2014-05-22 11:31:37

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Maria ‘Në këto kohët e fundit” par. 47, 48


Pati ulur qiellin Hyji, në një shpellë të përvuajtur të një qyteti të harruar bote, e ul edhe sot qiellin, e do ta ulë deri në mbarim të kohëve e në duart e Marisë do të mishërohet përsëri, si atëherë, në Betlehem, edhe në kohët tona, kur njerëzimi arrin kulmin e përparimit, por edhe kulmin e mjerimit e të shëmtimit. Ngarendim tek elterët e saj mot, sot e nesër, sepse zemra e njeriut ka të njëjtën etje, që pati në fillim të kohëve. Fillimin e fundin e kohëve, na hap para sysh “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, sot me paragrafin 47.RealAudioMP3

47. Thashë se kjo do të ndodhë në mënyrë të veçantë në fund të botës, e madje shpejt, sepse i Tejetlarti dhe Nëna e Tij duhet të formojnë shenjtorë të mëdhenj, të cilët do t’ua kalojnë shumë në shenjtëri shumicës së shenjtorëve të tjerë, si kedrat e Libanit lartohen mbi drurët shatorrë, si e pa në vegim një shpirt shenjt, jeta e të cilit u shkrua nga de Renty.

48. Këta shpirtra të mëdhenj, plot me hir e me zell, do të zgjidhen për t’iu kundërvënë armiqve të Hyjit, që shkumbaviten nga të katër anët, e do të jenë posaçërisht të devoçëm ndaj Virgjërës së Shenjtë, të shndritur nga drita e saj, të mëkuar nga qumështi i saj, të prirë nga shpirti i saj, të mbështetur nga krahu i saj e të ruajtur nën mbrojtjen e saj, kështu që ata, me njërën dorë do të luftojnë, me tjetrën do të ndërtojnë. Me njërën dorë do të luftojnë, do t’i shembin, do t’i shtypin heretikët, me gjithë herezitë e tyre, skizmatikët me skizmat e tyre, idhujtarët me gjithë idhujtarinë e tyre e mëkatarët, me mbrapshtitë e tyre; me dorën tjetër do të ndërtojnë tempullin e Salomonit të vërtetë e qytetin mistik të Hyjit, domethënë Virgjërën, që Etërit e shenjtë e quajnë Tempulli i Salomonit e qyteti i Hyjit. Do t’u prijnë të gjithëve, me fjalët e tyre e me shembullin e tyre, kah devocioni i saj i vërtetë, duke krijuar, kështu, shumë armiq, por duke korrur edhe shumë fitore e duke fituar shumë lumni vetëm për Hyjin. Këtë zbulim ia bëri Hyji Shën Vinçenc Ferrerit, apostullit të madh të shekullit të vet, ashtu si e tregon ai vetë në një nga veprat e tij.
Duket se vetë Shpirti Shenjt e parafoli këtë në Psalmin 59, me fjalët: “Hyji do të mbretërojë në Jakobin e deri në skajet më të largëta të tokës; do të kthehen në muzg e do lehin si qentë e do të enden të uritur rreth qytetit, në kërkim të ushqimit”. Ky qytet, rreth të cilit do të sillen e do të përsillen në fundin e botës, për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për të shuar urinë e tyre për drejtësi, është Virgjëra e Shenjtnueshme, që Shpirti Shenjt e quan qytet i Davidit.








All the contents on this site are copyrighted ©.