2014-05-24 19:29:15

Java VI e Pashkëve


Leximi i parë (Vap 8,5-8. 14-17)

Kështu Filipi zbriti në qytet të Samarisë dhe filloi të predikojë Mesinë. Turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte. E njëmend, prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të lartë, shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë. Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet.
Kur apostujt dëgjuan në Jerusalem se Samaria e kishte pranuar Fjalën e Hyjit i dërguan atje Pjetrin e Gjonin. Këta zbritën atje, u lutën për ta që ta merrnin Shpirtin Shenjt, sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjërin ndër ta; ata vetëm ishin pagëzuar në Emër të Jezusit Zot. Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin Shenjt.

Psalmi 66 (65)

Veprat e Zotit janë të mëdha

Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit,
këndoni lavdisë së Emrit të tij,
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
Thuajini Hyjit: “Sa të mrekullueshme janë veprat e tua!

Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë,
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd”!
Ejani e shikoni veprat e Hyjit:
bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!

Ai e shndërroi detin në terik,
këmbë e kaluan lumin
për këtë galdojmë me gëzim.
Ai sundon për amshim me pushtetin e vet,

Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin,
do t’ju tregoj çfarë i bëri shpirtit tim.
Qoftë bekuar Hyji
që s’ma hodhi poshtë lutjen time
e nuk ma mohoi mëshirën e vet!

Leximi i dytë (1Pj 3, 15-18)

Fort të dashur, adhuroni në shenjtëri në zemrat tuaja Krishtin Zot! Jini gjithmonë të gatshëm t’i jepni përgjegje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju, por me butësi dhe me nderimin e duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, pikërisht në atë pikë, në të cilën juve ju shpifen, të mbesin të turpëruar. Përnjëmend është më mirë të hiqni keq - nëse është vullneti i Hyjit - duke bërë mirë se duke bërë keq.
E njëmend edhe Krishti një herë vdiq për mëkate (tona), i Drejti për të padrejtët që t’iu shpiente te Hyji - njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit.

Ungjilli (Gjn 14, 15-21)

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë: Shpirtin e së Vërtetës, që bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh as nuk e njeh. Ju e njihni sepse Ai banon me ju e është në ju. Nuk do t’ju lë jetimë; do të vij tek ju. Edhe pak kohë e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më shihni, sepse unë jetoj edhe ju do të jetoni. Atë ditë do ta kuptoni se unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju. Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban, ai më do; dhe atë që më do mua, do ta dojë edhe Ati im, edhe unë do ta dua dhe do t’i dëftohem.”



Jezusi i ringjallur, i dëshmuar nga të krishterët, që e duan njëri-tjetrin

Shpirti i Shenjtë vijon t’i bëjë të pranishme realitetet e pashkëve, si në mbarë Kishën, ashtu dhe në bashkësitë e veçanta. Premtimi i Jezusit, në Ungjillin e sotëm, nuk është vetëm arsye besimi dhe ngushëllimi për nxënësit, që e dëgjojnë dhe nga të cilët ai po largohet; ai është edhe një realitet, që përzgjatet në histori: Shpirti vepron në zemën e besimtarëve dhe të çdo njeriu me vullnet të mirë dhe realizon rritjen në të vërtetën dhe në dashuri.

