2014-05-25 18:22:49

Jerusalemi


Yerushalaym”(themeluar nga Zoti Shalem, në hebraishte “Al-Quds”: Vend i Shenjtë, emër arab, pas pushtimit islamik), ngrihet 770 metra mbi nivelin e detit Mesdhe e 1.165 metra mbi Detin e Vdekur. I shtrirë mbi dy kodra, qyteti i lashtë, mbyllur brenda mureve të ndërtuara më 1542, ruan kujtime të shenjta e monumente të rëndësishme të Besëlidhjes së Vjetër e të Re: Tempullin e parë, Kullën e Davidit, Udhën e Dhimbshme të Kryqit, Kapelën që të kujton rrahjen e Krishtit me kamzhik, Varrin e Shenjtë, Kishën e Fjetjes së Zojës së Bekuar, etj. etj. Ndahet në katër lagje kryesore: lagjja hebraike, ajo e krishterë, armene e islamike. Lagjja hebraike (juglindje) shtrihet në Qytetin e Epërm të kohës së Herodit; atje mund të soditet Kulla izraelite dhe Muri Perëndimor (i njohur si ‘Muri i Lotëve’).
Lagjja e krishterë zë pjesën perëndimore të qytetit. Ndërmjet monumenteve më të rëndësishme, kujtojmë Bazilikën e Varrit të Shenjtë, Kishën e Shën Gjon Pagëzuesit dhe Kishën e Shën Veronikës, gjatë Udhës së Kryqit.
Lagjja islamike, më e madhja e qytetit, përfshin shumë vende të shenjta të krishtera: Udhën e Kryqit, Kuvendin e rrahjes me kamzhik, Kishën e Shën Anës, Kapelën e ‘Ecce Homo’ dhe Sheshin e Xhamive (Kupola e Shkëmbit, vendi i tretë i shenjtë i islamit e Xhamia Al-Aksa).
Së fundi, lagjja armene, në pjesën më jugore të mureve, e banuar pothuajse krejtësisht nga armenët, që duhet të kenë ardhur këtu aty nga shekulli I. Aty ndodhet Selia e Patriarkanës armeno-ortodokse, një nga tri Rojtaritë e Tokës Shenjte (së bashku me Patriarkanën greko-ortodokse e Rojtarinë e fretërve të vegjël), juridiksioni i të cilave shtrihet mbi të gjithë Tokën Shenjte e edhe mbi Jordaninë. Katedralja e Patriarkanës, kushtuar Shën Jakut, është ndërtuar mbi themelet e shtëpisë së Apostullit, i pari ipeshkëv i Jeruzalemit.
Qyteti i lashtë ka shtatë porta: Bab Al-Khali (Porta e Jafës), Bab An-Nabi Daud (Porta e Davidit), Bab Al-Mugharba (Porta e Mugrabinëve), Bab Sitti Mariam (Porta e Luanëve ose e Zojës së Bekuar), Bab Az-Zahira (Porta e Herodit) e Bab Al-Xhadid (Porta e Re).
Udhët brenda mureve janë të ngushta e të pjerrëta, nganjëherë me pjerrtësi tepër të madhe ose me këmbë të gjëra shkallësh; të shpeshta rruginat e qemeret.
Qyteti i ri është i kthyer nga ana e Ramallahut në veri, nga Betlehemi në jug, depërton në shkretëtirë, në lindje; në viset e Shefelah, në perëndim. Ka gjysëm milion banorë, nga të cilët ¼ janë arabë (myslimanë e të krishterë).
Me rëndësi, prania e katolikëve në Jeruzalem, me Delegacionin Apostolik në Malin e Ullinjve, Patriarkatin Latin, Rojtarinë e Tokës Shenjte dhe Kishën e të Shëlbuemit (kishë famullitare e latinëve të Jeruzalemit), Vikariatet Patriarkale greko-katolike, siro-katolike e maronite, Vikariatin armeno-katolik e kaldeo-katolik, Shkollat Biblike dhe Arkeologjike Franceze(1890), Studium Biblicum Franciscanum (1927), Shkollën amerikane për kërkime shkencore lindore, Istitutin Papnor Biblik, Qendrën Kristiane të Informacionit (që përfshin edhe Zyrën françeskane të shtegtimeve) si dhe institute të tjera fetare, arsimore e shoqërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.