2014-05-24 15:08:34

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Maria ‘Në këto kohët e fundit” par. 50


Sa ishte gjallë, Maria jetoi e fshehur nga sytë e botës, sepse kështu deshi Hyji. Po sot Ai i Lumi dëshiron ta zbulojë kryeveprën e duarve të veta, që ta shikojnë e ta njohin të gjithë. Psenë na e shpjegon Shën Luigji Maria Grignion de Monfort në veprën “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, libër “I shkruar, i fshehur, i rigjetur” që flet, në majin e sivjetëm, në gjuhën shqipe, për të na rikutjuar kohë të afërta, të jetuara, e kohë që do të vijnë… Vijojmë të shfletojmë kapitullin “Maria ‘Në këto kohët e fundit”, sot, paragafin e 50-të… RealAudioMP3

50. Hyji, pra, dëshiron ta zbulojë, që ta shohin të gjithë, kryeveprën e duarve të Tija, në këto kohët e fundit:
1. Sepse ajo u fsheh në këtë botë e u bë pluhur e hi me përvujtërinë e saj të thellë, duke nxjerrë nga Zoti, nga Apostujt e Ungjilltarët e Tij, hirin që të dukej pak e aspak.
2. Sepse, duke qenë kryevepër e duarve të Hyjit, si në tokë, për hir, ashtu në qiell për lumni, ai dëshiron të lumnohet e të lavdërohet nga të gjallët mbi tokë.
3. Duke qenë agu, që i paraprin e ia tregon botës Diellin e drejtësisë, Jezu Krishtin, duhet të njihet, ta shohin të gjithë, që kështu të shohin Krishtin.
4. Meqë është udha, nëpër të cilën Jezusi erdhi ndër ne të parën herë, ajo do të jetë përsëri kështu, kur do të vijë të dytën, ndonëse jo në të njëjtën mënyrë.
5. Duke qenë mjet i sigurt e rrugë e drejtë dhe e papërlyer për të shkuar tek Jezu Krishti e për ta gjetur plotësisht, përmes saj do të mund ta gjejnë shpirtrat e shenjtë të paracaktuara për të shndritur në shenjtëri. Kush gjen Marinë, gjen jetën, domethënë, Jezu Krishtin, që është udha, e vërteta, jeta. Po Maria nuk mund të gjindet, nëse nuk kërkohet, sepse nuk mund të kërkohet e as të dëshirohet diçka e panjohur. Duhet, prandaj, që Maria të njihet më shumë se kurrë, për njohjen dhe lumninë më të madhe të së Shenjtnueshmes Trini.

6. Maria duhet të shndrisë më shumë se kurrë në mëshirë, në forcë e në hir këto kohët e fundit: në mëshirë, për t’u prirë e për t’i pritur dashurisht mëkatarët e shkretë e humbësit e udhës, që të pendohen e të rikthehen në Kishën Katolike; në forcë, kundër armiqve të Hyjit, kundër idhujtarëve, skizmatikëve...e të patënzonëve zemërgur, që do të rebelohen tmerrësisht e do të përpiqen t’i joshin e t’i bëjnë të rrëzohen, me premtime e kërcënime, të gjithë kundërshtarët e tyre; së fundi, ajo duhet të shndrisë në hir, për t’i frymëzuar e për t’i mbështeur kreshnikët trima e shërbëtorët besnikë të Jezu Krishtit, që do të luftojnë për Të.
7. Më në fund, Maria duhet të jetë tmerr për djallin dhe ndjekësit e tij, ushtri e radhitur për betejë, posaçërisht në këto kohët e fundit, ngaqë djalli, duke e ditur mirëfilli se tashmë i mbetet vetëm pak kohë, më pak se kurrë, për t’i rrëmbyer shpirtrat, i dyfishon çdo ditë përpjekjet e tij e betejat e tij; e do të nisë persekutime mizore e do t’u ngrejë kurthe të hatashme shërbëtorëve besnikë të Marisë, mbi të cilët e di mirë se nuk mund të ngadhënjejë aq lehtë, sa mbi të tjerët.








All the contents on this site are copyrighted ©.