2014-05-26 11:42:18

“Muri i Lotëve” në Jeruzalem


Muri Perëndimor (në gjuhën hebraike HaKotel HaMa'aravi), ose thjeshtë Kotel, është mur rrethues i Tempullit të parë të Jeruzalemit, i ruajtur deri në ditë tona. Njihet edhe si ‘Muri i Lotëve” ose si ‘Muri al-Buraq’. Tempulli ishte ndërtesa më e shenjtë e hebraizmit. Herodi i Madh ndërtoi mure të forta rreth Malit Moriah, duke e zgjeruar sheshin e vogël mbi të cilin qenë ndërtuar si Tempulli i parë, ashtu edhe i dyti, në majën e Malit të Tempullit.
Tempulli i parë, ai i Salomonit, i ndërtuar rreth shekullit X para Krishtit, u shkatërrua nga babilonezët në vitin 586, gjithnjë para Krishtit. Tempulli i dytë u rrënua nga Perandoria romake në vitin 70 pas Krishtit, si rezultat i luftës judaiko-romake. Që të dy qëndruan në këmbë për një periudhë prej 400 vjetësh.
Sipas gojëdhënës, kur legjionet e Titit e dërmuan Tempullin, muri rrethues perëndimor i oborrit të brendshëm mbeti në këmbë, pjesërisht i dukshëm e pjesërisht i mbuluar nga rrënojat e mureve të tjera. Thuhet se Titi e la në këmbë, si relikt tragjik, që do t’u kujtonte hebrenjve në shekuj shpartallimin nga Romakët. Ndërsa hebrenjtë e shikojnë këtë pjesë të murit si simbol i premtimit të Zotit për t’i lënë në këmbë disa pjesë të shenjta të Tempullit, në kujtim të besëlidhjes së pathyeshme me popullin hebraik, pavarësisht nga gjëma që i ra mbi kokë.
Hebrenjtë luten këtu që prej dymijë vjetësh, duke i parë rrënojat e lashta si vendin më të shenjtë mbi faqe të dheut.
E jo më pak të krishterët, feja e të cilëve lidhet ngushtë me Besëlidhjen e Vjetër, e edhe myslimanët, që e mbajnë Salomonin si Profetin e tyre.
E po këtu lindën tradita të shumta, ndër të cilat, zakoni për të vënë ndërmjet plasave të gurëve viganë copa të vogla letrash me lutje të zjarrta drejtuar Zotit për rikthimin e të gjithë hebrenjve mërgimtarë në dheun e Izraelit, për rindërtimin e Tempullit (të tretë), për ardhjen e epokës mesianike e, me të, të mesisë (hebrarisht Mashiach) së hebrenjve.







All the contents on this site are copyrighted ©.