2014-05-25 13:54:58

Papa, në meshën e Betlehemit, ku lindi Jezusi: ndërsa shpallet me bujë kujdesi për të miturit, tregtohen armë


Sheshi i Grazhdit e Betlehemi janë vende të rëndësishme për të gjitha fetë monoteiste, por për të krishterët, ky është vendi ku lindi Krishti, shenja e Zotit për ata që prisnin shëlbimin, shenja e pranisë së Tij në botë. “Ç'hir – tha Papa – të kremtosh Eukaristinë pranë vendit ku lindi Jezusi!”, foshnjë, që i solli njerëzimit shpëtimin. Prandaj, homelia e Papës u përqendrua tek fëmijët e tek gjendja e tyre në shoqërinë e sotme.RealAudioMP3
“Edhe sot, fëmijët janë shenjë. Shenjë shprese, shenjë jete, por edhe shenja për të diagnostikuar, për të kuptuar gjendjen shëndetësore të familjes, të shoqërisë, të botës mbarë. Kur fëmijët pranohen, që kur janë në barkun e nënës, kur duhen, ruhen, mbrohen, familja është e shëndoshë, shoqëria përmirësohet, bota bëhet më njerëzore”.
Papa Françesku e pati theksuar që para nisjes se shtegtimi i tij do të kishte karakter thjesht fetar, por gjestet e fjalët e Atit të Shenjtë nuk mund të mos merrnin ngjyrime politike, nuk mund të mos u flisnin ndërgjegjeve për problemet e kësaj bote. Para se të fliste për fëmijët, menjëherë pas takimit me autoritetet palestineze, gjatë udhës për në Bazilikën e Lindjes së Krishtit, Papa ndaloi makinën për t’u lutur para murit, që ndan Betlehemin nga Izraeli, mur i gjatë 360 km, që konsiderohet nga OKB-ja pengesë për arritjen e paqes izraelito-palestineze.
Por të kthehemi në meshën e kremtuar në Sheshin e Grazhdit, në një elter, ku ishte e pranishme historia. Në një pëlhurë gjigante, lindja e Krishtit, ndërsa në mesin e njerëzve që vinin për ta adhuruar Foshnjën Hyjnore, edhe Papa Pali VI, shën Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, të cilët kanë udhëtuar para Françeskut drejt Tokës Shenjte. 10 mijë besimtarëve, të mbledhur në shesh, Papa u theksoi se në botën tonë, e cila ka teknologjitë më të sofistikuara, shumë fëmijë jetojnë në kushte çnjerëzore, të mënjanuar nga shoqëria, në periferitë e qyteteve të mëdha, ose në zonat rurale:
“Akoma sot, shumë fëmijë shfrytëzohen, keqtrajtohen, skllavërohen, bëhen objekt dhune e trafikësh të paligjshëm, refugjatë, të shpërngulur, nganjëherë mbyten në det, sidomos në ujrat e Mesdheut. Për gjithë këto, na vjen turp sot para Zotit, para Hyjit që u bë Foshnjë”.
Kush jemi ne para Krishtit Fëmijë, para fëmijëve të sotëm? – pyeti Papa Françesku. Jemi si Maria e Jozefi, që e mirëpresin Jezusin dhe kujdesen për të me dashuri amnore e atërore? Apo jemi si Herodi, që dëshiron ta zhdukë? Jemi si barinjtë, që shkojnë shpejt për ta adhuruar e i ofrojnë dhuratat e tyre të përvuajtura? Apo indiferentë? Jemi ndoshta njerëz, që e shfrytëzojnë imazhin e fëmijëve të varfër për qëllime fitimi? Apo të aftë t’u qëndrojmë pranë, të “humbim kohë” me ta? A dimë t’i dëgjojmë, t’i mbrojmë, të lutemi për ta e me ta? Apo i lemë pas dore, për t’u marrë me interesat tona? “Kjo është për ju shenja”… thotë Zoti në Ungjill, kur lindi Jezusi. E ndoshta ai fëmijë qan, ka uri, ka ftohtë e do të rrijë në krah, krahasoi Papa gjendjen e Foshnjës Hyjnore me fëmijët e sotëm:
“Edhe sot fëmijët qajnë, derdhin shumë lot e vaji i tyre na përket. Në një botë, e cila çdo ditë hedh tonelata me ushqime e ilaçe, ka fëmijë, që u shkojnë kot lotët për shkak të urisë e të sëmundjeve, që mund të kurohen lehtësisht. Në një kohë, që shpall me bujë kujdesin për të miturit, tregtohen armë, të cilat përfundojnë në duart e fëmijëve-ushtarë; tregtohen prodhime të realizuara nga punëtorë të vegjël – skllevër”.
Nga kjo “diagnozë”, përfundoi Papa, mund të lindë një stil i ri jete, ku marrëdhëniet të mos karakterizohen më nga konflikti, nga shpërdorimi, nga konsumizmi, por të jenë marrëdhënie vëllazërimi, faljeje e pajtimi, bashkëjetese dhe dashurie.
Patriarku latin i Jeruzalemit Fuad Tval e përshëndeti Papën Françesku e kujtoi sa e sa fëmijë pa shtëpi, pa prindër, të destinuar të rriten në kampet e refugjatëve, ndërsa paqja nuk arrin të shembë muret e frikës e të mosbesimit:
“Në gjurmët e Foshnjës Hyjnore, të rinjtë tanë kanë provuar emigracionin, urinë, të ftohtin e shpesh edhe shkatërrimin e shtëpive”.
Pikërisht për këto probleme, Papa Françesku foli gjatë drekës me pesë familje palestineze. Në Betlehem, që do të thotë në hebraisht “Shtëpia e bukës”, Ati i Shenjtë ndau me këtë popull, bukën e vuajtjes së tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.