2014-05-22 14:06:21

Kardinali Parolin: Udhëtimi i Papës në Tokën e Shenjtë do të sjellë fryte paqeje


Të shtunën më 24 maj, Papa Françesku do të nisë udhëtimin e shumëpritur treditor në Tokën e Shenjtë, me rastin e 50 vjetorit të takimit të Papës Palin VI me Atenagorën, në Jeruzalem. Dje, gjatë audiencës së përgjithshme, u kërkoi besimtarëve të luten për këtë mision. Cilat janë frytet që mund të japë ky shtegtim? Radio Vatikani ia drejtoi këtë pyetje Sekretarit të Shtetit, Kardinalit Pietro Parolin:RealAudioMP3
Unë do të thosha se frytet janë kryesisht në drejtim të takimit: fryti i takimit të Papës me realitetet e ndryshme, që jetojnë në këtë tokë, dhe ai i takimit mes vetë realiteteve të ndryshme. Është fryti i paqes. E dimë se Papa shkon në një tokë veçanërisht të vuajtur... Unë shpresoj me të vërtetë që fryti të jetë ai i ndihmës për të gjithë përgjegjësit dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, që të marrin vendime të guximshme në rrugën e paqes.
Është një tokë ku paqja e ka të vështirë të lulëzojë... Cilat janë pritjet e Selisë së Shentë për dialogun izraelo-palestinez?
Nga njëra anë e drejta e Izraelit për të ekzistuar dhe për të gëzuar paqen dhe sigurinë brenda kufinjve të pranuar ndërkombëtarisht; e drejta e popullit palestinez për të pasur një atdhe sovran dhe të pavarur, e drejta për të lëvizur lirisht, e drejta për të jetuar me dinjitet. E pastaj pranimi i karakterit të shenjtë të qytetit të Jeruzalemit, të trashëgimisë së tij kulturore dhe fetare, domethënë si vend shtegtimi i besimtarëve të tri feve monoteiste. Këta janë pikat mbi të cilat do të ngulë këmbë Papa edhe këtë herë, në të njëjtën linjë me të gjithë “politikën” e Selisë së Shenjtë për sa i përket konfliktit izraelo palestinez.
Në lutjen e Engjëllit të tënzot të 5 janarit të shkuar, Papa Françesku foli për këtë udhëtim si për një shtegtim, duk ngulur këmbë tek aspekti i lutjes. Pika qendrore do të jetë pikërisht takimi ekumenik tek Varri i Shenjtë me patriarkun Bartolomeu I i kostandinopojës, në kujtim të takimit historik të Palit VI me Atenagorën. A besoni se ky takim mund të shenjojë, në një mënyrë, edhe një çast domethënës, të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërmjet Kishave?
Ekumenizmi ka qenë njëra ndër arritjet e Koncilit II të Vatikanit, natyrisht në fund të një udhe të gjatë që bëri edhe Kisha katolike në këtë drejtim. Fakti se takimi i Palit VI me Atenagorën i dha një shtysë themelore, përcaktuese kësaj ecjeje ekumenike, do të thotë se nganjëherë gjestet vlejnë më shumë se fjalët, se janë më shprehëse se fjalët. Unë uroj që takimi i Papës Françesku me Patriarkun Bartolomeu do ta gjallërojnë pak këtë flakë, këtë entuziazëm për ecjen ekumenike, që duhet të frymëzojë të gjitha nismat që ekzistojnë tashmë. Duhet të ekzistojë fryma e entuziazmit dhe pasioni për bashkimin, që ka qenë lutja e zjarrtë e Jezusit në çenakull, para Mundimeve dhe vdekjes.
Udhëtimi do të jetë edhe një çast i vërtetë gëzimi për të krishterët që jetojnë në Jordani, Palestinë e Israel, të krishterë që shpesh jetojnë në kushte të vështira...
Do të jetë një çast gëzimi dhe ngushëllimi për të gjithë të krishterët që jetojnë në Tokën e Shenjtë dhe besoj se Papa dëshiron të nënvizojë, në takimin e drejtpërdrejtë me ta, dy gjëra: se këta të krishterë janë gurë të gjallë dhe se pa praninë e tyre Toka e Shenjtë dhe vetë Vendet e Shenjta rrezikojnë të shndërrohen në muze, siç e themi shpesh herë. Përkundrazi, prania e tyre siguron aty një bashkësi të krishterë të gjallë dhe një prani të gjallë të Zotit të ringjallur. Dhe, në të njëjtën kohë, përveç kësaj përmase më shumë kishtare, duhet mbajtur parasysh edhe roli që kanë të krishterët e Lindjes së Mesme dhe të Tokës së Shenjtë në shoqërinë në të cilën jetojnë, në vendet ku jetojnë: është rol themelor. Dëshirojnë të vihen sinqerisht në gatishmëri të bashkëqytetarëve të tyre për të ndërtuar së bashku një atdhe të lirë, të drejtë dhe demokratik.








All the contents on this site are copyrighted ©.