti vetë është Amen, siç e lexojmë në Librin e Zbulesës: “Kështu thotë Ameni, Dëshmitari, Besniku i vërtetë” (3,14). Ai, si Zot i vërtetë, është Ameni përfundimtar i dashurisë së Atit për ne e njëkohësisht, si njeri i vërtetë, është përgjigja e plotë dhe përfundimtare, që i japim Hyjit. Mund e duhet, prandaj, ta bashkojmë Amenin tonë të papërsosur me Amenin e përkryer të Jezusit.

Gjatë bisedave tona kushtuar Besojmës, shpjeguar nga Katekizmi, reflektuam mbi 12 nenet e fesë, nga “Besoj në një Zot të vetëm”, deri tek “Besoj në jetën e pasosur”. Kështu u përpoqëm t’i përgjigjemi ftesës së Papës Benedikti XVI shprehur në letrën Porta fidei. Nxitje për ta lexuar Katekizmin, “mjet i vërtetë e mbështetje e fesë” (Porta fidei,12).

Papa i ri, Françesku, na dha Enciklikën Lumen fidei, në të cilën lexojmë se Katekizmi është mjet themelor për këtë akt unitar, me të cilin Kisha komunikon përmbajtjen e plotë të fesë, “gjithçka që është, gjithçka që beson”(n.46). Të rikthehemi, prandaj, tek katekizmi, për të mbetur në dialog me fenë tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.