2014-05-23 18:06:01

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Maria ‘Në këto kohët e fundit” par. 49


Maria tërhoqi në shekuj dijetarë, që e endën portretin e saj mahnitës fizik e shpirtëror, me fjalë e vepra; piktorë, që e pikturuan me ngjyra; skulptorë, që e skalitën në gur e dru; muzikantë, që na lanë një mrekulli tingujsh për Mrekullinë e Hyjit, Marinë, duke e zbuluar pak nga pak para syve të njerëzimit, atë, që mbeti gjysëm e fshehur në shekuj, sepse kështu deshi Hyji. Në ardhjen e parë të Krishtit, Maria mbeti e fshehur, po në ardhjen e dytë Shpirti Shenjt do ta zbulojë gjithë rrezëllim Nënën, që të dalë edhe më në pah bukuria e Birit. Këtë na kujton “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, sot me paragrafin 49, nga kapitulli “Pushteti i Marisë”.RealAudioMP3


49. Përmes Marisë nisi shëlbimi në botë, përmes saj edhe do të përmbushet. Maria gati-gati nuk u duk në ardhjen e parë të Jezu Krishtit, që njerëzit, ende të paarsyer e të pashndritur për të njohur Vetjen e Birit të saj, të mos largoheshin nga e vërteta, duke u lidhur fort e pa menduar më gjatë me të, gjë që do të kishte ndodhur sigurisht, nëse ajo do të ishte bërë e njohur më shumë, për shkak të magjisë mahnitëse që i dhuroi i Tejetlarti edhe në pamjen e jashtme; e kjo është aq e vërtetë, sa Dionisi Areopagit na e la të shkruar se, kur e pa, do ta kishte marrë për hyjni, për shkak të forcës së saj të fshehtë tërheqëse e të bukurisë së pakrahasueshme, nëse feja, në të cilën ishte i patundur, nuk do t’i kishte mësuar të kundërtën. Por, në ardhjen e dytë të Jezu Krishtit, Maria duhet të njihet e të zbulohet nga Shpirti Shenjt, që përmes saj, të njihet, të duket e të shërbehet vetë Jezu Krishti, sepse arsyet që e shtynë Shpirtin Shenjt ta fshihte Nusen e tij gjatë jetës e të mos e zbulonte veçse paksa pas predikimit të Ungjillit, nuk ekzistojnë më.







All the contents on this site are copyrighted ©.