2014-05-24 16:55:28

Mbretëria Hashemite e Jordanisë


Nën Mandatin britanik, në fund të Luftës I Botërore, vendi u bë i pavarur më 1946 me emrin Transjordani. Në vitin 1949 e ndryshoi emrin në Jordani, pas aneksimit të Çisjordanisë (kjo e fundit, pushtohet nga Izraeli më 1967). Jordania nënshkroi një traktat paqeje me Izraelin në vitin 1994. Për të favorizuar lindjen e një entiteti politik palestinez, Jordania i shkëputi të gjitha lidhjet administrative me Çisjordaninë, në vitin 1998.
Jordania është monarki kushtetuese. Mbi bazën e Kushtetutës së vitit 1952, mbreti emëron kryeministrin, por qeveria duhet të miratohet nga Asambleja kombëtare (Majlis al-Umma). Ky parlament përbëhet nga Dhoma e Përfaqësuesve (80 anëtarë zgjedhur me votim të përgjithshëm për 4 vjet) dhe nga Senati (40 anëtarë të emëruar nga mbreti). Partitë janë ligjëruar plotësisht në vitin 1992. Zgjedhjet e para shumëpartiake u mbajtën në vitin 1993. Sistemi gjyqësor bazohet mbi Shari’a-n (Kurani dhe Hadithi), por në të ka edhe influenca nga e drejta evropiane.
Kufijtë dhe gjendja: Jordania kufizohet në veri me Sirinë, në verilindje me Irakun, në juglindje dhe në jug me Arabinë Saudite, në perëndim me Izraelin dhe me Shtetin e Palestinës, në jugperëndim me Gjirin e Akabasë (Deti i Kuq). Pika më e ulët e planetit, Jordania e merr emrin nga lumi Jordan (në arabisht “Urdun: pjerrësi). Nga perëndimi në lindje, vendi paraqet tri zona gjeografike: ultësira tektonike palestineze me Detin e Vdekur (me thellësi 394-793 metra nën nivelin e detit) dhe Lugina pjellore e Jordanit; rrafshnalta e Transjordanisë, zgjatje jugore e Malit Liban, ku ndodhen pjesa më e madhe e qyteteve; së fundi, shkretëtira që shtrihet deri në Siri, Irak e në Arabinë Saudite.
Kryeqyteti i Jordanisë është Amani, me 1.055.000 banorë. Qytete të tjera të rëndësishme janë Irbid, Zarqa, Balqa, Mafraq, Jarash; madaba. 6.388.000 jordanezët, 82,3% e të cilëve jetonë në qytet, flasin arabisht. Jordania ka një sipërfaqe prej 89.324 km katrorë dhe disa grupe etnike: arabët 98%, armenët 1%, çirkasët 1%, çeçenët dhe kurdët. 96,6% e popullsisë janë myslimanë sunitë, ndërsa 1,68% janë të krishterë. Monedha vendase është dinari jordanez, ndërsa të ardhurat për frymë arrijnë në 5.997 dollarë amerikanë.








All the contents on this site are copyrighted ©.