2014-05-23 11:32:13

50-vjetori i përqafimit të Palit VI me Atenagorën. Kardinali Poupard: kthesë historike për Kishën


“Bota hapi sytë para një ngjarjeje krejtësisht të paparashikuar”. Kështu e përshkroi takimin ndërmjet Papës Pali VI dhe Patriarkut Atenagora, 50 vjet më parë në Jeruzalem, kryetari i nderit i Këshillit Papnor për Kulturën dhe i atij për Dialogun ndërfetar, kardinali Paul Poupard. Rasti qe paraqitja e librit të Valeria Martanos, me titull “Përqafimi i Jeruzalemit – 50 vjet më parë takimi historik ndërmjet Palit VI dhe Athenagoras”, botuar nga Paolinet.RealAudioMP3
Ishte Toka Shenjte, nga ku nisi shëlbimi i botës, që u bë edhe një herë, shenjë bashkimi e shprese. Ndërsa mbahej Koncili II i Vatikanit, më 5 janar 1964, në një kodrinë para qytetit të Jeruzalemit, të gjithë mbeten të mahnitur, ndërsa Papa Pali VI përqafonte Patriarkun Atenagora të Kostandinopojës. Ngjarje e menduar nga Papa Gjoni XXIII, tashmë shenjt i Kishës Katolike; takim, që e ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë. Me këtë gjest të thjeshtë, të dyja Kishat, ajo katolike dhe ajo ortodokse, bëhen sërish motra, shekuj pas skizmës. Kardinali Paul Popard, sot në mikrofonin tonë, në vitin 1963 kontribuoi në përgatitjen e takimit:
“Kujtoj se ndodhi një ngjarje krejtësisht e paparashikuar, që e ndryshoi historinë! Dy botë, që injoroheshin – nëse mund të them kështu – u takuan: atëherë botës iu hapën sytë, si nga njëra anë, ashtu edhe nga tjetra. Është diçka që mbetet unike! Është i vetmi udhëtim në historinë e shtegtimeve papnore, bërë nga një Papë në Motu Proprio. Pali VI ftoi vetveten, nuk e ftuan. Të gjithë mendonin se ishte e pamundur, por u bë e mundur”.
“Biografi paralele”, ajo e Atenagorës dhe ajo e Ronkalit, që arrijnë të organizojnë një takim, në gjendje ta bëjë Kishën të marrë frymë me dy mushkëri. Të dëgjojmë Valeria Martanon, autoren e librit “Përqafimi i Jeruzalemit”:
“Në takimin ndërmjet Atenagorës dhe Palit VI arrihet përmes një udhe të gjatë paralele. Nga njëra anë, në Lindje, Atenagora, i krishterë lindor, është dëshmitar i shpërbërjes së bashkëjetesës otomane dhe vuan ndarjen, që kthehet në armiqësi, në dhunë, në nacionalizëm. Kupton dhe ndjen me intuitë nevojën e bashkimit, është njeri me përvojën e bashkëjetesës moderne: 20 vjet në SHBA-të, shtet shumëetnik, shumëfetar. Nga ana tjetër, paralelisht, kemi një të krishterë perëndimor, një prift bergamask, që kalon 20 vjet në Lindje – pra, po ato vite që Atenagora i kalon në Perëndim. Siç thoshte Papa i ardhshëm Gjoni XXIII: ‘Mësova t’i dua këngët e tyre, ritet, nderimin për ikonat, ta kuptoj se këta vëllezër, të ndryshëm prej nesh, kishin të njëjtën zemër, si ne’. Në fillimin e epokës konciliare, këto dy figura gjendeshin së bashku në krye të Kishave, që në atë rast, morën vërtet frymë me dy mushkëri, siç do të thoshte më pas Gjon Pali II: me mushkërinë lindore dhe me atë perëndimore të Kishës. E kërkojnë njëri-tjetrin, por nuk takohen kurrë, për shkak të moshës së shtyrë të Gjonit XXIII, i cili ndërroi jetë. Papa Pali VI, pak muaj pas zgjedhjes, merr në dorë trashëgiminë e paraardhësit dhe e çon drejt kulmit këtë histori të jashtëzakonshme, me takimin në Jeruzalem. Pra me mundësinë që, pa u nënshtruar e pa lëshuar pe aspak, të krishterët e të dyja palëve ta ndjenin sërish veten vëllezër, aty ku lindi feja”.
Urë e hedhur 50 vjet më parë, që do të mbartë edhe udhëtimin e Papës Françesku në Tokën Shenjte, i cili fillon nesër e përfundon të hënën. Kulmi i shtegtimit do të arrijë në kremtimin ekumenik në Varrin e Krishtit, të dielën mbrëma, më 25 maj. Sërish kardinali Paul Poupard:
“Lidhja me këtë udhëtim [atë të Palit VI] është shumë e rëndësishme, sepse është kujtesa e së kaluarës dhe shpresa për të ardhmen: këtë po përjetojmë me shtegtimin e ri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.