Kupola e Shkëmbit (Qubbet As Sakhra, në arabisht) është monumenti më i lashtë islamik
në Tokën Shenjte. Xhamia e parë, e ndërtuar në vitin 640, u zëvendësua në vitin 687
nga vendi aktual i kultit, me bukuri të pakrahasueshme. Në shekullin XII shndërrohet
nga kryqtarët në kishë me emrin Templum Domini, e prej këndej e ka origjinën urdhëri
kavaleresk i Templarëve. Tempulli i kthehet kultit mysliman me Salahedinin, në vitin
1187. Ndërtesa është tetëkëndëshe; të gjitha anët kanë dekorime të çmuara, pjesa e
fundit në mermer shumëngjyrësh, maja me pllaka majolike arabeske. Materiali i ndërtimit
vjen nga shtëpi e kisha të mëparshme, bizantine dhe romake. Brenda, xhamia është e
pasur me piktura e fraza të Kuranit, shkruar me ar, pas pasqyrime të natyrës, pasi
Islami është ikonathyerës. Dyshemeje, me pllaka meremeri, mbulhet nga tapete të çmuara
persiane. Në qendër të ndërtesës ngrihet Shkëmbi i Shenjtë, mbi të cilin është lutur
Muhameti para se të ndërmerrte udhëtimin e tij drejt Qiellit, e mbi të cilin do të
bien trumpetat në Ditën e Gjykimit të Mbramë. Kupola që mbulon Shkëmbin nga sipër
mbahet nga 12 kolona të gjata, prej mermeri shumëngjyrësh. E formuar nga dy qemerë
druri të vendosura njëra mbi tjetrën, kupola është e veshur nga jashtë me alumin të
larë me ar. U la me ar në vitet ’90 nga mbreti jordanez Hussein. Brenda, tavani është
i veshur krejtësisht me një mozaik me sfond të artë.