2014-05-24 18:34:11

Vizita e Atit të Shenjtë në vendin e Pagëzimit të Jezusit: Zoti na mësoftë të ecim këmbëzbathur drejt paqes


Pas meshës në Stadiumin Ndërkombëtar të Amanit, Papa Françesku vizitoi vendin e Pagëzimit të Jezusit, në brigjet e lumit Jordan. Ati i Shenjtë, në ndryshim nga shën Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, u lejua të afrohej fare pranë bregut, ku Papa u lut në heshtje, bekoi ujrat dhe nënshkroi Librin e Nderit. Në përfundim, Ati i Shenjtë hyri në kishën latine nga absidi, ku ishte përgatitur një sakresti, enkas për Papën. Kisha është në ndërtim e sipër e akoma nuk ka përfunduar. Gurin e parë të saj e pati bekuar Papa Benedikti XVI, gjatë shtegtimit të tij në Tokën Shenjte, më 10 maj 2009.
Ja ç’shkroi Papa në Librin e Artë të vendit të shenjtë të Pagëzimit të Jezusit, duke iu referuar një himni liturgjik:
“‘Me shpirt e këmbë lakuriq, iu afruan pagëzimit dymbëdhjetë fise të Izraelit’. I lutem Zotit të gjithpushtetshëm e të mëshirshëm të na mësojë të gjithëve të ecim përpara, në praninë e Tij, me shpirtin e me këmbët lakuriq e me zemrën e hapur për mëshirën hyjnore e për dashurinë ndaj vëllezërve. Kështu, Zoti do të jetë gjithçka në të gjithë e do të mbretërojë paqja. Faleminderit, që i ofroni njerëzimit këtë vend dëshmie. Françesku”.








All the contents on this site are copyrighted ©.