2014-05-25 12:46:46

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Maria ‘Në këto kohët e fundit” par. 51, 52, 53


Në paragafet 51-52-53 të veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, kapitulli “Maria ‘Në këto kohët e fundit”, Shën Luigji Maria Grignion de Monfort shpalos para syve tanë betejën kozmike ndërmjet bijve të Marisë, domethënë të Krishtit, nga njëra anë, e të djallit dhe hordhive të tij, nga ana tjetër. Nëna e Zotit e gjarpëri i moçëm ndeshen për jetë a vdekje, e me ta, ne të gjithë! Në këtë betejë, asnjë nuk mund të jetë asnjanës. O Me Marinë, domethënë me Krishtin, o me mamonën, domethënë me djallin. Maria lëshon kushtrimin, na thërret nën armët e saj, nësa djalli shpërthen persekutime të tmerrshme, që i shohim, i prekim, në mos po edhe i jetojmë a i jetuam të gjithë.

51. E posaçërisht në këto persekutime të fundme, mizore të djallit, që shtohen ditë për ditë, deri në mbretërinë e Antikrishtit, duhet të vihet në jetë parafolja e parë dhe mallkimi i parë i Hyjit, shqiptuar në parajsën tokësore kundër gjarpërit. Ia vlen ta shpjegojmë këtu, për lumni të Virgjërës së Shenjtnueshme, për shëlbimin e bijve e pështjellimin e djallit.
“Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas, farës sate e farës së saj, fara e saj do të ta ndrydhë kokën, kurse ti do t’ia sulmosh thembrën” (Zan 3,15).

52. Hyji përftoi e formoi një armiqësi të vetme, por të papajtueshme, që do të zgjasë, madje do të bëhet gjithnjë më e madhe, deri në fund të fundit: atë ndërmjet Marisë, Nënës së Tij të denjë, e djallit, ndërmjet bijve e shërbëtorëve të Virgjërës së Shenjtë e bijve dhe ushakëve të Luciferrit; e kështu armikja më tmerrshme e djallit, që krijoi Hyji, është Maria, Nëna e Tij e shenjtë. Që nga parajsa tokësore, kur ishte akoma vetëm në mendjen e tij, Ai e mbushi me urrejtje të thellë kundër këtij armiku të mallkuar të Hyjit, me aftësi të shumta për ta zbuluar ligësinë e gjarpërit të moçëm, me forcë të madhe për ta mundur, për ta shtruar përdhe e për t’ia shtypur kokën këtij të patënzoni krenar, që e ka frikë jo vetëm më shumë se të gjithë engjëjt e njerëzit, por, në një farë kuptimi, edhe më shumë se vetë Hyjin. E jo sepse zemërimi, mëria e pushteti i Hyjit nuk janë pambarimisht më të mëdha sesa të Virgjërës tejet shenjte, mbasi përsosuria e Marisë është e kufizuar; por, në rend të parë, sepse Shejtani, duke qenë krenar, vuan pafundësisht më shumë, kur e shikon veten të mundur nga një shërbëtore e vogël, e përvuajtur e Hyjit, e përvujtëria e saj e poshtëron edhe më tepër, sesa forca hyjnore; e, në rend të dytë, sepse Hyji i dha Marisë një pushtet aq të madh kundër djajve, sa ata, siç u detyruan shpesh ta rrëfejnë, krejt pa dashur, nëpër gojën e ndonjë të pushtuari prej tyre, tremben më shumë nga një psherëtimë e saj për ndonjë shpirt, sesa nga lutjet e të gjithë shenjtorëve, e nga një kërcënim i vetëm i saj kundër tyre, sesa nga të gjitha sfilitjet e tjera.

53. Çka Luciferri e humbi me kreni, Maria e fitoi me përvujtëri; çka Eva e dënoi dhe e humbi me mosbindje, Maria e shpëtoi me bindje; Eva, duke iu bindur gjarpërit, humbi veten e gjithë bijtë e saj e ia dorëzoi zvarranikut; Maria, duke qenë përsosurisht besnike ndaj Hyjit, shpëtoi veten e gjithë bijtë e shërbëtorët e saj, e ia kushtoi Madhërisë së Tij!








All the contents on this site are copyrighted ©.