Papa në Tel Aviv: “Rrugëzgjidhja e dy shteteve të bëhet realitet e të mos mbetet ëndërr”.
Dënim, atentatit në Belgjikë!
Pasi i drejtoi përshëndetjen e lamtumirës Palestinës, Papa u nis për në Tel Aviv,
ku arriti rreth orës 16.00. Për ta pritur, në Aeroportin Ben Gourion, kishin dalë
Presidenti Shimon Peres dhe kryeministri Beniamin Netanijahu, që i uruan Atit të Shenjtë
mirëseardhjen. Duke iu përgjigjur përshëndetjes, Papa theksoi karakterin e shtegtimit
e të vizitës në këtë vend me histori mijëravjeçare, djep i lindjes së tri feve monoteiste:
Hebraizmit, Kristianizmit e Islamit:“Njëzet vjet lidhje
diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Izraelit, kontribuan për krijimin e marrëdhënieve
të mira e të përzemërta, që vijojnë të zhvillohen”. Pastaj, shikimi i Papës
u përqendrua tek Jeruzalemi, qytet me vlerë universale, emri i të cilit ka kuptimin
“Qytet i paqes”. Po realiteti nuk është aspak paqësor. Prej këndej Papa bëri thirrje
të shumëfishohen përpjekjet për të arritur në zgjidhjen e drejtë, afatgjatë e të qëndrueshme
të konflikteve, që izraelitët dhe palestinezët të mund të jetojnë në paqe. Papa
Françesku përsëriti thirrjen e Benediktit XVI: “Të pranohet universalisht se
Shteti i Izraelit ka të drejtë të ekzistojë e të gëzojë paqe e siguri brenda kufijve
të tij. E po kështu, të pranohet edhe se Populli palestinez ka të drejtë të ketë një
atdhe sovran, të jetojë me dinjitet e të qarkullojë lirisht. Rrugëzgjidhja e dy shteteve
të bëhet realitet e të mos mbetet ëndërr”. Yad Vashemi, pastaj, në fjalën
e Papës, që do ta vizitojë nesër këtë monument tragjik, i cili vijon t’i kujtojë botës
6 milionë hebrenjtë e shfarosur nga nazistët. Është simbol, vijoi Papa. Tregon se
deri ku mund të arrijë ligësia e njeriut, e ushqyer nga ideologjitë, kur harron dinjitetin
themelor të çdo njeriu, që kërkon respekt absolut, pavarësisht nga Kombi të cilit
i përket e feja, që praktikon. Duke kujtuar këtë të kaluar, Papa kërkoi të promovohet
një edukim, ku përjashtimi e ndeshja i lëshojnë udhën pranimit e takimit e ku nuk
ka vend për antisemitizëm e intolerancë kundër njerëzve e popujve: “Me zemër
thellësisht të trishtuar mendoj për ata, që humbën jetën në atentatin mizor, dje,
në Bruksel. Duke e dënuar përsëri ashpërsisht këtë akt kriminal, që shpreh urrejtjen
antisemite, ia besoj Hyjit të mëshirshëm viktimat dhe lutem për shërimin e të plagosurve”. Koha
e shkurtër e shtegtimit, tha në vijim Papa, nuk më krijon mundësi t’u shpreh afërsinë
të gjithëve, e posaçërisht atyre, që jetojnë në Nazaret e në Galile, ku janë të pranishme
shumë bashkësi të krishtera. Së fundi Françesku inkurajoi ipeshkvijtë dhe besimtarët
e krishterë që, me dëshminë ungjillore, të ngjallin kudo frymën e pajtimit e të faljes.
Kujtojmë se Papa arriti në Izrael me shkopin e shtegtarit, 50 vjet pas shtegtimit
historik të Palit VI. Që asokohe kanë ndryshuar shumë gjëra e sot Selia e Shenjtë
dhe Izraeli kanë marrëdhënie të mira, siç e dëshmojnë dy Marrëveshjet e nënshkruara
e të ratifikuara, si dhe e treta, në përfundim e sipër. Françesku e përshëndeti
mbarë popullin e Izraelit, duke i uruar paqe e përparim e duke kujtuar posaçërisht
Jeruzalemin: “Paqja e prosperiteti zbritshin begatisht mbi Jeruzalemin, Qytetin
e paqes, e mbi gjithë Izraelin. Hyji e bekoftë popullin e tij me paqe! Shalom!” .
Dita
e sotme po i afrohet kulmit. Papa është në Delegacionin Apostolik në Jeruzalem, ku
po takohet me Patrikun Ekumenik të Kostandinopojës. Pas shkëmbimit të dhuratave dhe
çasteve të bisedës private, nënshkrimi i Deklaratës së përbashkët. Pastaj, vizita
tek Varri i Shenjtë i Krishtit, ku Françesku do të nisë kremtimin ekumenik përkrah
me Bartolomeun I. Historik, ky kremtim, që na kujton atë të Palit VI me Patriarkun
Atenagora, 50 vjet më parë, çastin e rrokjes së dy burrave, simbol i rrokjes së miliona
të krishterëve në të katër anët e botës. Miliona, që e shikojnë Deklaratën e përbashkët
të Françeskut e Bartolomeut, si një hap të ri në rrugën e bashkimit.Zbritja tek Varri
i Krishtit e vizita në Malin e Kalvarit, ku Zoti ynë Jezu Krishti u kryqëzua e vdiq,
për t’u ngjallur përsëri, duket sikur i hapin një shteg të ri udhës së gjatë ekumenike,
shteg-ugur, që të gjithë të krishterët të jenë një, ashtu si dëshiron t’i shikojë
vetë Zoti.