2014-05-25 20:26:58

Bartolomeu I: “Çdo përpjekje e njerëzimit për ta modeluar në mënyrë të pavarur ardhmërinë e tij pa Zot, është pretendim fare i kotë!”


Himni i jetës, që ngadhënjen mbi vdekjen përmes Kryqit të Krishtit, përshkoi tejendanë meditimin e Bartolomeut I, kushtuar domethënies, që ka Varri i Shenjtë për krishterimin dhe për botën e sotme. Nga vendi, ku u varros Zoti, kujtoi, buroi jeta. Nga ky varr i zbrazët, jehon mesazhi më i madh, që mori ndonjëherë njerëzimi: ai i fitores së jetës mbi vdekjen, mbi armikun e fundit. Burimi i çdo frike e i çdo përpëlitjeje, u mund! Mortja nuk e ka më fjalën e fundit në jetën tonë. E mundi dashuria e Jezusit, që vuajti vullnetarisht, për dashuri ndaj të tjerëve:
“Çdo vdekje nga dashuria për tjetrin, u shndërrua në jetë, në jetë të vërtetë. Nuk duhet pasur, pra, frikë nga vdekja, e as nga e keqja, nga asnjë sulm i së keqes mbi jetën tonë. Kryqi i Krishtit i mori mbi vete të gjitha shigjetat e së keqes: urrejtjen, dhunën, padrejtësinë, dhimbjen, poshtërimin, i mori të gjitha vuajtjet e të varfërve, të njerëzve të shfrytëzuar, të përjashtuar e të munduar të kësaj bote. Urrejtja, dhuna, padrejtësia nuk kanë të ardhme, sepse ardhmëria i përket drejtësisë, dashurisë, jetës”.
Janë fjalët e Patriarkut, i cili në vijim theksoi edhe një mesazh tjetër, që buron nga Varri i zbrazët:
“Historia nuk mund të programohet, fjala e saj e fundit nuk i përket njeriut, por Zotit. Më kot e ruajtën varrin rojet e pushtetit shekullar. Kot ia mbyllën grykën me gurin e rëndë, që askush të mos mund ta luante më nga vendi. Të kota, strategjitë afatgjata të shekullit, përballë gjykimit e vullnetit të Zotit. E çdo përpjekje e njerëzimit bashkëkohor për ta modeluar në mënyrë të pavarur ardhmërinë e tij pa Zot, është pretendim fare i kotë!”.
Varri i Shenjtë na fton të mos kemi frikë jo vetëm nga vdekja, por edhe nga tjetri, frikë kjo tepër e përhapur në botën moderne: frikë nga njeriu, që beson në një fe tjetër, që i përket një konfesioni tjetër, një besimi tjetër.
Në vijim Patriarku ngriti me forcë zërin kundër diskriminimeve racore, kundër fanatizmit fetar, që minon sot paqen në shumë zona të botës, ku deri dhurata e jetës flijohet mbi elterin e urrejtjes fetare.
Mesazhi më urgjent e më i qartë, që theksoi Patriarku, ishte:
"Ta duam tjetrin, me gjithë ndryshimet e tij, ta duam atë, që ndjek fe e konfesione të tjera. Ta duam njëri-tjetrin si vëllezër e motra. Urrejtja çon në vdekje, dashuria e dëbon frikën e çon në jetë!”.
Prej këndej, në përfundim të meditimit, Patriarku Bartolomeu theksoi:“Rruga e vetme, që çon në përmbushjen e vullnetit të Zotit është që të gjithë të jenë një gjë e vetme!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.