Profetë të dashurisë

Në Ungjillin e kësaj të dieleje premtimi i Shpirtit të Shenjtë lidhet ngusht me temën e dashurisë. Në fakt, Shpirti, që preton Zoti dhe që vjen nga Ati, është Shpirti i dashurisë. Për këtë janë të thirrur të dëshmojnë të krishterët. Dëshmi e dukshme dhe bindëse do të jetë dashuria e ndërsjellë që duhet t’i karakterizojë bashkësitë e krishtera. “Shikoni si duhen”, thoshin paganët për të krishterët e parë. Po sot, paganët post-kristianë, a mund të thonë të njëjtën gjë, kur shikojnë të krishterët? Apo sjellja e të krishterëve është e tillë, që i bën dyshues për krishtërimin dhe për këmbënguljen e tij në lidhje me dashurinë? Ka shumë mundësi që ne të flasim tepër për dashurinë, si të ishte një gjini letrare, por të mos e jetojmë me sinqeritet ndërmjet nesh, sepse jemi të ndarë për shkak të paragjykimeve, të sektarizmave dhe të grupimeve të ndryshme.
Por dëshmia shfaqet përmes dashurisë së sinqertë dhe të painteresuar. Në çdo epokë Kisha është e ftuar të japë prova për dashurinë e saj konkrete. Gjatë shekujve të kaluar është angazhuar për të shpëtuar, për të ruajtur dhe për të përhapur kulturën, është përkushtuar në ndihmë të të varfërve dhe nevojtarëve, ka themeluar spitale, është kujdesur për t’i dhënë popullit arsim dhe ka krijuar shërbimet e para shoqërore.
Sot këto veprime i kryen shteti. Edhe pse është liruar nga këto detyra të drejtpërdrejta, vëmendja e Kishës mbetet gjithmonë e përqendruar tek njeriu. “Kisha – shkruhet në Redemptor hominis – nuk mund ta braktisë njeriun, ‘fatet’ e të cilit, domethënë zgjedhja, thirrja, lindja dhe vdekja, shpëtimi apo bjerrja, janë të lidhura ngusht dhe në mënyrë të pazgjidhshme me Krishtin... Njeriu është rruga e parë themelore e Kishës” (n. 14).

Ku lind Kisha?

Edhe ungjillëzimi është vepër e dashurisë, e cila bëhet shtysë për t’u shpallur të gjithëve shpëtimin e Krishtit. Në leximin e parë shohim si zbatohet dinamizmi misionar i Kishës apostolike. Shpallja e Ungjillit i tejkalon kufijtë e Judesë, arrin në Samari dhe përhapet me anë të fjalës dhe të “shenjave”. Ndërhyrja e apostujve, me mbivendosjen e duarve dhe dhurimin e Shpirtit, është shenjë e qartë e bashkimit që vendoset ndërmjet bashkësive fetare, të cilat tradicionalisht kishin qenë në konflikt, si judenjtë dhe samaritanët (khs Gjn 4,9). Tani, i njëjti Shpirt, të cilin e kanë marrë si njëra palë ashtu edhe tjetra, dëshmon se të gjithë janë të Krishtit, të bashkuar me anë të fesë dhe të dashurisë; kështu rritet edhe pjesëmarrja edhe bashkimi në Kishë, duke tejkaluar tensionet dhe përplasjet. Shenjat ekzistenciale, që e dëshmojnë këtë bashkim në mes dhe përballë një bote kundërshtuese, i kujton Pjetri në letrën e tij. Janë butësia, ndërgjegjja e pastër, respekti i ndërsjellë, vuajtja që kërkohet për të bërë të mirën në vend të të keqes. Këto janë sjelljet me të cilat përkthehet në mënyrë konkrete dashuria e Krishtit dhe me anë të të cilave të krishterët mund të japin arsye për shpresën që kanë, duke e bërë të besueshëm misionin ungjillëzues. Ndërsa Shpirti i Shenjtë, gjithmonë i pranishëm në Kishë, e udhëheq atë në kërkimin e përhershëm të përshtatjes së misionit me fjalën e të vërtetës.

Asambleja liturgjike, epifani e Shpirtit

Jezusi i ka premtuar Kishës dhuratën e Shpirtit të Shenjtë si prani zbatuese të veprës së vet tashmë të përmbushur. Ky premtim realizohet në mënyrë krejt të veçantë në kremtimin eukaristik. Është Shpirti i Zotit të ringjallur ai që krijon bashkimin ndërmjet të gjithë anëtarëve të asamblesë, ndërmjet asamblesë dhe të gjithë bashkësive të tjera, që kremtojnë të njëjtën eukaristi. Është Shpirti i të vërtetës ai që e ndriçon dhe e bën të pranishme Fjalën e Hyjit, e cila u është shpallur besimtarëve, e bën të depërtojë në zemrat e tyre, që të kthehet në realitet të jetës dhe të përkthehet në sjellje të frymëzuar nga dashuria ungjillore. Në lutjen eukaristike, Shpirti i Shenjtë thirret për shenjtërimin e bukës dhe të verës, që të bëhen “trupi dhe gjaku i Jezu Krishtit”, dhe për bashkimin e Kishës, në mënyrë që ne, të cilët ushqehemi me trupin dhe gjakun e Zotit “të bëhemi një trup i vetëm dhe një shpirt i vetëm”. Në fund, bashkimi me trupin e lavdishëm të Krishtit përtërin në ne dhuratën e të njëjtit Shpirt dhe bën të mundur që të rritet në ne “dobia e misterit të pashkëve”, në mënyrë që, “të përtërirë në shpirt, të mund t’i përgjigjemi gjithnjë e më mirë veprës së shëlbimit” të Zotit.
(Marrë nga: www.maranatha.it)

