Papa lutet për të përmbyturit e Ballkanit dhe katolikët në Kinë
Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa bëri dy thirrje: për Ballkanin e përmbytur
nga shirat e Kinën, në festën e Pajtores së vet. Mendimi im, tha Françesku, shkon
tek popullsitë e Bosnjë-Hercegovinës e të Serbisë, të dëmtuara rëndë nga vërshimet
dhe përmbytjet, që shkaktuan vdekjen e shumë njerëzve, shpërnguljen e të tjerëve
e dëme të pallogaritshme. Për fat të keq, situata vijon të keqësohet, prandaj ju ftoj
të bashkoheni me mua në lutje për viktimat si dhe për të gjithë njerëzit e vënë në
këtë provë të rëndë nga kjo fatkeqësi e natyrës. Uroj që të mos u mungojë vëllezërve
tanë solidariteti ynë e ndihma konkrete e bashkësisë ndërkombëtare. Të gjithë së bashku
ju ftoj t’i luteni Zojës për popullsitë e Bosnjës dhe të Hercegovinës si dhe të Serbisë.
Më
24 maj kremtohet festa liturgjike e Zojës Ndihmëtare, që nderohet me devocion të veçantë
në shenjtëroren e Sheshanit në Shangai. U kërkoj të gjithë besimtarëve të luten
që, nën mbrojtjen e Nënës Ndihma e të Krishterëve, katolikët e Kinës të vijojnë të
besojnë, të shpresojnë, të duan e të jenë, në çdo rrethanë, tharm i bashkëjetesës
së harmonishme ndërmjet bashkëqytetarëve të tyre.