2014-05-23 14:34:13

Nunci në Izrael: “Papa do të na ndihmojë në besimin reciprok”


Atmosferë pritjeje për vizitën e Papës Françesku në Tokën e Shenjtë. Do të jetë një injeksion besimi për të krishterët, që jetojnë në Viset e Shenjta. Kështu shprehet, në mikrofonin tonë, nunci apostolik në Izrael, imzot Giuseppe Lazzarotto, që kujton edhe takimin historik të Palit VI me Atenagorën, 50 vjet më parë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Ishte vërtet një çast tejet i frytshëm. U hapi rrugën ndryshimeve të rëndësishme, që vijojnë edhe sot. Gjest i kryer nën frymëzimin e Shpirtit Shenjt. E 50 vjet më pas, shpresojmë se ky gjest që, me të drejtë, Papa Françesku e Patriku Bartolomeu duan ta kujtojnë së bashku, këtë herë me të gjithë krerët e Kishave të krishtera të Jeruzalemit, do të hapë rrugë të reja.

Pyetje: - Do të jetë edhe kjo ngjarje historike?

Përgjigje: - Absolutisht po sepse, përveç personalitetit të fortë të Papës Françesku, që të gjithë e admirojnë, edhe këtu, në Tokën e Shenjtë, Patriku Bartolomeu është i vendosur për kremtimin e përbashkët të këtij përvjetori. E kjo tregon qartë dëshirën për të ecur së bashku në rrugën e hapur asokohe, 50 vjet më parë, e për të gjetur edhe shtigje të reja, pikërisht këtu.

Pyetje: - Si i gjykoni komentet e shtypit dhe të televizionit izraelit e palestinez, në prag të këtij shtegtimi papnor?



Përgjigje: - Natyrisht pritja është e madhe; e madhe, edhe shpresa, pa harruar se aty- këtu dëgjohet edhe ndonjë zë, që nuk bashkëtingëllon, por nuk u duhet kushtuar vëmendje e madhe rasteve të izoluara. Pritja është e madhe, i madh, edhe besimi. E ky shtegtim i Papës Françesku pritet me dëshirën që prania e tij, fjala e tij, gjestet të sjellin një element optimizmi, shprese, inkurajimi. Kemi vërtet nevojë për këtë!

Pyetje: - A ju shqetësojnë vandalizmat kundër Viseve të Shenjta?

Përgjigje: - Natyrisht nuk mund të mos na shqetësojnë, por jo sepse janë element, që mund ta trazojë vizitën e Papës, kjo jo! Është fenomen i vazhdueshëm; e edhe këtu ka rëndësi të nënvizojmë se kemi të bëjmë me raste individuale. Shumica dërmuese e popullsisë izraelite është në favor të vizitës së Papës, e edhe në favor të pranisë së të krishterëve.

Pyetje: - A ka probleme me leje-kalimet për palestinezët, që duan të marrin pjesë në Meshë?

Përgjigje: - Palestinezët i kanë lejet për të marrë pjesë në Meshë, në Betlehem. Kërkuam që të gjithë ata, të cilët duan të marrin pjesë në Meshë, të mos hasin asnjë pengesë. Lejet janë dhënë, tashmë.

Pyetje: – Në ç’pikë kanë arritur bisedimet mbi Marrëveshjen themelore ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Izraelit, nisur më 1993?

Përgjigje: -Do të thosha se kemi hyrë në fazën përfundimtare. Kjo është marrëveshje shumë teknike, sepse bëhet fjalë për probleme me karakter fiskal. Ka disa pika, po me karakter thjesht teknik, prandaj nuk kemi ngut. Rëndësi ka të jetë marrëveshje e mirë.

Pyetje: - Papa Françesku do të arrijë në Tokën e Shenjtë në një çast, kur dialogu izraelito-palestinez është bllokuar. Besoni se kjo vizitë mund ta zhbllokojë?

Përgjigje: - Ne shpresojmë, e jo vetëm ne, por të gjithë; ka shumë burra e gra vullnetmira. Duhet t’u japim zë këtyre njerëzve, që punojnë në terren, praktikisht, në jetën e përditshme, për të krijuar besim reciprok.

Pyetje: - Ç’pritet nga kjo vizitë?

Përgjigje: - Uroj që vizita e Papës këtu, në Tokën e Shenjtë, të jetë injeksion i fortë shprese e besimi për të krishterët tanë, të cilëve u duhet të përballojnë shumë vështirësi. Zoti e provania e Tij na caktuan një shtëpi të përbashkët për të banuar, prandaj nuk mund të jetojmë të ndarë, në të njëjtën shtëpi. Duhet të mësohemi të jetojmë bashkë, si një familje e vetme. Ta duam njëri-tjetrin, duke shkëmbyer gjithçka pozitive e duke ndërtuar, mbi këtë bazë. Urimi im është që vizita e Atit të Shenjtë të sjellë një frymë të re e të na ndihmojë të ecim më mirë së bashku.








All the contents on this site are copyrighted ©.