2014-05-24 15:07:13

Aman


Amani (758 metra mbi nivelin e detit; 1. 055 . 000 banorë) është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Jordanisë. Duket se në fillim u quajt Rab Amoon (ربة عمون) dhe pastaj, në shekullin e tretë para Krishtit, Filadelfia. Kryeqytet i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, shtrihet mbi kodrat në perëndim të maleve ‘Ajlun, në veri të luginës Wadi Aman. Nisë të banohet që nga mijëvjeçari IV para Krishtit. Qytet mbretëror, i pushtuar nga trupat e Davidit, ka shmë mundësi të ketë qenë akropol. Uria, burri i Betsabesë, me të cilën qe dashuruar Davidi mbret, u vra në betejë pikërisht poshtë mureve të qytetit. Një histori të gjatë, shumëshekullore, ka ky qytet, që pas pushtimit nga mbreti egjipian Ptolemeu II Filadelfus (285-246 para Krishtit), u quaj Filadelfia. I rindërtuar nga romakët në shek. II, ruan një mori dëshmish arkeologjike të historisë së tij të lashtë, që zgjatet në kohë deri në pushtimet islamike të vitit 635 e zhduket, pastaj, për shkaqe krejt të panjohura, në shekullin XIII. Ripopullohet nga otomanët në vitin 1878, por mbetet qytet i vogël, pa ndonjë rëndësi të veçantë, deri në fund të konfliktit botëror. Me rënien e Perandorisë otomane, Transjordania (në lindje të lumit Jordan, Jordania e sotme) kalon nën mandatin britanik për Palestinën. Qeveria e Londrës e ndan, në vitin 1921, Transjordaninë nga Palestina, duke ngritur, në të parën, emiratin nën sundimin e Abdullah Bin Hysayn, asokohe Mbret i Hegiaz e Sherif i Mekës. Aman bëhet kryeqytet i shtetit të ri. Zhvillimi i tij shpejtohet pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 1946. Me shpalljen e Shtetit të Izraelit, dy vjet më pas, në Aman arrin vala e parë e refugjatëve palestinezë. Pas konfliktit arabo-izraelit të vitit 1967, Jordania e humbet kontrollin mbi Çisjordaninë. Shtimi i pranisë palestineze ndikon për thellimin e presionit demografik, politik e ushtarak, që çon në ndeshjet e armatosura të shtatorit 1970, të cilat përfundojnë me dëbimin e guerriljes palestineze, por edhe me dëmtimin e rëndë të kryeqytetit. Amani sot është qendra më e madhe tregtare dhe financiare e vendit. Parlamenti ndodhet në sektorin perëndimor të qytetit; universiteti u themelua në vitin 1962. Paraqesin interes të veçantë Qyteza e lashtë, Muzeu Arkeologjik, i pasuruar shumë kohët e fundit dhe Amfiteatri Romak, i ruajtur shumë mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.