2014-05-30 12:09:21

Më 8 qershor, Dita e Rrëshajve, takimi i lutjes për Lindjen e Mesme, në Vatikan


Takimi i lutjes për paqen, në të cilin Papa Françesku ftoi presidentin e Izraelit, Shimon Peresh dhe atë të Palestinës, Mahmud Abas, do të mbahet më 8 qershor, pasdite, në Vatikan. Kjo datë, Dita e Rrëshajve, kur Shpirti i Shenjtë zbriti mbi apostujt dhe shën Marinë, u pranua nga të dyja palët, siç njofton komunikata e Sallës së Shtypit të Vatikanit. Për rëndësinë e këtij takimi, të dëgjojmë Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin:RealAudioMP3
Është takim lutjeje. Papa e sheh në perspektivën e lutjes si forcë për paqen. Sigurisht, do të ketë një kuptim simbolik të madh fakti që presidenti palestinez e ai izraelit takohen së bashku. Pastaj, kemi vlerën shtesë, që është ajo e lutjes: së bashku, do të luten. Shpresojmë që aty ku kanë dështuar përpjekjet e njeriut, Zoti t’u japë të gjithëve urtinë e forcën për një plan të vërtetë paqeje, t’ua përforcojë besimin e t’i nxisë të kapërcejnë pengesat e shumta e të rënda, që edhe sot, nuk e lejojnë paqen të arrijë në Tokën Shenjte. …Nisma të tilla i impenjojnë pjesëmarrësit e lutja bëhet forcë e veprim.
Ja ç’na tha edhe përgjegjësi për mediat, gjatë udhëtimit papnor në Tokën Shenjte, atë David Neuhaus, që flet me telefon nga Jeruzalemi:
Mendoj se [takimi] është shumë i rëndësishëm. Pati një mori gazetarësh, që thanë: “Papa tani luan një rol, në të cilin Kerry (sekretari i shtetit amerikan) nuk ia doli dot! Pra, a mos Papa i zë vendin Kerry-t?”. E unë: “Jo, Papa merret me një përmasë tjetër për kërkimin e paqes”… përmasë, shpesh e harruar, por që për ne është më e rëndësishmja: lutja. Kjo është detyra e Papës! “Të dashur palestinezë e izraelitë, të qëndrojmë përballë Zotit! E provuam e nuk ia arritëm të përurojmë një periudhë dialogu. Ç’do të ndodhë nëse shkojmë para Zotit, në lutje, në heshtje, duke e pyetur veten: kush jam unë para Hyjit?”







All the contents on this site are copyrighted ©.