Hyji na ka pajtuar me anë të Krishtit dhe na ka besuar misterin e pajtimit
(Nga “Komenti i Letrës së Dytë drejtuar Korintasve” i shën Cirilit të Aleksandrisë)

Ai që ka pengun e Shpirtit të Shenjtë dhe zotëron shpresën e ringjalljes, e mban tashmë si të pranishme atë që pret dhe mund të thotë me të drejtë se nuk njeh askënd sipas mishit dhe se ndjehet qysh tani pjesëtar në gjendjen e Krishtit të lavdishëm. Kjo vlen për të gjithë ne, që jemi shpirtërorë dhe nuk kemi të bëjmë me korruptimin e mishit. Në fakt, pasi i Njëlinduri shkëlqeu para nesh, jemi shndërruar në vetë Fjalën, që gjallëron gjithçka. Kur mbretëronte mëkati, të gjithë ishim të lidhur me vargonjtë e vdekjes. Tani, që mëkatin e ka zëvëndësuar drejtësia e Krishtit, jemi liruar nga gjendja e vjetër e poshtërsisë.
Kur themi se askush nuk është më në trupin prej mishi, kemi parasysh atë gjendje që i përket natyrshëm krijesës njerëzore, e cila përfshin, ndër të tjera, shkatërrueshmërinë, që është veti e veçantë e trupave. Këtë e përmend Shën Pali, kur thotë: Në fakt, edhe pse e kemi njohur Krishtin në trup, tani nuk e njohim më kështu” (2Kor 5,16). Me fjalë të tjera: “Fjala u mishërua dhe erdhi të banojë mes nesh” (Gj1,14) dhe për hir të jetës së të gjithë neve, pranoi vdekjen në trup. Feja jonë na bën ta njohim më parë të vdekur dhe pastaj jo më të vdekur, por të gjallë; të gjallë me trupin e ringjallur të tretën ditë; të gjallë pranë Atit, në një gjendje më të lartë se ajo që u përket natyrshëm trupave që jetojnë mbi tokë. Ai, që vdiq një herë të vetme, nuk vdes më, vdekja nuk ka më pushtet mbi të. Për sa i përket vdekjes së tij, ai vdiq ndaj mëkatit një herë e përgjithmonë; ndërsa tani, meqë ai jeton, jeton për Hyjin (khs Rm 6,8-9).
Prandaj, nëse gjendet në këtë gjendje ai që u bë për ne jetëdhënësi, është absolutisht e domosdoshme që edhe ne, duke ecur në gjurmët e tij, të quajmë veten të gjallë me vetë jetën e tij, që është më e lartë se jeta e natyrshme e vetes njerëzore. Për këtë arsye, me shumë të drejtë, Shën Pali shkruan: “Nëse dikush është në Krishtin, është krijesë e re; gjërat e vjetra kaluan. Ja, lindën të rejat!” (2 Kor 5,17). Në të vërtetë, jemi shfajësuar në Krishtin me anë të fesë dhe u mek forca e mallkimit. Pasi ai u ringjall për ne, pasi vuri nën këmbë pushtetin e vdekjes, ne njohim Hyjin e vërtetë në vetë natyrën e tij dhe atij ia kushtojmë kultin në shpirt dhe në të vërtetë, me ndërmjetësimin e Birit, i cili i jep botës, nga ana e Atit, bekimet qiellore.
Prandaj, me shumë të drejtë, Shën Pali shkruan: “E gjithë kjo vjen nga Hyji, i cili na ka pajtuar me veten me anë të Krishtit” (2 Kor 5,18). Në të vërtetë, misteri i mishërimit dhe përtëritja që buron prej tij, nuk ndodhin jashtë vullnetit të Atit. Padyshim, me anë të Krishtit na është hapur rruga për tek Ati, sepse askush nuk vjen tek Ati, sikurse thotë ai vetë, përveçse përmes tij. Kështu, “gjithçka vjen nga Hyji, i cili na pajtoi me anë të Krishtit dhe na besoi misterin e pajtimit” (2 Kor 5,18).

