2014-05-21 13:34:24

Boko Haram godet sërish në Nigeri: mëse 200 viktima


Ditë e re e gjakosur, dje në Nigeri. Në Jos, në qendër të vendit afrikan, shpërthyen dy autobomba, duke shkaktuar 200 viktima e 56 të plagosur, shumica gra. Policia nuk ka dyshime: ky atentat terrorist mban firmën e organizatës islamike “Boko Haram”. Sipas një skeme të konsoliduar tashmë, atentatorët vunë në shënjestër një stacion taksish, në një nga rrugët ku kalojnë shumë njerëz, duke bërë të shpërthejë një kamion plot me eksploziv. Pas 20 minutash, ndërsa e gjithë vëmendja ishte përqendruar në atentatin e parë, një autobombë shpërtheu pak më tej, në tregun Terminus të qytetit. Nuk është e mundur as të identifikohen trupat pa jetë, krejtësisht të karbonizuar. Dëshpërimi i njerëzve ka arritur deri në atë pikë, sa mbrëmë askush nuk fjeti nga britmat e vajtimet e familjarëve të viktimave.
“Një hap mbrapa në bisedimet rajonale për paqen” e quajti atentatin kreu i ipeshkvijve, imzot Ignatius Kaigama. “Sulm tragjik kundër lirisë së njeriut”, komentoi presidenti i Nigerisë, Goodluck Jonathan. Boko Haram akoma mban peng 200 vajza të krishtera, që i ka kthyer me forcë në fenë islamike. Dje, parlamenti i Abuxhës e zgjati me gjashtë muaj të tjerë, gjendjen e emergjencës së vendosur para një viti në zonat e Jobes, të Adamauas dhe të Bornos.








All the contents on this site are copyrighted ©.