2014-05-28 14:33:20

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Maria ‘Në këto kohët e fundit” par. 57, 58, 59


Na çon sot, në vegim, ndër kohët e mbrame, Shën Luigji Maria Grignion de Monfort përmes veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”. Kohë kur, shkruan Shenjti, Hyji do të nxjerrë nga gjiri i njerëzimit apostuj, të cilët do të përgatisin ardhjen e dytë të Jezu Krishtit. E, në pritje të këtyre kohëve, Maria, me mirësinë e saj të pafundme, ngarend t’i ndihmojë njerëzit, pa pritur t’ia kërkojnë këtë ndihmë. Duke i përgatitur për fundin e kohëve. Jemi në kapitullin “Maria ‘Në këto kohët e fundit”, paragrafi 57, 58, 59.RealAudioMP3

57. Do të dynden re ngarkuar me bubullima e do të shtillen në ajër në më të voglën frymë të Shpirtit Shenjt e, pa u lodhur aspak, pa u mrekulluar e pa u munduar, do të reshin shiun e Fjalës së Hyjit e të jetës së pasosur; do të bubullojnë kundër mëkatit, do të ngrejnë sa mundin zërin kundër botës, do ta dërmojnë djallin me gjithë ushakë, e do t’i shporojnë tej për tej, për jetë a vdekje, me shpatën e tyre dy tehash të Fjalës së Zotit, të gjithë ata, kundër të cilëve do të dërgohen nga ana e të Tejetlartit.

58. Do të jenë apostujt e vërtetë të kohëve të mbrame, të cilëve Zoti i virtyteve do t’u japë fjalën e forcën për të bërë mrekulli e për të sjellë plaçkën e lavdishme të betejës së fituar mbi armiqtë: do të flejnë pa ar e pa argjend e, ajo që vlen më shumë, pa shqetësime, ndërmjet meshtarëve të tjerë, kishtarëve, klerikëve; e megjithatë, do të kenë flatra ngjyrë argjendi pëllumbash, për të shkuar me ndjetet e pastra të lumnisë së Hyjit e të shëlbimit të shpirtrave, atje ku t’i thërresë Shpirti Shenjt, e do të lënë pas vetes në viset, ku do të kenë predikuar, veç arin e dashurisë së krishterë, që është përplotësimi i tërë ligjit.

59. Së fundi, do ta dimë se do të jenë dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit që, duke ecur mbi gjurmët e varfërisë, përvujtërisë, përbuzjes së botës e dashurisë, do të mësojnë udhën e ngushtë të Hyjit në vërtetësi të plotë, sipas Ungjillit Shenjt, e jo sipas parimeve të botës, pa ia vënë veshin askujt, pa kursyer askënd, pa dëgjuar e pa u trembur nga njeri i gjallë, sado i pushtetshëm qoftë. Do të kenë në gojë shpatën me dy teha të fjalës së Zotit; do të mbartin mbi shpatulla flamurin e gjakosur të Kryqit; kryqin në dorën e djathtë, Rruzaren në të majtën, emrat e shenjtë të Jezusit e të Marisë në zemër, modestinë e mundimet e Jezu Krishtit në gjithë sjelljen e tyre.
Ja, burrat e mëdhenj, që do të vijnë e që do t’i formojë Maria me urdhër të Tejetlartit, për ta shtrirë Mbretërinë e tij mbi atë të të mbrapshtëve, të idhujtarëve.... Por kur e si do të vijë kjo? … Zoti e di: ne duhet të heshtim, të lutemi, të psherëtijmë e të presim. Expectans expectavi (Ps 40, 2). (Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin).








All the contents on this site are copyrighted ©.