2014-05-24 15:35:06

Fjalimi i Papës në ceremoninë e mirëseardhjes në Aman


Në ceremoninë e mirëseardhjes në Aman, fjalimi i parë zyrtar i Papës në Tokën Shenjte. Françesku falënderoi Hyjin për këtë vizitë në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, në gjurmët e paraardhësve të tij, Palit VI, Gjon Palit II e Benediktit XVI. Falënderoi edhe Madhërinë e Tij, Mbretin Abdullah II, për fjalët e përzemërta, me të cilat i uroi mirëseardhjen, me kujtimin e freskët të takimit të tyre jo shumë kohë më parë, në Vatikan. I përshëndes, tha Papa në vijim, të gjithë anëtarët e familjes mbretërore, qeverinë e mbarë popullin e Jordanisë, tokë e pasur me histori e me domethënie të thellë fetare për Hebraizmin, Kristianizmin e Islamin.Ky vend, nënvizoi, i mikpret bujarisht refugjatët e shumtë palestinezë, irakianë e gjithë ardhanikët prej zonave të tronditura nga një konflikt, që s’ di të marrë fund. Kjo mikpritje meriton nderimin e mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Kisha katolike, shtoi Ati i Shenjtë, sipas mundësive të veta, dëshiron të impenjohet në asistencën e refugjatëve dhe të gjithë atyre, që jetojnë në kushte të vështira, sidomos përmes Karitasit të Jordanisë.
Duke vërejtur, me hidhërim të thellë, theksoi në vijim Françesku, se në zonën e Lindjes së Mesme vijojnë tensionet e forta, nuk mund të mos i falënderoj Autoritetet e Mbretërisë për atë që bëjnë. I inkurajoj, prandaj, të vijojnë impenjimin në kërkimin aq të dëshiruar të paqes së qëndrueshme për gjithë Rajonin; për këtë qëllim bëhet më e nevojshme, e edhe më e ngutshme se kurrë, rrugëzgjidhja paqësore e krizës siriane dhe e konfliktit izraelito-palestinez.
Pastaj Papa vijoi: “Shfrytëzoj rastin për të shprehur respektin dhe nderimin tim të thellë për bashkësinë myslimane, duke vlerësuar lart rolin udhëheqës të Madhërisë së Tij Mbretit në promovimin e mirëkuptimit të virtyteve të shpallura nga Islami dhe të bashkëjetesës paqësore ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme”. E, jashtë tekstit zyrtar shtoi: “Ju njiheni si njeri i paqes e autor i paqes. Falënderoj, prandaj, Jordaninë, shtoi Papa, për inkurajimin e nismave të ndryshme në favor të dialogut ndërfetar e të promov ‘Mesazhi Ndërfetar i Amanit’, si dhe promovimi, në gjirin e OKB-së, i kremtimit vjetor të Javës së harmonisë ndërmjet Feve”.
Më pas Papa përshëndeti bashkësitë e krishtera, të pranishme në vend qysh në kohët apostolike, që japin një kontribut të ndjeshëm për të mirën e përbashkët të shoqërisë, në gjirin e së cilës jetojnë. Ndonëse pakicë, zhvillojnë një veprimtari të admirueshme në fushën edukative e shëndetësore, përmes shkollave e spitaleve e mund ta dëshmojë lirisht fenë e tyre, në respekt e liri fetare, që është e drejtë themelore e njeriut e uroj, nënvizoi Papa, që të mbrohet në të gjithë Lindjen e Mesme e në mbarë botën. Liri fetare, tha Papa në vijim, do të thotë liri individuale e kolektive për të ndjekur ndërgjegjen në zgjedhjen e fesë, ashtu edhe liri kulti, liri për të zgjedhur fenë që njeriu beson se është e vërtetë e për ta dëshmuar publikisht (Benedikti XVI, Nxitja Ap. Ecclesia in Medio Oriente, 26). Të krishterët e ndjejnë veten, e edhe janë, qytetarë me të drejta të plota e duan të kontribuojnë në ndërtimin e shoqërisë, së bashku me bashkatdhetarët myslimanë, duke ofruar ndihmesën e tyre të veçantë.
Në përfundim Papa i bëri Mbretërisë dhe popullit të Jordanisë një urim të përzemërt për pa qe e prosperitet, me dëshirën që kjo vizitë të kontribuojë për thellimin e marrëdhënieve të ngrohta ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. E, duke folur lirisht, një urim tjetër: “Zoti i mbrojtët të gjithë nga frika e ndryshimit, për të cilën foli Mbreti në përshëndetjen e tij”. Në përfundim, falënderimi për mikpritjen e mirësjelljen dhe urimi: “Zoti i Gjithëpushtetshëm e i Mëshirshëm i dhëntë Madhërive tuaja lumturi e jetë të gjatë dhe reshtë mbi Jordaninë bekimin e tij! Salam!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.