2014-05-27 13:02:58

Atë Lombardi: Papa Françesku solli shpresë për të gjithë


Dita e fundit e Papës Françesku në Tokën Shenjte qe e pasur me mesazhe e me gjeste të rëndësishme. Takimi me botën myslimane, me atë hebraike e me presidentin izraelit, por sidomos çastet e kaluara me bashkësinë e krishterë në Gjetsemani e në Çenakul, në lutje. Për një koment mbi këtë udhëtim historik, ftuam në mikrofonin tonë, drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, pikërisht sapo kishte përfunduar shtegtimi i Papës. Prandaj, na flet me telefon nga Toka Shenjte:
Sigurisht, paradite, takimi me Islamin, takimi me Hebraizmin dhe me Shtetin e Izraelit ishin veçanërisht domethënës e në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare. Mendoj se akti i vogël origjinal i këtij udhëtimi, çasti i përqafimit të Papës me rabinin dhe me një personalitet mysliman, përqafimi i tre miqve, të tri feve të ndryshme para “Murit të Lotëve” ishte vërtet një shenjë e vogël, por e madhe, sepse pavarësisht nga fjalët për dialogun ndërfetar, për vështirësitë e mirëkuptimit etj. etj., kultura e takimit për të cilën flet Papa, takimi ndërmjet njerëzve, konkretisht, – njerëz që bëhen të aftë për ta kuptuar njëri-tjetrin dhe për t’u impenjuar së bashku për paqen – është rruga themelore, ajo më vendimtarja. Një takim tjetër personal, që më duket se e karakterizoi paraditen e djeshme, ishte ai ndërmjet presidentit Peresh dhe Papës: pata përshtypjen e dy të urtëve të mëdhenj, ndërtues të paqes. Natyrisht, Papa, me autoritetin e tij si lider fetar, që fton të lutemi për paqen, është edhe njeri shumë i urtë, që e ka kaluar një pjesë të gjatë të jetës nëpër shumë situata, e shihet se vërtet dëshiron një botë më të mirë, duke vënë përvojën e tij jetësore në shërbim të së mirës së përbashkët të popujve, për të kapërcyer tensionet e ndërtuar paqen. Mënyra si foli Papa për pritjen e presidentit Peresh, në “shtëpinë” e të cilit tha se ndjehej i lumtur, më duket një kompliment i madh e një premisë e bukur edhe për takimin e ardhshëm të lutjes për paqen, që në thelb, u konfirmua nga të ftuarit e që shpresojmë të realizohet së shpejti në Vatikan.
Në disa çaste Papa dukej i mallëngjyer, por edhe i lodhur. Kur tha “jo dhunës në emër të Zotit”, por edhe “kurrë më tmerri i Holokaustit”, gati mbartëte turpin e njeriut për gjithçka bën, kur jeton në errësirë të plotë…
Është e vërtetë. Papa përdori një shprehje, që më duket mjaft karakteristike, krejt e tija, kur foli për turpin. Është fjalë biblike, përdorur edhe nga profetët e lashtë, të cilët, kur flisnin për mëkatin e për peshën e tij mbi njerëzimin e mbi popullin e Izraelit, thoshin: “Turpi mbi ne, që nuk jemi të aftë të ndërtojmë paqen”. Ja pra, kjo fjalë, “turp”, në fjalimin e Papës në Yad Vashem m’u duk se nxorri në dritë këtë ndjenjë profetike shumë të fuqishme, që në disa çaste, i jep një ton veçanërisht largpamës, që na prek e na shkund.
Së fundi, Gjetsemani e pastaj Çenakulli, dy takimet e fundit të shtegtimit në Tokën Shenjtë. Papa vuri në dukje idenë e tij për një “Kishë në dalje”, Kishë që shërben, të krishterë që dëshmojnë…
Sigurisht, sepse në Çenakull u kremtua Mesha e Rrëshajve. Është pikërisht ngjarja, në të cilën Kisha, pasi merr Shpirtin e Shenjtë, bëhet misionare. Provuam gëzimin e këtij kremtimi pikërisht në vendin e zanafillës së misionit të Kishës, për virtyt të Shpirtit të Shenjtë, i cili gjallëron, shoqëron, bën të pranishëm Jezu Krishtin e ngjallur. Shpirti i Shenjtë ushqen një shpresë më të madhe se çdo formë çkurajimi për vështirësitë, që na rrethojnë. Zgjon shpresa edhe në këtë tokë, pavarësisht nga vështirësitë, që mund të kenë bashkësitë kishtare e popujt. E kumtimi se Shpirti i Shenjtë zbret për të na bërë misionarë e për të na përtërirë, për të gjallëruar Krijimin, është kumtim shprese për të gjithë!








All the contents on this site are copyrighted ©.