2014-05-28 17:30:37

Mesazhi i Papës për Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës Ndërkombëtare të Punës Guy Ryder



Papa u drejtoi këtë mesazh pjesëmarrësve në asamblenë e 103-të të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, e cila i hapi punimet sot në Gjenevë dhe përfundon më 12 qershor:

Në fillim të krijimit Hyji e bëri njeriun rojtar të veprës së vet dhe i kërkoi ta kultovojë dhe ta mbrojë atë. Puna njerëzore është pjesë e krijimit dhe vijon punën krijuese të Hyjit. Kjo e vërtetë na bën ta konsiderojmë punën edhe si dhuratë, edhe si detyrë. Për këtë arsye, puna nuk është vetëm mall, por ka dinjitetin dhe vlerën e vet. Selia e Shenjtë shpreh vlerësimin për kontributin e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, në mbrojtje të dinjitetit të punës njerëzore, në kontekstin e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik, me anë të diskutimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet qeverive, punëtorëve dhe punëdhënësve. Këto përpjekje janë në shërbim të së mirës së përbashkët të familjes njerëzore dhe mbështesin kudo dinjitetin e punëtorëve.
Konferenca mblidhet në një çast vendimtar në historinë ekonomike dhe shoqërore, plot sfida për mbarë botën. Papunësia po i zgjeron në mënyrë tragjike kufijtë e varfërisë. Është veçanërisht pikëlluese për të rinjtë e papunë, të cilët mund të demoralizohen lehtë, të humbin vetëdijen për vlerën e tyre dhe të ndjehen të përjashtuar nga shoqëria. Duke u angazhuar për t’i shtuar mundësitë e punësimit, shprehim bindjen se vetëm “në punën e lirë, krijuese, pjesëmarrse dhe solidare, qenia njerëzore shpreh dhe rrit dinjitetin e jetës së vet” (Evangelii gaudium 192)”.
Një tjetër problem, që ka lidhje me të mësipërmin dhe me të cilin bota jonë duhet të merret, është ai i emigrimit masiv: numri i madh i burrave dhe grave që janë të detyruar të kërkojnë punë larg atdheut të tyre është shqetësues në vetvete. Pavarësisht nga shpresa e tyre për një të ardhme më të mirë, shpesh herë hasin në keqkuptime dhe përjashtime, pa folur për përvojat e tragjedive dhe të kobeve. Duke u përballur me sakrifica të tilla, këta burra dhe gra shpesh herë nuk ia dalin të gjejnë punë dinjitoze dhe bëhen viktima të “globalizimit të indiferencës”. Situata e tyre i shtyn drejt rreziqeve të tjera, si tmerri i tregtisë së qenieve njerëzore, puna e detyruar dhe rënia në skllavëri. Është e papranueshme që në botën tonë puna e skllevërve të kthehet në para të thata. Kjo nuk mund të vijojë! Tregtia e qenieve njerëzore është plagë, krim kundër tërë njerëzimit. Ka ardhur çasti për t’i bashkuar forcat, për të bashkëpunuar për çlirimin e viktimave të këtyre trafiqeve dhe për të çrrënjosur këtë krim, që na godet të gjithë ne, që nga familjet e veçanta deri tek bashkësia botërore.
Ka ardhur çasti edhe për të forcuar format ekzistuese të bashkëpunimit dhe për të caktuar rrugët e reja të rritjes së solidaritetit. Kjo gjë kërkon: një angazhim të ri në të mirë të dinjitetit të çdo njeriu; realizimin me më vendosmëri të standardeve ndërkombëtare mbi punën; planifikimin për një zhvillim që ka në qendër të vëmendjes njeriun si protagonistin dhe përfituesin kryesor; një vlerësim të ri të përgjegjësive të shoqërive shumëkombëshe në vendet ku veprojnë, duke përfshirë sektorët e administrimit të përfitimit dhe të investimit; përpjekjen e përbashkët për t’i inkurajuar qeveritë në lehtësimin e zhvendosjeve të emigrantëve, në të mirë të të gjithëve, duke zhdukur tregtinë e qenieve njerëzore dhe kushtet e rrezikshme të udhëtimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.