Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Të vërtetat themelore të devocionit të
Marisë” par. 62, 63.
“Nanë e Virgjneshë, ti bija e tand Bir/ Mbi çdo krijesë e prujtë e madhështore/, nga
Këshilli i amshuar, cak i vendosun mirë….”. Kështu i këndon, me një frymëzim vërtetë
hyjnor, Dante Aligeri Marisë, të cilën e shikon të shkrirë me Krishtin e të denjë
për devocionin më të thellë të çdo njeriu, që dëshiron të trokasë në portën e Parrizit.
Për këtë devocion na flet sot edhe Shën Luigji Maria Grignion de Monfort përmes veprës
“Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, kapitulli “Maria ‘Në këto kohët e fundit”,
paragrafi 62. 63.
62. Nëse përcaktojmë
bazat e devocionit të Virgjërës së Shenjtnueshme, këtë e bëjmë vetëm për të përcaktuar
më përsosurisht atë të Jezu Krishtit e vetëm për të siguruar një mjet të lehtë e të
saktë për ta gjetur Jezusin. Po qe se devocioni ndaj Virgjërës Mari do të na largonte
nga Jezu Krishti, do të duhej flakur tutje, si dredhi e djallit; por është krejt e
kundërta, siç e kam treguar deri tani e do të vijoj ta tregoj në vijim: ky devocion
është i nevojshëm pikërisht për të gjetur në mënyrë sa më të plotë Jezu Krishtin,
për ta dashur dhimbsurisht e për t’i shërbyer besnikërisht.
63. Po të drejtohem
një ças ty, o i ëmbli Jezusi im, për t’iu ankuar Madhërisë sate hyjnore për faktin
se shumica e të krishterëve, duke përfshirë edhe më të mësuarit, nuk e dinë lidhjen
e nevojshme ndërmjet Teje e Nënës sate të shenjtë. Ti, o Zot, je gjithnjë me Marinë
e Maria është gjithnjë me Ty e pa Ty nuk mund të jetë; përndryshe, do të pushonte
së qeni, ajo që është; ajo është aq e shndërruar në Ty nga hiri, sa nuk jeton më,
nuk është më; ti vetëm, Jezusi im, jeton e mbretëron në të, më përsosurisht se në
të gjithë engjëjt e të lumturit. Ah! Veç të njihej lumnia e dashuria që ti gjen në
këtë krijesë të admirueshme, do të kishin pasur ndaj Teje e asaj ndjenja krejt të
tjera. Ajo është aq fort e lidhur me Ty, sa do të ishte më lehtë të ndaje dritën nga
dielli; nxehtësinë nga zjarri; e akoma, do të ishte më e lehtë të ndaje ëngjëjt e
shenjtorët nga Ti, sesa Marinë hyjnore: sepse ajo të do më përflakshëm e të lumnon
më përsosurisht se të gjitha krijesat, marrë së bashku.