2014-05-25 14:41:57

Papa, autoriteteve palestineze: shpatat të shndërrohen në parmenda


Ka ardhur koha të kemi guximin e paqes. Siç e thamë më parë, Papa Françesku shtegton në Tokën Shenjte me synime thjesht fetare, por gjestet e tij marrin edhe vlerë politike. U ndje kjo edhe në takimin me autoritetet palestineze, veçanërisht me presidentin Mahmud Abas, sot në mëngjes, sapo Ati i Shenjtë shkeli në Betlehem, në Shtetin Palestinez. “Shpatat të shndërrohen në parmenda, që kjo Tokë të lulëzojë sërish në begati e harmoni”, tha Papa gjatë ceremonisë së mirëseardhjes në Pallatin Presidencial. Françesku foli për të ardhmen, e cila nuk mbetet utopi, nëse njerëzit do të kenë “guxim” – fjalë kyçe kjo për Papën. E Ati i Shenjtë numëroi plagët e shumta të konflikteve në Lindjen e Mesme: moskuptimi, pasiguria, mohimi i të drejtave, izolimi, ndarja. Gjendje e padurueshme:RealAudioMP3
“Ka ardhur koha për të gjithë të kenë guximin e bujarisë, të krijimtarisë në shërbim të së mirës, guximin e paqes, që bazohet në njohjen, nga të gjithë, të së drejtës së dy shteteve për të ekzistuar dhe për të gëzuar paqen e sigurinë, brenda kufijve të njohura botërisht”.
Guxim, e ngriti zërin Papa Françesku, që të gjithë të mos ndërmarrin nisma apo veprime, të cilat pengojnë arritjen e marrëveshjeve ndërmjet izraelitëve e palestinezëve. Ekzistenca e dy shteteve, tha Ati i Shenjtë, na jep një kuadër të qëndrueshëm referimi për të diskutuar e zgjidhur problemet e tjera e për të ofruar kështu, mundësinë e zhvillimit të ekuilibruar, i cili mund të jetë model për zona të tjera në krizë:
“Paqja do të sjellë edhe përfitime të panumërta për popujt e këtij rajoni e për botën mbarë. Prandaj, duhet të ecim me vendosmëri drejt saj, edhe duke hequr dorë, secili nga diçka. U uroj popujve izraelitë e palestinezë, si edhe autoriteteve përkatëse, të nisin këtë eksod të lumtur drejt paqes, me atë guxim e vendosmëri, që kërkon çdo eksod”.
Papa nënvizoi kontributin e rëndësishëm që sjell bashkësia e krishterë vendore për gjithë shoqërinë:
“Të krishterët dëshirojnë të luajnë edhe më tej këtë rol, si qytetarë me të drejta të plota, së bashku me bashkëqytetarët e tjerë, që i konsiderojnë vëllezër”.
Ati i Shenjtë foli më pas edhe për marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Palestinës, duke vënë në dukje punën për hartimin e një Marrëveshjeje ndërmjet palëve, që ka të bëjë me aspektet e ndryshme të jetës së bashkësisë katolike në vend. Veçanërisht, do t’i kushtohet kujdes lirisë fetare:
“Respektimi i kësaj së drejte themelore të njeriut është një nga kushtet e domosdoshme të paqes, vëllazërimit dhe harmonisë; i thotë botës se e ka për detyrë dhe se është e mundur të gjejë një marrëveshje ndërmjet kulturave dhe feve të ndryshme; dëshmon se gjërat e përbashkëta janë kaq shumë e kaq të rëndësishme, sa është e mundur të gjendet një rrugë bashkëjetese, e qetë, e rregullt dhe paqësore, duke pranuar ndryshimet, me gëzimin se jemi vëllezër, pasi bij të të njëjtit Zot”.
Nga ana e tij, presidenti palestinez shprehu mirënjohjen për vizitën e Papës dhe për kujdesin e tij ndaj popullit palestinez. Mahmud Abas pranoi ndikimin e madh të Françeskut mbi bashkësinë ndërkombëtare dhe uroi që, me ndihmën e Papës, të arrihet një paqe e qëndrueshme dhe e gjatë për popujt e Lindjes së Mesme.








All the contents on this site are copyrighted ©.