2014-05-29 12:53:02

Patriarku Tual kujton shtegtimin e Papës në Tokën Shenjte


Duke kujtuar, në audiencën e përgjithshme, të gjithë ipeshkvijtë e Tokës së Shenjtë, që e bënë të mundur suksesin e plotë të shtegtimit, Papa Françesku falënderoi posaçërisht Patriarkun latin, imzot Fuad Tual. Prelati, në mikrofonin tonë, tregon...RealAudioMP3

Përgjigje: - E vërteta është se unë shikoj në vetë personin e Atit të Shenjtë një mesazh për krerët fetarë: një mesazh thjeshtësie, përvujtërie. Nuk është krye që kryeson. Është aty, për të shërbyer. Më preku posaçërisht kur ishim në drekën me pesë familjet palestineze, tejet të vuajtura… Secila prej tyre tregoi historinë e vet, duke e larë me lot të valë. Para se të përfundonte dreka, Gasparri e pyeti Atin e Shenjtë nëse dëshironte të tërhiqej njëzet minuta para kohe, meqë më pas, do të shkonte për vizitë në Shpellën e Betlehemit. Më preku në zemër Ati i Shenjtë! Papa tha: këta njerëz vuajnë. E si mund t’i lë vetëm! Nuk do të largohem, do të rri me ta deri në fund të fundit. Dhe ndenji me ta, deri në çastet e fundit, parashikuar për këtë takim. Ishte i vetëdijshëm për gjendjen, për jetën tonë kaq të vështirë. Shpesh zhytej në heshtjen e meditimit e të lutjes. Është e vërtetë se nuk mendojmë në mënyrë aq foshnjarake, sa t’i presim rezultatet menjëherë pas largimit të Papës. Ai u nis i lodhur, dha me fund gjithçka mund të jipte nga vetvetja, kohën, shëndetin… Ishte dukshëm i lodhur. Por mbolli. E ne shpresojmë se kohë pas kohe, me ndihmën e Provanisë Hyjnore, çka mbolli, do të endë e do të rrisë frytet e dëshiruara si për bashkimin e dhe unitetin e të krishterëve, ashtu edhe për situatën politike, që trondit mbarë botën. Fjalimet e Papës, që të gjithë i dëgjuam e që mund t’i rilexojmë, si fjalimi drejtuar Presidentit Peresh, ashtu edhe Netanijahut, janë për t’u lexuar, sepse ai ishte i vetëdijshëm për problemet tona. Megjithatë, më duhet të kujtoj një pikë të dobët: besimtarët tanë të Jeruzalemit nuk mundën ta shikojnë!

Pyetje: - Shkëlqesi, pamë dy fytyra të vizitës: Betlehemin në kulmin e entuziazmit, e Jeruzalemin, në kulmin e blindimit nga forcat e sigurimit….

Përgjigje: - Po! Patëm më se 4 mijë besimtarë të ardhur nga Galileja, të pranishëm në Betlehem. E nga Galileja shkuan edhe në Jordani, për të marrë pjesë në Meshë. Jeruzalemi është gjithnjë i blinduar! Është e vërtetë edhe se në Jeruzalem nuk pati asnjë akt publik. Por Papa, në fjalimet tij, tha se shpreson të kthehet, për të shkuar edhe në Galile e në Nazaret. Tani kemi Sinodin e Familjes e, duke pasur parasysh se Nazareti është vendi i Konakut Shenjt, shpresojmë e lutemi të rikthehet ndër ne me këtë rast…. të gjithë e presin, e duan, dëshirojnë ta shikojnë, por jo të gjithë mund ta realizojnë këtë dëshirë. Durim! Ç’të bëjmë…

Pyetje: - Si e jetuat kremtimin ekumenik në Bazilikën e Varrit të Shenjtë?

Përgjigje: - Është një gjest ky! Nuk mjafton vullneti i mirë i Bartolomeut e i Atit të Shenjtë. Kemi shumë besimtarë. Miliona… Kemi hierarkinë greke lokale, që nuk varet nga Bartolomeu, por nga patriarkë të tjerë. Puna duhet vijuar. Nuk kemi përfunduar. Sapo kemi nisur! Kemi mbjellë, por, natyrisht, nuk mund të korrim menjëherë. Shpresojmë në stinë të ngrohta…

Pyetje: - Cilat ishin reagimet, që dëgjuat si nga pala izraelite, ashtu edhe nga ajo palestineze?

Përgjigje: - Reagimet janë të gjitha pozitive. Është çast feste e në festë të tërë janë të gëzuar….Falënderojmë Zotin! E di se në Jordani shumë famulli ortodokse, greko-ortodokse, patën bileta për Meshën në Aman; ishte ekumenizëm i vërtetë! Gjë e bukur, të paktën për besimtarët, për popullin. E kjo na ngjall shpresa. Nuk duhet të jemi pesimistë, absolutisht, por as tepër optimistë. Duhet t’i kemi këmbët të mbështetura mirë për tokë, sepse jemi ende të ndarë, ndonëse e respektojmë njëri-tjetrin, bashkëpunojmë, lutemi për unitetin e për bashkimin kishtar. Shpresojmë se miqtë tanë, edhe në Itali e në pjesën tjetër të botës, do të na ndihmojnë, duke u lutur për këtë paqe e këtë bashkim.

Pyetje: - Përsa i përket paqes e ftesës, që iu drejtua Abu Mazen e Peresh për t’u lutur në Vatikan, a besoni se Papa me këtë nismë përuroi diplomacinë e lutjes?

Përgjigje: - Lutja nuk është, sigurisht, gjë e re: Papa na ka kërkuar gjithnjë të lutemi, e edhe ne i kemi kërkuar të lutet. Duke parë se ky takim nuk mund të zhvillohej në Jeruzalem, e as në Betlehem, Ati i Shenjtë shprehu dëshirën t’ia hapë dyert e shtëpisë së tij, në Vatikan. Le të shpresojmë. Është nismë, që shpreh vullnetin e mirë të Atit të Shenjtë për paqe, për pakëz paqe e qetësi. Nismë për ne, që po dialogojmë prej 66 vjetësh, pa arritur asnjë rezultat të vërtetë. Shpresojmë se diçka do të dalë nga kjo nismë!










All the contents on this site are copyrighted ©.