2014-05-25 15:13:21

Papa Françesku përshëndeti fëmijët e kampeve të refugjatëve në Betlehem


Pasditja e Papës, pas drekës me pesë familje palestineze, vazhdoi me vizitën private në Shpellën e Lindjes së Krishtit, në kriptën e Bazilikës. Shkallët, në të dyja anët e korit të Bazilikës, çojnë drejt kriptës, ku ndodhet Elteri i Lindjes së Krishtit, poshtë të cilit, në një yll argjendi shkruhet në latinisht: “Hic de Virgine Maria Jesus Christus natus est” (Këtu është lindur Krishti nga Virgjëra Mari). Kripta ndriçohet nga 53 llampa, prej të cilave, 9 u takojnë të krishterëve latinë. Papa Françesku u lut në kriptë e më pas shkoi drejt Qendrës Phoenix, ku zhvillohen veprimtari të ndryshme për refugjatët e kampit Dheisheh. Aty u takua me fëmijët refugjatë nga ky kamp, por edhe nga kampet e Aidasë dhe të Beit Xhibrinit, të krishterë e myslimanë.
“Ecni gjithnjë përpara”, u tha Papa Françesku, fëmijëve që e pritën me këngë, por edhe me parrulla ku shkruhej “Të krishterët e myslimanët jetojnë nën pushtim”. Vërtet, kampi i Dheishehut është hapur para 60 vjetësh për refugjatët palestinezë të Luftës me izraelitët në vitin 1948. Një djalë, iu drejtua Atit të Shenjtë në arabisht e në italisht:
“Duam t’i themi botës mjaft me vuajtje e poshtërime. Unë nuk e kam parë kurrë detin”. I kërkoi Atit të Shenjtë të lutet për ta, që janë jetimë ose bij prindërish në burg, ose të plagosur në konflikte. “Në Bibël, tha djaloshi me zjarr, shkruhet paqe, por këtu nuk ka aspak paqe”.
E Papa i tha se i kupton, por duhet të ecin përpara. “Mos lejoni – theksoi Ati i Shenjtë pa letër – që e kaluara t’ju ndërpresë jetën… ta dini se mbi dhunën nuk mundet të fitohet me dhunë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.