2014-05-29 12:53:19

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Të vërtetat themelore të devocionit të Marisë” par. 60, 61


Lartohen sytë tanë varfanjakë deri atje lart, ku është shpëtimi. E ndizen flakë shpirtrat në lutje e zemrat mbushen me gëzim, në sa lexojmë rresht pas rreshti, të vërtetën themelore mbi devocinin e Marisë, që na e mëson Shën Luigji Maria Grignion de Monfort përmes veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, kapitulli “Maria ‘Në këto kohët e fundit”, paragrafi 60.RealAudioMP3

60. Pasi thamë deri tani diçka lidhur me nevojën që kemi për devocionin e Virgjërës Gjithëshenjte, duhet shtuar ç’kuptojmë me këtë devocion; e këtë do ta bëj, me ndihmën e Hyjit, pasi të kem përmendur disa të vërteta themelore. Ato do ta ndriçojnë devocionin e madh e të patundshëm, që dëshiroj ta bëj të njohur.

E vërteta e parë
61. Jezu Krishti, Shëlbuesi ynë, Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë, duhet të jetë qëllimi i fundit i të gjitha devocioneve tona; përndryshe ato do të ishin dredharake e gënjeshtare. Jezu Krishti është alfa e omega, fillimi e mbarimi i të gjitha sendeve. Ne punojmë, siç e thotë Apostulli, vetëm për të përkryer çdo njeri në Jezu Krishtin, sepse vetëm në të gjindet Hyjnia e përsosur e të gjitha hiret, virtytet e përsosuritë; sepse vetëm në Të u bekuam me të gjitha bekimet shpirtërore; sepse Ai është mësuesi ynë i vetëm, që duhet të na mësojë, Zoti ynë i vetëm, nga i cili duhet të varemi, kreu ynë i vetëm, me të cilin duhet të bashkohemi, modeli ynë i vetëm, të cilit duhet t’i përngjasim, mjeku ynë i vetëm, që duhet të na shërojë, bariu ynë i vetëm, që duhet të na ushqejë, udha jonë e vetme, ku duhet të ecim, e vërteta ynë e vetme, në të cilën duhet të besojmë, jeta jonë e vetme, që duhet të na mbajë gjallë, gjithçkaja jonë e vetme në gjithçka, që duhet të na mjaftojë. Nuk na u dha asnjë emër tjetër nën qiell, veç emrit të Jezusit, nëpër të cilin duhet të shëlbohemi. Hyji nuk hodhi tjetër themel për shëlbimin tonë, për përsosurinë tonë e lumninë tonë, veç Jezu Krishtit; çdo ngrehinë, që nuk mbështetet mbi këtë shkëmb të patundur, i ka themelet mbi rërë të lëvizshme e do të shembet, pa asnjë dyshim, heret a vonë. Çdo besimtar, që nuk bashkohet me Të, si dega me cungën e hardhisë, do të bjerë, do të thahet e do të shërbejë vetëm për t’u flakur në zjarr. Nëse ne jemi në Jezu Krishtin e Jezu Krishti në ne, nuk kemi pse t’i druhemi asnjë dënimi; as engjëjt e qiellit, as njerëzit e tokës, as djajtë e ferrit e asnjë krijesë tjetër, nuk mund të na cënojë, sepse nuk mund të na ndajë nga dashuria e Hyjit, që është në Krishtin Jezus. Nëpër Krishtin, me Krishtin e në Krishtin, ne mund të bëjmë gjithçka: t’i japim çdo nderim e lavdi Atit, në bashkim me Shpirtin Shenjt, të përsosemi e të jemi për të afërmin parfum i jetës së pasosur.








All the contents on this site are copyrighted ©.