2014-05-24 19:20:29

Pritja e Papës në Betlehem


Nesër, etapa e dytë e shtegtimit në Tokën Shenjte, Papa do të jetë në Betlehem. Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe takimit me presidentin palestinez Mahmoud Abbas, Papa Françesku do të kremtojë Meshën në Sheshin e Grazhdit. Do të arrijë këtu nga Amani, me helikopter, duke fluturuar mbi murin me ngjyrën e trishtë të hirit, që e pret si me thikë horizontin e, me të, edhe fatin e Betlehemit. Mbi fasadat e pallateve rreth Sheshit të Grazhdit, ku Françesku do të kremtojë Meshën, të bien menjëherë në sy afishet e mëdha me portretin e Papës e të Abu Mazen. Mendohet të jenë të pranishëm 10 mijë besimtarë. Do të vijnë nga territoret e veriut, nga Galileja, Çisjordania e 600 edhe nga Gaza. Ndërmjet tyre, katolikë, por edhe ortodoksë.
Të krishterët e Betlehemit përbënin 80% të popullsisë. Sot janë më pak se 18%. Banorët e djepit të krishterimit, e vlerësuan shumë faktin që Papa, para se të vizitojë Shpellën e Lindjes së Krishtit, do të ulet rreth sofrës me pesë familje të krishtera, në gjendje të vështirë, që mund të komunikojnë, kështu, me të, duke i folur drejtpërdrejt për problemet dhe vuajtjet. Njëra, familje mërgimtare prej një fshati të rrënuar nga lufta e 1948-tës, vjen nga Galileja; të tjerat, nga Bet Jala, Betlehemi, Gaza e Jeruzalemi.
Betlehemi është qyteti i vetëm i Çisjordanisë, që ka tre kampe refugjatësh e, ashtu si Gjon Pali II, edhe Papa Françesku do të vizitojë kampin e Dheisheh, më i madhi, pas atij të Gazës, ku jetojnë 15 mijë vetë. Realitet dramatik i cili, që nga viti i largët 1948, strehon 900 mijë palestinezë, mbetur aty në pritje, ditë më tjetrën, pa strehë e pa punë. Nuk mund të mos tronditesh thellë, po të ecësh nëpër rrugët e këtyre kampeve, ku shikon shtëpi të mjera, të mbipopulluara, radhitur si gurët e dominosë; gjirize të hapura; njerëz të papunë, akte dhune; sy, që të shikojnë me një vështrim të vagëlluar, si varre të vogla shpresash të shuara. E kjo, me gjithë përpjekjet e OKB-së e të organizatave jo qeveritare, që punojnë për refugjatët palestinezë. Heshtja e thellë, që mbretëron rrugëve të shkreta, plot me pluhur, të kampit, prishet kur e kur vetëm nga britmat e fëmijëve, në vrap pas topit prej lecke. E Papa, para se të largohet nga Palestina, do të takojë disa qindra prej tyre, ardhur edhe nga kampet fqinje të Aidës e të Beit Jibrin-it.
Gjatë rrugës, që do të përshkojë Françesku, duke kaluar nëpër rrugicat e Betlehemit, pritet një turmë e madhe në festë, ndërmjet të cilës, edhe shumë myslimanë. Betlehemi është plot me afishe, parulla, shpallje festive. Rrezëllon nga ngjyrat e Vatikanit e të Shtetit të Palestinës. Ndërmjet gjithë kësaj gjeratoreje ngjyrash, spikat fort një parullë e madhe, mbi të cilën shkruhet:“Mirësevjen Françesk: nga Toka e shpresës, në shpresën e Tokës!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.