2014-05-25 18:21:21

Deklarata e përbashkët e Françeskut dhe Bartolomeut


Dita e sotme, kulm i gjithë këtij shtegtimi Apostolik. Në mjediset e Delegacionit Apostolik, në Jeruzalem, Papa u takua me Patriarkun Ekumenik të Kostandinopojës. Pas shkëmbimit të dhuratave dhe çasteve të bisedës private, nënshkrimi i Deklaratës së përbashkët me 10 pika, një gur i ri kilometrik në udhën e bashkimit të të gjithë të krishterëve. Më poshtë Deklarata, përmbledhtas:

1. Në pikën e parë theksohet ecja në udhën e pararendësve, Papës Pali VI e Patriarkut Ekumenik Athenagoras, që u takuan 50 vjet më parë këtu, në Jeruzalem, ku Krishti jetoi, predikoi, vdiq, u ngjall e u ngjit në qiell, prej nga dërgoi Shpirtin Shenjt mbi Kishën në fasha (Nga Komunikata e përbashkët e Palit VI dhe Patriarkut Athenagoras, botuar pas takimit të 6 janarit 1964). Po këtu ritakohen përsëri Ipeshkvi i Kishës së Romës e i asaj të Kostandinopojës, Pjetri e Andreu, për të reflektuar mbi thellësinë dhe vërtetësinë e lidhjes, fryt i një udhe plot me hir, gjatë së cilës priu vetë Zoti, duke u nisur nga dita e takimit, 50 vjet më parë.

2. I nevojshëm, takimi i sotëm, hap i ri në udhën drejt bashkimit, në të cilën vetëm Shpirti Shenjt mund të na prijë: udhë bashkimi në larmi të ligjshme.

3. Të vetëdijshëm se ky bashkim shprehet në dashurinë për Hyjin e në dashurinë për të afërmin, e dëshirojmë me gjithë shpirt arritjen e ditës, kur do të marrim pjesë bashkërisht në sofrën eukaristike. Si të krishterë, duhet të parapërgatitemi për ta marrë këtë dhanti të bashkimit eukaristik, përmes dëshmimit të një feje të vetme, lutjes së vazhdueshme, kthesës shpirtërore, përtëritjes së jetës dhe dialogut vëllazëror.

4. Për këtë qëllim, një kontribut themelor në kërkimin e bashkimit të plotë të katolikëve dhe ortodoksëve, po jep dialogu teologjik, i udhëhequr nga Komisioni i përbashkët ndërkombëtar. Përparimi, në rrjedhë vitesh, është për t’u vlerësuar, ndërsa bëhen hapa të reja përpara. Këto hapa kërkojnë njohje më të thellë të traditave të njëri-tjetrit, për t’i kuptuar e për të nxënë prej tyre. Prandaj pohojmë edhe një herë se dialogu teologjik nuk bazohet mbi mirëkuptime të pjesshme, por mbi thellimin në të vërtetën e plotë, ashtu si ia dhuroi Krishti Kishës së tij, e vërtetë të cilën, të vënë në lëvizje nga Shpirti Shenjt, do të vijojmë të përpiqemi për ta kuptuar gjithnjë më mirë.

5. Ndonëse jemi ende për udhë drejt bashkimit të plotë, e kemi që tani për detyrë të japim dëshminë e përbashkët të dashurisë së Zotit për të gjithë, duke bashkëpunuar në shërbim të njerëzimit, posaçërisht në mbrojtjen e dinjitetit të njeriut në çdo fazë të jetës, të shenjtërisë së familjes, bazuar mbi martesën, të paqes e të së mirës së përbashkët, e, sidomos, në përgjigjen që duhet t’i japim bashkërisht mjerimeve, të cilat vijojnë ta sfilisin botën tonë.

6. Jemi thellësisht të bindur se ardhmëria e familjes njerëzore varet edhe nga aftësia jonë për ta ruajtur, me urti e dashuri, drejtësi e paanësi, dhuratën e Krijimit, që na u besua nga Hyji.

7. Ndjejmë nevojën e ngutshme të bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet të krishterëve, lidhur me mbrojtjen kudo të së drejtës për ta shprehur publikisht fenë e për t’u trajtuar me drejtësi, kur bëhet fjalë për promovimin e kontributit, që krishterimi vijon t’i ofrojë shoqërisë dhe kulturës bashkëkohore.

8. Nga ky Qytet i Shenjtë i Jeruzalemit, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë, të përbashkët, për gjendjen e të krishterëve në Lindjen e Mesme e për të drejtën e tyre që të mbeten qytetarë me të drejta të plota në atmet e tyre. I lutemi Zotit për paqe në Tokën Shenjte e në mbarë Lindjen e Mesme.

9. Në rrethana historike të tronditura nga dhuna, indiferenca, egoizmi, shumë burra e gra ndjehen të përhumbur. Vetëm me dëshminë e përbashkët të Lajmit të Mirë të Ungjillit, do të mund ta ndihmojmë njeriun e kohëve tona të gjejë përsëri udhën drejt së vërtetës, drejtësisë, paqes, duke kujtuar edhe shembullin që na lanë Pali VI e Athenagoras.

10. Ndërsa jetojmë këtë shtegtim të përbashkët në viset ku Zoti ynë i vetëm, Jezu Krishti, u kryqëzua, u varros e u ngjall, kërkojmë përvujtërisht ndërmjetësimin e së Shenjtnueshmes Mari, gjithmonë Virgjër, për hapat e ardhshme të udhës sonë drejt unitetit të plotë e ia besojmë me dashuri të pafundme Hyjit, mbarë familjen njerëzore.
“Hyji të ndriçoftë me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty. Hyji e sjelltë fytyrën e vet kah ti e të dhëntë paqe (Nm, 25-26).

Jeruzalem, 25 maj 2014-05-25
FRANÇESKU- BARTOLOMEU







All the contents on this site are copyrighted ©.