Etërit francezë augustinianë të të Ngjiturit të Zojës në Qiell (asuncionistë) filluan
në vitin 1884 ndërtimin e Qendrës “Zoja e Bekuar e Francës”, që të ndihmonin shtegtarët
francezë në Tokën Shenjte. Terreni prej 4 mijë metrash katrore u pat blerë nga konti
i Pielasë dhe dhurimet e paratë e besimtarëve e të shtegtarëve bënë të mundur që të
ndërtohej një strehë për ta në vitin 1888. Gjatë Kongresit Eukaristik Botëror të Jeruzalemit
(1893) u vendos guri i parë i kapelës dhe ndërtesa përfundoi në vitin 1904. Gjatë
konfliktit të parë arabo-izraelit, në vitin 1948, ndërtesa u dëmtua seriozisht nga
shpërthimi i dy minave dhe u bë pikë vëzhgimi izraelite në linjën “no man’s land”;
ana e kundërt dhe shtëpitë e oborrit u kthyen në strehë për izraelitët pa shtëpi.
Shtegtarët ishin të paktë e për të përballuar shpenzimet, asuncionistët shitën pronën.
Në vitin 1973, Papa Pali VI vendosi shndërrimin në Qendër Ndërkombëtare të Selisë
së Shenjtë në favor të shtegtarëve, duke e zgjeruar edhe me seksione për promovimin
kulturor dhe profesional. Gjon Pali II e ktheu Qendrën në Institut papnor me emrin
“Zoja e Qendrës së Jeruzalemit”, më 13 dhjetor 1978(Statuti u miratua më 2 shkurt
1981). Qendra konsiderohet “vend i shenjtë ekumenik” dhe është prelaturë territoriale,
ku prelati është Delegati Apostolik në Jeruzalem dhe në Palestinë. Qendra disponon
144 dhoma, 2 salla për mbledhje dhe një auditorium me 500 vende, ku u mbajt sot takimi
me organizatat për dialogun ndërfetar. Administrimi i Institutit, që gëzon të drejta
extra-territoriale, i është besuar nga Papa Gjon Pali II Legjionarëve të Krishtit,
përmes Motu Proprio “Në Vazhdim” (26 nëntor 2004). Prelati territorial është Nunci
apostolik në Izrael, imzot Antonio Franko. I ngarkuari i Selisë së Shenjtë për Qendrën
është atë Solana Rivera Huan Maria, i Legjionarëve të Krishtit, i cili është edhe
Atashe Kulturor pranë Delegacionit Apostolik në Jeruzalem dhe Palestinë (www.notredamecenter.org).