2014-06-01 18:13:31

Françesku: Maria nuk na lë të presim, kur i lutemi


U kremtua dje, në Kopshtet e Vatikanit, procesioni tradicional, gjatë të cilit pjesëmarrësit iu kapën kodrës, veshur me lulishtet, ndër më të famshmet në botë, me rruzare e qirinj të ndezur në duar. Dukej sikur yjet zbrisnin ngadalë mbi tokë, këtë natë. Muzgu i praruar jehonte nga himnet dhe këngët e lashta të përshpirtshme, kushtuar Marisë, në përfundim të majit të saj, që po i lëshonte vendin qershorit të Zemrës së Krishtit.
U nis nga Kisha e lashtë e Shën Shtjefnit, procesioni, i prirë nga kardinali Anxhelo Komastri, mëkëmbës i përgjithshëm i Papës për Qytetin e Vatikanit, për të arritur, pastaj, para Shpellës së Lurdës, kopje krejt besnike e asaj të Masabielës. Këtu besimtarët u takuan me Papën Françesku që, sipas traditës, e përfundoi ritin me një meditim të shkurtër, kushtuar Ungjillit të Pasisë së Zojës.
Maria, tha Papa, shkoi ngutshëm te kushërira e saj e motuar, Elizabeta. Nuk humbi kohë! Ngarendi t’i shërbente. Është Virgjëra e gatishmërisë, vërejti, gjithnjë e gatshme për të na shtrirë dorën, kur i lutemi, kur i kërkojmë ndihmë e mbrojtje. Në shumë çaste të vështira të jetës, kur kemi nevojë për një prehër, ku të mbështesim kokën e këputur; për një zemër, që rreh njëherësh me tonën; për një dorë, që na shtrihet për të na mbajtur në këmbë, duhet të kujtohemi se ajo nuk na lë kurrë të presim; është Zoja e gatishmërisë! Ngarend përsëri. Vjen menjëherë tek ne, për të na shërbyer.
Më pas kardinali Komastri i priu lutjes drejtuar Zojës:
“Virgjër e Nënë, ti që, e frymëzuar nga Shpirti Shenjt,
e pranove Fjalën e jetës në thellësi të fesë sate të përvujtë,
ti, që iu dhurove me mish e shpirt të Amshuarit,
ndihmona ta themi ‘po’-në tonë në këto kohë,
kur duhet të nxitojmë, më shumë se kurrë
për ta bërë të kumbojë rishtas, me forcë, Lajmin e Mirë të Jezusit.
Na e nxirr hirin që shpirti të na ndizet flakë nga dëshira
për t’ua çuar të gjithëve Ungjillin e jetës,
kumtin e fitores mbi vdekjen!
Na e jep guximin shenjt të kërkojmë shtigje të reja,
që të gjithë ta marrin dhuratën e bukurisë pa perëndim.
Yll i Ungjillëzimit të ri, ndihmona të shndrisim në dëshminë e bashkimit,
të shëlbimit, të fesë së flaktë e të fisme,
të drejtësisë e të dashurisë për të varfërit,
që gëzimi i Ungjillit të arrijë deri në skajet më të largëta të tokës,
e asnjë skutë e harruar të mos mbetet pa dritë.
Nënë e Ungjillit të gjallë, ti gurrë gëzimi për të vegjëlit,
të mjeruarit, të munduarit, të shtypurit nën thundër e përdhunës:
Lutu për ne! Aleluja!Më pas Papa Françesku u dha të gjithëve bekimin e tij, duke u ndaluar për të përshëndetur disa të sëmurë. Pastaj u rikthye në Shtëpinë e Shën Martës, në sa muzgu i lëshonte vendin natës së praruar, që zbriste ngadalë mbi blerimin e dendur, qindisë me lule, të Kopshteve të Vatikanit. Si çdo vit, nata e fundit e majit la në zemra një kujtim të paharrueshëm urate, hiri e bukurie.







All the contents on this site are copyrighted ©.