Imzot Zhimovski: ndryshimet e klimës, me pasoja shkatërruese
“Selia e Shenjtë është e vetëdijshme për pasojat shkatërruese, që vijnë nga ndryshimet
e klimës”: kështu deklaroi kryetari i Këshillit Papnor për baritorinë e shëndetit,
imzot Zigmunt Zhimovski në Asamblenë e 67-të të OKB-së për Shëndetësinë, që po mbahet
në Gjenevë. “Është provuar tashmë – tha prelati – se veprimtaria e njeriut ka
kontribuar mjaft në ngrohjen e sipërfaqes tokësore dhe se ndryshimet e klimës së bashku
me pasojat nuk do të ndalen në të ardhmen. Gjithashtu, është vërejtur se ky ndryshim
do të sjellë rëndimin e problemeve ekzistuese të shëndetit. Rrezikun më të madh e
kalojnë popullsitë, që edhe tani vuajnë nga sëmundje, të varura nga klima”. Përballë
kësaj krize ekologjike, vazhdoi imzot Zimovski, duhet të shohim përtej çështjeve thjesht
shkencore, mjekësore dhe ekonomike, që lidhen me ndryshimet e klimës. Duhet t’i takojmë
njerëzit, që vuajnë prej tyre. Kreu i dikasterit vatikanas për shëndetësinë bëri thirrje
për më tepër solidaritet dhe për një plan me ndërhyrje aty ku njerëzit kanë më pak
mundësi për të kundërshtuar disi pasojat e klimës. Temat e tjera, që trajtoi
imzot Zimovski, vunë në dukje problematikat dhe përparimet e bëra në fushën e përmirësimit
të jetesës së njerëzve me probleme autizmi, si edhe rëndësinë e ushqimit të fëmijëve
të sapolindur me qumështin e nënës, ideal për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme
si për fëmijën, ashtu edhe për nënën.