2014-05-22 12:17:52

Kisha jordaneze, e lumtur dhe krenare për vizitën e Papës Françesku


Popullsia jordaneze është vërtet e lumtur dhe krenare që i jepet mundësia të takojë Papën Françesku, Papa i të fundmëve të shoqërisë. Kështu flet zëdhënësi i Kishës në Jordani, atë Ri’fat Bader, vetëm pak ditë para shtegtimit të papës në Tokën Shenjte. Kujtojmë se vizita do të fillojë pikërisht në Aman, kryeqyteti i Jordanisë, më 24 maj. Të dëgjojmë atë Ri’fat Bader në mikrofonin tonë:RealAudioMP3
Ka shumë komitete, që punojnë natë-ditë për të përgatitur sa më mirë qytetin, në mënyrë që ta presim Papën Françesku si mysafir të Mbretit të Jordanisë e të gjithë popullsisë, në veçanti, të Kishës Katolike lokale. Shihen parrulla mirëseardhjeje nëpër rrugët e kryeqytetit me imazhin e takimit të fundit ndërmjet Mbretit Abdullah dhe Papës, në rezidencën e Shën Martës, prillin e kaluar, e, në sfond, imazhet e Shtetit të Vatikanit dhe të vendit të Pagëzimit të Jezusit në Jordani. Në stadiumin ndërkombëtar, të shtunën, në datën 24 maj, do të kremtohet mesha e tretë e një pape, në 40 vjetët e fundit, pas asaj të kryesuar nga shën Gjon Pali II gjatë Jubileut të vitit 2000 dhe asaj të Papës Benedikti XVI, në vitin 2009. Kremtimi do të kryesohet nga Papa Françesku, i cili do të mbërrijë në stadium në orën 3 pasdite. Nga xhipi i tij do të përshëndesë të gjithë shtegtarët, që do të vijnë në meshë. Po organizojmë edhe takimin me refugjatët, të sëmurët dhe personat me aftësi të kufizuara, pranë vendit të Pagëzimit të Jezusit. Në veçanti, duam t’u japim mundësi gazetarëve të bëjnë fotografi kur Papa do të ndalet në brigjet e lumit Jordan. Françesku, ashtu siç bëri Papa Pali VI para 50 vjetësh, do të ketë mundësinë të ndalet pikërisht në buzë të bregut të lumit ku u pagëzua Jezusi, për të bekuar ujin. Kjo nuk qe e mundur me rastin e vizitës së Gjon Palit II dhe të Benediktit XVI. Është mundësi e veçantë për një fotografi historike.
Cilat janë shpresat dhe çfarë presin të krishterët jordanezë nga vizita e Papës?
Janë vërtet të lumtur e krenarë që do ta takojnë këtë Papë, i cili ka mahnitur botën në këto 14 muajt e parë të papnisë. Janë të lumtur që do të presin Papën e “të fundmëve”, i cili dëshiron një Kishë “të varfër për të varfërit”. Gjithashtu, jemi të lumtur që do të presim Papën e drejtësisë e të paqes, i cili lutet shumë për paqen e drejtësinë në Siri, në Irak e në gjithë botën. Në të vërtetë, nuk e pret vetëm bashkësia e krishterë jordaneze, do të ketë shumë besimtarë, ardhur nga bota arabe e nga vende të tjera. Kremtimi do të jetë ndërkombëtar, prandaj të gjithë të krishterët e botës ftohen të luten me Papën. Jemi të sigurtë se Papa do të lutet për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e vendit tonë. Po përgatitemi të lutemi së bashku me vëllezërit tanë refugjatë irakianë e sirianë, të cilët do të marrin pjesë me familjet e tyre në meshën, që do të kremtohet në stadiumin e qytetit, ku do të lutemi për paqen e drejtësinë. Ky duhet të jetë edhe rezultati i parë i udhëtimit të Atit të Shenjtë: të sjellë fryte për paqen, qëndrueshmërinë dhe qetësinë e rajonit tonë.
Papa do t’i takojë refugjatët në Bethany Beyond the Jordan (Betania përtej lumit Jordan). Cila është gjendja e qindra mijëra njerëzve, që ikin nga lufta për t’u strehuar në vendin tuaj?
Në të vërtetë, nuk kemi statistika të veçanta, por këtu në Jordani, aktualisht, jetojnë rreth një milion e 300 mijë refugjatë sirianë. Strehohen akoma këtu edhe mijëra irakianë, pa folur për refugjatët palestinezë, që duan të kthehen në tokën e tyre. Jordania ka qenë dhe është tokë e njohur për mikpritjen, siç pati thënë Gjon Pali II, kur mbërriti në Aman, më 20 mars të vitit 2000. Këto vlera kërkojnë shumë impenjim e vendi ynë duhet të paguajë një çmim të lartë. Jordania është shtet i vogël, me gjendje ekonomike të vështirë, në të cilën ndikon edhe paqëndrueshmëria politike e rajonit. Ne strehojmë qindra mijëra refugjatë, një pjesë nëpër kampe, të tjerët jashtë tyre. Duhet të falenderojmë Karitasin e Jordanisë, që punon shumë për t’u siguruar ushqim e banesë të gjithëve. Ne ndihmojmë të gjithë njerëzit pa përjashtim, të cilët i konsiderojmë krijesa të shenjta të Zotit. Takimi i Papës me të sëmurët dhe refugjatët, të shtunën, do të jetë pikërisht shenjë e këtij kontributi të rëndësishëm të Kishës. Do të jenë të pranishëm shumë myslimanë në kishën latine pranë “Bethany beyond the Jordan”, por Papa nuk do të vijë aty për t’i kthyer në krishterim: do t’u dëshmojë dashurinë e Zotit, dashurinë e Jezu Krishtit për të gjithë.








All the contents on this site are copyrighted ©.