Papa në takimin me refugjatët dhe me të rinjtë: të kthehen në udhën e Zotit ata, që
kanë plane lufte
Takimi i fundit i Papës Françesku në tokën jordaneze qe ai me rreth 600 refugjatët
dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara, në kishën latine të vendit ku është pagëzuar
Jezu Krishti. Ngjyra e tinguj e flamuj për këtë përqafim, që u desh me gjithë zemër
nga Ati i Shenjtë, i cili është shumë i ndjeshëm ndaj gjendjes së njerëzve, që vuajnë
nga mizoritë e kësaj bote. Fëmijë, burra e gra, murgesha e vullentarë, të gjithë rreth
Papës, për të dëgjuar thirrjen e tij të fuqishme kundër konflikteve e denoncimin kundër
prodhuesve të armëve, që mbjellin vetëm vdekje, por edhe për t’i dëshmuar Atit të
Shenjtë gjendjen e tyre, sëmundjen, e njëkohësisht edhe besimin në Zotin, që i ndihmon
t’i kapërcejnë vështirësitë e jetës. Në këta njerëz, siç ka thënë gjithnjë, Papa sheh
“fytyrën e Jezusit” dhe dashurinë e Tij, që na jep dinjitet e na dhuron shëlbim. Që
në fillim, Ati i Shenjtë e shpjegoi mjaft mirë këtë përparësi të magjisterit të tij: “Në
shtegtimin tim, desha me gjithë shpirt t’ju takoj juve, që për shkak të konflikteve
të përgjakura, jeni detyruar t’i lini shtëpitë dhe atdheun, duke gjetur strehë në
tokën mikpritëse të Jordanisë; e edhe juve, që mbani peshën e ndonjë kufizimi fizik”. E
Papa nuk vonoi ta inkuadrojë gjendjen e refugjatëve dhe të njerëzve me kufizime fizike
në Ungjill, duke shpjeguar edhe ku po zhvillohej takimi: “Vendi në të cilin
ndodhemi, na kujton pagëzimin e Jezusit. Duke ardhur këtu në lumin Jordan, për t’u
pagëzuar nga shën Gjoni, Ai na tregon se e ndan me ne gjendjen e Tij njerëzore: me
dashurinë e Tij na kthen dinjitetin e na dhuron shëlbimin. Na bën gjithnjë përshtypje
kjo përvuajtëri e Jezusit, përkulja e Tij mbi plagët e njeriut për t’i shëruar. E
nga ana jonë, prekemi thellë nga dramat e plagët e kohës sonë, në mënyrë të veçantë,
nga ato që shkaktohen prej konflikteve akoma në vijim në Lindjen e Mesme”. Papa
përmendi Sirinë e shkatërruar nga lufta vëllavrasëse, që vazhdon prej tre vitesh,
duke mbjellë viktima të panumërta e duke detyruar miliona njerëz të bëhen refugjatë
e të strehohen në vende të tjera. E në këtë pikë, e la letrën mënjanë dhe pa lexuar,
bubulloi: “Rrënjët e së keqes janë urrejtja dhe lakmia për para në fabrikat
dhe në shitjen e armëve. ...Kush ua jep armët vendeve në konflikt, për të vazhduar
konfliktin? … Duhet të lutemi për këta njerëz të mjerë, për këta kriminelë, që të
kthehen në udhën e Zotit”. Ati i Shenjtë falenderoi autoritetet dhe popullin
jordanez për mikpritjen, që i kanë rezervuar numrit të madh të të ikurve nga Siria
dhe Iraku, e u shprehu mirënjohjen edhe të gjithë atyre që i ndihmojnë, përfshirë
institucionet kishtare si Karitasi i Jordanisë. Ata kujdesen për të gjithë nevojtarët,
pa dallim feje, etnie, apo ideologjie, duke e bërë kështu të dukshme fytyrën e Jezusit
të mëshirshëm. Ati i Shenjtë i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mos e lerë
vetëm Jordaninë në përballimin e emergjencës humanitare, por ta mbështesë dhe ta ndihmojë.
Papa rinovoi thirrjen e tij për Sirinë me fjalë të fuqishme: “Të ndalet dhuna
e të respektohet e drejta humanitare, duke garantuar asistencën e nevojshme për popullsinë
e vuajtur! Të gjithë ta lenë mënjanë pretendimin se armët do t’i zgjidhin problemet
e të kthehen në udhën e bisedimeve. Vërtet, zgjidhja mund të vijë vetëm nga dialogu
dhe gjakftohtësia, nga mëshira për të vuajturit, nga kërkimi i një zgjidhjeje politike
e nga ndjenja e përgjegjësisë ndaj vëllezërve. …Uroj sërish të mbizotërojnë arsyeja
dhe gjakftohtësia e që, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, Siria të gjejë udhën
e paqes. Zoti i ktheftë të dhunshmit e ata, që kanë plane lufte, si edhe i forcoftë
zemrat dhe mendjet e veprimtarëve të paqes e i shpërbleftë me shumë bekime”. Në
veçanti, Papa u kërkoi të rinjve të bashkohen me të e me të tjerët në lutjen për paqen,
duke i ofruar Zotit lodhjen e përditshme, duke bashkëpunuar për ndërtimin e një shoqërie
që i respekton më të brishtët, të sëmurët, fëmijët e të moshuarit. Pavarësisht nga
vështirësitë e jetës, i këshilloi Ati i Shenjtë të rinjtë, të jeni shenjë shprese.