2014-05-24 16:20:29

Papa në stadiumin e Amanit: paqja në Lindjen e Mesme është e mundur përmes përvuajtërisë dhe faljes


“Paqja nuk mund të blihet, nuk shitet: ajo është dhuratë për t’u kërkuar me durim e për t’u ndërtuar me mjeshtërinë e artizanëve, përmes gjesteve të vogla e të mëdha të jetës së përditshme”. Kështu pohoi Papa Françesku në homelinë e meshës së kremtuar në Stadiumin Ndërkombëtar të Amanit, në Jordani.
Mesha u kremtua jo larg vendit ku Shpirti Shenjt zbriti me pushtetin e Tij mbi Jezusin e Nazaretit, pasi shën Gjoni e pagëzoi në ujrat e lumit Jordan. Gjatë homelisë, Papa Françesku meditoi pikërisht mbi Shpirtin e Zotit dhe mbi ndikimin e tij mbi Krishtin e mbi ne të gjithë. Shpirti përgatit, shuguron dhe dërgon, analizoi Papa këto tri veti:
“Në çastin e pagëzimit, Shpirti Shenjt zbret mbi Jezusin që ta përgatisë për misionin e shëlbimit; mision i karakterizuar nga stili i Shërbëtorit të butë e të përvujtë, gati për të ndarë gjithçka me të tjerët, deri në dhurimin e vetvetes”.
Është përgatitja e takimit të Mesisë me popullin e vet. Shpirti Shenjt pati ndikuar mbi Jezusin që në fillim të historisë së shëlbimit, që kur ishte në barkun e Zojës, por edhe mbi Simeonin e Anën, kur Jezusi u paraqit në Tempull. Ata e kuptojnë se Ai ishte Krishti, që priste populli. Ndërhyrjet e Shpirtit Shenjt, shpjegoi Papa, synojnë krijimin e harmonisë e ardhjen e paqes në situata e njerëz të ndryshëm. Me gjendjen e Lindjes së Mesme në mendje, Ati i Shenjtë theksoi:
“Ndryshimi ndërmjet njerëzve e mendimeve nuk duhet të shkaktojë refuzim e pengesa, sepse varieteti është gjithnjë pasuri. Prandaj, sot, t’i lutemi me gjithë zemër Shpirtit Shenjt, duke i kërkuar të na përgatisë udhën e paqes e të bashkimit”.
Së dyti, Shpirti i Shenjtë e shuguron Jezusin e më vonë, shuguron edhe dishepujt, që të kenë të njëjtat ndjenja me Jezusin e të favorizojnë paqen e bashkimin:
“Me vajosjen e Shpirtit Shenjt, humaniteti ynë shenjohet nga shenjtëria e Jezu Krishtit e na bën të aftë të duam vëllezërit, me të njëjtën dashuri, me të cilën na do Zoti. Prandaj, është e nevojshme të bëjmë gjeste përvuajtërie, vëllazërie, faljeje, pajtimi. Këto janë premisa dhe kushti për një paqe të vërtetë, të qëndrueshme e të vazhdueshme”.
Pastaj, vazhdoi reflektimin Papa, Shpirti Shenjt dërgon, ashtu siç dërgoi Jezusin, përplot me Të. Sa nevojë ka bota, tha Françesku, që ne të jemi lajmëtarë të paqes, dëshmitarë të saj. Këtë na kërkon bota: të sjellim paqen, ta dëshmojmë atë! Të shenjuar e të vajosur nga Shpirti Shenjt, edhe ne dërgohemi si lajmëtarë e dëshmitarë të paqes:
“Paqja nuk mund të blihet, nuk shitet: ajo është dhuratë për t’u kërkuar me durim e për t’u ndërtuar me mjeshtërinë e artizanëve, përmes gjesteve të vogla e të mëdha të jetës së përditshme. Udha e paqes konsolidohet nëse pranojmë se të gjithë kemi të njëjtin gjak e bëjmë pjesë në të njëjtin njerëzim; nëse nuk harrojmë se kemi një Atë të vetëm qiellor e se jemi të gjithë bijtë e Tij, krijuar në shembëlltyrë e në përngjasim me Të”.
E para se të përshëndeste në mënyrë të veçantë, rreth 1500 fëmijët jordanezë, që sot morën Kungimin e Parë, familjarët dhe refugjatët e shumtë të krishterë, ardhur nga Palestina, Siria dhe Iraku, Papa e mbylli homelinë, me këto fjalë:
“Shpirti Shenj zbriti mbi Jezusin pranë Jordanit dhe nisi veprën e tij të shëlbimit, për ta liruar botën nga mëkati e vdekja. Atij i lutemi të na i përgatisë zemrat për takimin me vëllezërit, pavarësisht nga idetë, gjuha, kultura, feja e ndryshme; të na shugurojë me vajin e mëshirës së Tij, që shëron plagët e gabimeve, të keqkuptimeve, të kundërshtive; të na dërgojë me butësi e përvuajtëri në shtigjet impenjative, por të frytshme, në kërkim të paqes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.