Nga “Komenti i Ungjillit sipas Gjonit”, shkruar nga Shën Agostini

Pse Jezusi thotë: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia; dhe unë do t’i lutem Atit e ai do t’ju japë një tjetër ngushëllues”, kur kemi parasysh se pa këtë Shpirt nuk mund ta duam Hyjin, as të zbatojmë urdhërimet e tij? Si mund ta duam Hyjin për të marrë Shpirtin e tij, nëse pa Shpirtin nuk mund ta duam Hyjin në asnjë mënyrë? E si mund t’i zbatojmë urdhërimet e Krishtit për të marrë Shpirtin, nëse pa këtë dhuratë nuk mund t’i zbatojmë? Mos duhet të mendojmë se në ne gjendet dashuria, që na lejon ta duam Krishtin dhe, duke e dashur e duke zbatuar urdhërimet e tij, mund të meritohet dhurata e Shpirtit të Shenjtë, në mënyrë që dashuria (jo ajo e Krishtit, që ishte tashmë e pranishme, por ajo e Hyjit Atë), të derdhet në zemrat tona me anë të Shpirtit të Shenjtë që na është dhuruar? Ky është një interpretim i gabuar. Në fakt, kush beson se e do Birin dhe nuk do Atin, do të thotë se nuk do Birin, por një shpikje të fantazisë së vet. Për këtë arsye, Apostulli deklaron: askush nuk mund të thotë: Jezusi është Zot, përveçse në Shpirtin e Shenjtë (1Kor 12,3). Kush mund të thotë: Jezusi është Zot, sipas kuptimit të Apostullit, përveç atij që e do? Shumë e vetë e pranojnë Jezusin me fjalë, ndërsa me zemër e me vepra e mohojnë, sikurse thotë edhe Apostulli: Shpallin se e njohin Hyjin, por me vepra e mohojnë (Tit 1,16). Nëse Hyji mund të mohohet me vepra, është po aq e vërtetë se me anë të veprave mund edhe të shpallet. Kështu, askush nuk mund të thotë: Jezusi është Zot – me shpirt, me fjalë, me vepra, me zemër, me gojë – përveçse në Shpirtin e Shenjtë; e askush nuk e thotë në këtë kuptim, përveç atij që e do. Tani, nëse apostujt thoshin: Jezusi është Zot, dhe nuk e thoshin me shtirje, si ata që e shpallin me gojë dhe e mohojnë me zemër e me vepra, pra, nëse e thoshin me vërtetësi, sigurisht që e donin. E si e donin, përveçse në Shpirtin e Shenjtë? E megjithatë, Zoti i urdhëron para së gjithash ta duan e të zbatojnë urdhërimet e tij, që të marrin Shpirtin e Shenjtë, pa të cilin ata me siguri nuk do të mund ta donin as të zbatonin urdhërimet e tij.
Duhet të dalim në përfundimin se kush do, e ka Shpirtin e Shenjtë dhe, pasi e ka, meriton ta ketë edhe më shumë, dhe, pasi ta ketë edhe më shumë, mund të dojë edhe më shumë. Nxënësit e kishin tashmë Shpirtin e Shenjtë, të cilin Zoti ua premtonte dhe pa të cilin nuk do ta kishin njohur si Zot; megjithatë nuk e kishin aq të plotë siç e premtonte Zoti. Pra, e kishin dhe nuk e kishin njëkohësisht, në kuptimin se nuk e kishin aq të plotë siç duhej ta kishin. E kishin me masë të kufizuar dhe duhej t’u jepej me më shumë begati. E kishin në mënyrë të fshehtë dhe duhej ta merrnin në mënyrë të dukshme, sepse dhurata më e madhe e Shpirtit të Shenjtë qëndron edhe në vetëdijen më të thellë për të. Duke folur për këtë dhuratë, Apostulli thotë: Tani, ne nuk morëm shpirtin e botës, por Shpirtin që vjen prej Hyjit, që të njohim gjërat që u dhuruan nga Hyji (1 Kor 2,12). Dhe jo një herë, por dy herë Zoti ua dhuroi apostujve në mënyrë të dukshme Shpirtin e Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.